1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Wendt: "Mundësitë e veprimit janë të kufizuara!"

Rainer Wendt është kryetar i sindikatës federale të policisë gjermane. Kufijtë e se lejuarës në demonstrime, thotë ai, nuk janë gjithnjë të qartë. Për këtë arsye policia gjendet gjithnjë në një situatë të tendosur.

Deutsche Welle: Zoti Wendt, në demonstrime të ndryshme ditët e kaluara u dëgjuan në mënyrë të përsëritur parrulla anti-hebreje, por policia nuk mund të ndërhyjë gjithnjë. Cilat janë kriteret e orientimit për të reaguar në rast parrullash të tilla?

Rainer Wendt: Kufijtë është jashtëzakonisht e vështirë të përcaktohen. Si polici ne gjendemi në një fushë tensioni mes kritikës së lejuar ndaj shtetit dhe qeverisë së Izraelit dhe atyre që i quajmë parrulla urrejtjeje antisemite. Të kritikosh Izraelin për politikën e tij, për shembull për shkak të ngjarjeve aktuale në Rripin e Gazës, është absolutisht legjitime. Të propagandosh armiqësinë kundër hebrenjve si në rasin e ekstremistëvë të majtë, të djathtë dhe islamistë, i tejkalon kufijtë e së lejueshmes.

Ku tejkalohet në mënyrë të qartë kufiri i së lejueshmes?

Për shembull në rastet e djegies së simboleve shtetërore, si dhe të parrullave të tipit "Vdekje Izraelit", "Vdekje hebrenjve". Kjo është nxitje e urrejtjes popullore dhe një akt penal.

Si vepron saktësisht policia në raste të tilla?

Varet nga situata në vendngjarje dhe duhet të vendoset nga drejtuesi i policisë atje. Edhe kur kemi të bëjmë me raste të rënda penale duhet të mbahet gjithnjë parasysh parimi i proporcionalitetit. Nëse ndodh dicka, policët duhet të përpiqen të ndalojnë sa më shpejt aktet penale. Dhe në rastet kur ato kanë ndodhur të marrin masa për sigurimin e materialit të nevojshëm për trajtimin gjyqësor të rastit.

Cila është procedura?

Keqbërësit duhet të identifikohen dhe ndalohen. Më pas duhet të nisë shumë shpejt një proces që më pas të kemi edhe dënim. Gjykatat kanë kërkesa të larta sa i përket materialit të provës, nuk duhet të ketë boshllëqe mes konstatimit të aktit penal, ndalimit dhe kalimit të rastit gjykatës.

Cilat janë si pasojë e këtyre kërkesave sfidat për policët në vendngjarje?

Drejtuesi i policëve në vendngjarje duhet të ketë gjithnjë parasysh situatën ligjore, sjelljen e prokurorisë dhe gjithë rrethanat politike. Dhe sigurisht edhe atë që opinioni publik pret me të drejtë nga policia. Besoj se ky është misioni më i vështirë për t'u përballuar.

A bëhet sa duhet nga policia për të penguar aktet penale si për shembull nxitjen e urrejtjes popullore?

Po, patjetër. Incidenti në Berlin të enjten e kaluar (17.07.2014) ku u dëgjuan parrulla antisemite është krejt qartë rezultat i një keqkuptimi mes Prokurorisë së Berlinit dhe drejtuesve të policisë atje. Kjo ndërkohë është eliminuar. Për ne është e një rëndësie të vecantë që të mos krijohet as përshtypja se policia e toleron një gjë të tillë. Përkundrazi. Nga Flensburgu në Passau, të gjithë bashkëqytetarët hebrenj mund të jenë të sigurt se policia bën gjithcka për t'i mbrojtur. Vetëm se hapësira jonë e veprimit është gjithnjë e kufizuar nga politika dhe drejtësia."

Si pregatiteni për demonstrime si ajo e al-Quds në Berlin të shtunën (25.07.2014)?

Përpara aktiviteteve të tilla janë të rëndësishme informacionet e autoriteteve nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, pasi ajo mbledh të dhëna për shembull për pregatitjen e veprimeve të dënueshme. Vitet e kaluara, sa i takon ekstremistëve islamistë, kemi punësuar shumë studiues të fesë islame të cilët na ndihmojnë të rendisim si duhet të dhënat që janë të vështira të interpretohen.

Si veproni me demonstrimet në të cilat nuk flitet gjermanisht?

Parimisht ne i angazhojmë të gjitha forcat e policisë por në raste të caktuara natyrisht specialistë të cilët e dinë se si klasifikohet ajo që thuhet atje. Fjala është për policië që janë specializuar në vëzhgimin e ngjarjeve të caktuara. Vec kësaj janë edhe punonjës të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës që dinë t'i klasifikojnë ngjarjet dhe t'i vlerësojnë. Nuk duhet reaguar në mënyrë të tepruar por nga ana tjetër nuk duhet të mos dëgjohen, edhe pa dashje, thirrje të caktuara.

A mbajnë uniformë këta punonjës të policisë?

Parimisht pjesa më e madhe e policëve janë qartësisht të dallueshëm si të tillë. Por ka natyrisht edhe forca zbuluese të cilat janë trajnuar në mënyrë speciale nga Enti i Kriminalistikës i landit. Ata nuk dallohen menjëherë.

Rainer Wendt është që prej vitit 2007 kryetar në rang federate i sindikatës gjermane të policisë. Ai është që prej vitit 1973 aktiv në shërbimin policor dhe ka gradën e kryekomisarit të policisë.