1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Weidmann: Eurozona ka nevojë për një mbikqyrës

Në intervistë me DW, Presidenti i Deutsche Bank, Jens Weidmann thotë se një ministër i Financave të Evropës do të ishte me vend. Një reformë e Eurozonës është e domosdoshme.

Në takimin informal të ministrave të Financave dhe të drejtorëve të Bankave Qendrore të Eurozonës u diskutua i ashtuquajturi "dokument i pesë presidentëve". Në këtë dokument, presidentët e pesë institucioneve më të rëndësishme të BE kanë përshkruar përfytyrimet e tyre për thellimin e bashkëpunimit në Eurozonën e përfshirë nga krizat. brenda dhjetë viteve të ardhshme do të ngrihet posti i një ministri të Financave të BE, i cili e përcakton në mënyrë qendrore politikën ekonomike dhe monetare dhe që mund të ndërhyjë në sovranitetin buxhetor të shteteve anëtare. Rreziqet do t'i përballojë bashkësia. Për këto plane pozicionohet Presidenti i Bankës Federale Gjermane, Jens Weidmann:

Deutsche Welle: Zoti Weidmann, ju thoni se pesë presidentë kanë paraqitur një skicë për të ardhmen e Eurozonës, jo një skemë të vërtetë. Çfarë mungon për ta bërë të plotë tablonë?

Jens Weidmann: Në radhë të parë është e rëndësishme që ne të merremi me këto çështje, sepse tani duhet të diskutohet drejtimi në të cilin do të ecë bashkimi monetar. Në thelb, ekzistojnë dy rrugë njëra prej të cilave duhet zgjedhur: nga njëra anë hapi për bashkimin fiskal. Kjo do të thotë vendime të përbashkëta dhe eventualisht edhe përgjegjësi e përbashkët për këto vendime. Rruga tjetër është kthimi në kornizën e Mastrihtit, pra parimi i përgjegjësisë vetjake. Pesë presidentët ecin relativisht qartë në drejtim të centralizimit dhe e kanë përpunuar këtë model.

Pra në moment, për mendimin tuaj, shtetet nuk mbajnë sa duhet përgjegjësi vetjake, po e shtyjnë atë në drejtim të qendrës. Dhe kjo duhet të ndryshojë?

Kur e themeluam bashkimin monetar ne përcaktuam se do ta vendosim së bashku politikën monetare, por në fusha të tjera të rëndësishme të politikës do të vendosim edhe më tej në nivel nacional. Në mënyrë që një sistem i tillë të funksionojë, përgjegjësia për këto vendime duhet të jetë tek shtetet përkatëse. Ky është koncepti i përgjegjësisë, të cilin e njeh çdo sipërmarrës, por i cili ka rëndësi shumë qendrore që Eurozona të funksionojë.

Tani, me një konfigurim institucional të bashkimit monetar ne duhet të kontribuojmë që ky kuadër, të cilin e kemi vendosur dhe që është e drejtë në fuqi, të funksionojë më mirë. Kjo do të thotë që të ndajmë lidhjen midis shteteve dhe bankave. Kjo do të thotë që ta bëjmë në përgjithësi më rezistent sistemin financiar. Por kjo do të thotë edhe që të diskutojmë rregulloren e falimentimit për shtetet. Këta janë të gjithë faktorë të rëndësishëm, në mënyrë që bashkimi ynë monetar të funksionojë edhe më tej si bashkim i stabilitetit.

Njëra nga idetë që prezantohet në dokument është ministri i Financave të Evropës, i cili të luajë rolin e arbitrit. A ka nevojë Eurozona për një institucion të tillë dhe ç'pamje duhet të ketë ai?

Një pikë e rëndësishme, që përmendet në raport, është fakti që rregullat fiskalë nuk kanë funksionuar me të vërtetë dhe prandaj duhet forcuar efekti lidhës i rregullave fiskale. Mbikqyrja e rregullave është detyrë e Komisionit të BE. Por ai ndodhet në një rol të dyfishtë. Nga njëra anë kemi të bëjmë me një funksion politik, nga ana tjetër ai duhet të jetë mbikqyrës neutral.

Propozimi, për të cilin mendohet në raport, të cilin ne e shohim ngjashëm në Bankën Federale, është që do të ishte me vend që ky funksion mbikqyrës t'i përcillej një instance neutrale. Ajo nuk do të ishte e ekspozuar ndaj ndikimeve politike në mënyrë që rregullat fiskale të respektohen vërtet dhe që të mos kërkojmë rrugë, pse të mos i respektojmë ato dhe si mund të justifikohen shkeljet.

Jens Weidmann (47) është prej majit 2011 President i Bankës Federale Gjermane. Weidmann është anëtar i Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane. Ekonomisti ka qenë më parë këshilltar për politikën financiare i Kancelares Angela Merkel.