1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Westerwelle: Gjermania përkrah përpjekjet e Shqipërisë drejt BE

Ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi e sheh vizitën e Ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle si një ngjarje të rëndësishme dhe konfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Tiranës e Berlinit.

Guido Westerwelle

Guido Westerwelle

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle viziton për herë të parë Tiranën ditën e enjte. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme gjermane pak para nisjes së vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Tiranë theksohet se që nga fillimi i procesit të demokratizimit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë thelluar vazhdimisht. Ministria e Jashtme Gjermane përmend se Shqipëria është një nga pikërëndesat e bashkëpunimit gjerman për zhvillimin.

Para vizitës në Tiranë dhe të premten në Shkup, ministri i Jashtëm gjerman deklaroi se "Gjermania i mbetet besnike perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Gjermania përkrah përpjekjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë në drejtim të BE-së, po ashtu si të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Prandaj është shumë e rëndësishme që kushtet dhe premisat që lidhen me këtë perspektivë të plotësohen në mënyrë të bindshme dhe të besueshme. Shteti i së drejtës, zgjidhja e konflikteve në frymën e bashkëpunimit fqinjësor si edhe bashkëjetesa paqësore janë themelore për zhvillim të mirë të rajonit."

Ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë Guido  Westerwelle pritet t'i zhvillojë bisedimet me përfaqësuesit më të lartë të qeverisjes dhe opozitës në Shqipëri ditën e premte. Pas bisedimeve me homologun shqiptar Edmond Panariti, shefi i diplomacisë gjermane do të bisedojë dhe me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.

Marrëdhëniet bashkëpunuese mes Tiranës dhe Berlinit, procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, realizimi i programeve zhvilluese të Gjermanisë për Shqipërinë - do të jenë ndër çështjet kryesore që Guido  Westerwelle do të diskutojë me mikëptitësit vendorë.

Ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi

Ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi

Valter Ibrahimi: Vizita është shprehje e vëmendjes dhe mbështetjes gjermane

Ambasadori i Shqipërisë në Berlin Valter Ibrahimi e cilëson vizitën e ministrit Westerwelle si një ngjarje të rëndësishme  dhe konfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Tiranës e Berlinit. Ai thotë se vizita zhvillohet në kuadër të një turi rajonal dhe vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Vizita është shprehje e vëmendjes dhe mbështetjes gjermane në kuadrin e procsit të afrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit me Bashkimin Europian. Gjermania dhe ministri i Jashtëm, Westerwelle në mënyrë të vazhdueshme dhe substanciale kanë mbmështetur Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit social-ekonomik dhe integrimit në strukturat euroatlantike dhe evropiane.

Edmond Haxhinasto dhe Guido Westerwelle pas takimit në Berlin, nëntor, 2011

Edmond Haxhinasto dhe Guido Westerwelle pas takimit në Berlin, nëntor, 2011

Gjermania mbështetëse e fortë e Shqipërisë

Në një intervistë për DW muajin e kaluar ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, duke folur për marrëdhëniet dy palëshe u shpreh se "vlerësuar që prej fillimit të bashkëpunimit tonë për zhvillim, bashkëpunimi gjerman tekniko-financiar në nivel dypalësh së bashku me kontributin e Gjermanisë në kuadër të asistencës shumëpalëshe arrin në më shumë se një miliardë euro". Sipas saj, sektorët kryesorë, ku përqëndrohen projektet mbështetëse janë energjia, ujësjellës - kanalizimet, mbështetja për sipërmarrjet e vogla e të mesme dhe qeverisja e mirë.