1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Westerwelle i forcon krahët opozitës arabe

Ministri i Jashtëm Gjerman, Guido Westerwelle bëri të mërkurën një deklaratë qeveritare për kthesat radikale në botën arabe. Pas kësaj, Bundestagu debatoi për politikën gjermane në rajon.

Ministri i Jashtëm Westerwelle flet për Libinë

Ministri i Jashtëm Westerwelle flet për Libinë

Kthesë historike i quajti ministri i Jashtëm Guido Westerwelle ndryshimet radikale në botën arabe. Por është herët të thuhet se liria tashmë ka fituar, tha ai.

" Ende forcat e vjetra në shumë vende janë në pushtet, ende ato zotërojnë para dhe ndikim. Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për zhvillimin politik. Por rrota e historisë nuk mund të kthehet pas. Unë jam optimist se në fund rilindja do të fitojë"

Për këtë sukses, qeveria federale gjermane dëshiron të japë kontributin e saj, tha ministri i Jashtëm gjerman para sallës së mbushur mirë të Parlamentit:

" Qeveria gjermane do t'i kërkojë Bundestagut që në dy vitet e ardhshme të vërë në dispozicion gjithsej 100 milionë euro për partneritete me Afrikën e Veriut dhe me Lindjen e Afërme. 40 milionë euro prej këtyre ne duam t'i përdorim për një program bursash dhe partneritete arsimore me shkollat e mesme dhe të larta të këtyre vendeve."

Pjesën më të madhe të debatit e mori situata në Libi, ku trupat e pushtetmbajtësit Gaddafi po fitojnë gjithnjë e më shumë terren dhe po i sprapsin kryengritësit. Një zonë të ndalim-fluturimit, siç e kërkon atë Liga Arabe, qeveria gjermane e refuzon njësoj si shumica e parlamentarëve. Nëse Liga Arabe dëshiron një zonë të ndalim-fluturimit, atëherë ajo duhet ta krijojë atë vetë, tha politikani i CDU-së, Andreas Schockenhoff:

"Veçanërisht prej Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kërkohet këtu angazhim, sepse ato i kanë aftësitë e nevojshme ushtarake, duke përfshirë edhe aviacionin modern."

Bundeswehri, ushtria gjermane nuk do të bëhet palë lufte në Libi, theksoi ministri i Jashtëm Westerwelle. Gjermania angazhohet për sanksione më të ashpra kundër Gaddafit, midis të tjerave me mandat të OKB-së.

" Rrjedhjen e parave në sistemin Gaddafi ne duam ta ndalojmë sa të jetë e mundur. Ne duam t'i heqim regjimit bazën e veprimit të tij dhe të luftës kundër popullit të tij."

Por kjo mund të kishte ndodhur prej kohësh, kritikon Frithjof Schmidt i të Gjelbërve, dhe pikërisht përmes sanksioneve në biznesin e naftës dhe të gazit.

"Vazhdon të mos ekzistojë një ekskomunion kundër firmave libiane, të cilat blejnë naftë libiane ose e shesin atë, nuk ka një listë të tillë. Paratë e naftës vazhdojnë të rrjedhin drejt Libisë dhe të mbushin arkën libiane të Gaddafit. Kjo është skandaloze dhe kjo duhet të marrë fund."

Në debatin për kthesat radikale në botën arabe u përzien edhe tone autokritike: në mënyrë shumë miqësore është sjellë në të kaluarën Gjermania me regjimet totalitare, edhe për shkak të marrëdhënieve të mira tregtare.

Ministri i Jashtëm Westerwelle u shpreh i brengosur për zhvillimin në Mbretërinë Bahrain në Gjirin Persik. Atje, shtëpia sundimtare vepron në mënyrë të dhunshme kundër demonstruesve dhe ka mbledhur trupa nga vendet fqinjë. Shkallëzimi i dhunës duhet të ketë një fund, kërkoi Westerwelle dhe t'i hapë vend një dialogu midis qeverisë dhe opozitës.

Autor: Nina Werkhäuser/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti