1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Weichert: Pa përvetësim ligjesh, reformat mbeten sipërfaqësore

Drejtori i fondacionit gjerman "Friedrich Ebert" në Tiranë Michael Weichert mbi zhvillimet e demokracive të reja të rajonit, problemin e ngrirë të Veriut të Kosovës, e shenjat pozitive aktuale nga politika e Tiranës.

Michael Weichert

Michael Weichert

DW: „Forcimi i demokracisë në rajon kriter për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor“ është tema e konferencës që organizon në Tiranë fondacioni gjerman Friedrich Ebert. Duke u shprehur në mënyrë figurative sipas Jush në cilën etapë ndodhen demokracitë në Ballkanin Perëndimor: në moshë foshnjore, në fazën e adoleshencës, apo në rrugën e pjekurisë?

Weichert: Kjo nuk është shumë e thjeshtë ta thuash dhe nuk jam i sigurtë nëse mund të gjendet një formulë për ta shprehur këtë për të gjitha vendet e Ballkanit. Por më shumë do të mendoja se demokracia ndodhet në fazën e adoleshencës. Megjithatë grupe të ndryshme të shoqërisë sigurisht që marrin pjesë në faza të ndryshme të këtij procesi demokratizimi. Parë në tërësi, unë do të thoja se këto janë demokraci në rritje, që ofrojnë shumë mundësi me të cilat ato duhet të përballen, por pjesërisht atoduhet të gjejnë edhe rrugën e tyre për t'i vënë në jetë demokracitë në vendet e tyre.

DW: Pikërisht në mesin e këtyre vendeve kemi të bëjmë edhe me një shtet të ri, minoren, por që ka një problem të madh: Kosova, e cila nuk njihet si shtet nga Serbia. Sipas Jush forume të tilla rajonale si konferenca që ju organizoni në Tiranë sa mund të luajnë rol për uljen e palëve në tryezë, në mënyrë që problemet të zgjidhen në dialog?

Weichert: Ajo që ne shpresojmë të arrijmë nga kjo konferencë është që ndoshta më shumë se herë të tjera të krijojmë më shumë vetëdije, se cilat janë deficitet e procesit të demokratizimit në vendet e veçanta: këto vende ose janë shtete të reja, ose janë vende të rinj në procesin e tranzicionit, apo të rinj në procesin e afrimit me BE-në. Por padyshim që këto janë shtete me traditë dhe me histori dhe me aktorë me përvojë, të cilët një konferencë të tillë mund ta shfrytëzojnë për të reflektuar, se ku ndodhemi në këtë proces.

DW: Së fundi gjithnjë e më shumë po artikulohet si një zgjidhje e mundshme ndarja në pjesën veriore të Kosovës. Sa realiste mund të jetë sipas Jush një zgjidhje e tillë?

Weichert: Mendoj, që kjo është një temë shumë komplekse. Unë besoj, se në kërkim të një rruge drejt një Kosove të stabilizuar duhet të shqyrtohen të gjitha opcionet e mundshme. Dhe të peshohet se cilat avantazhe, apo disavantazhe lidhen me të. Nëse marrim si pikënisje gjendjen, si paraqitet situata tani, duket që Kosova në pjesën veriore të shtetit të vet nuk gëzon sovranitet. Atje gjërat drejtohen dhe koordinohen nga grupe të tjera pushteti dhe interesi. Në këto rrethana shtrohet çështja, nëse kjo gjendje mund të lihet kështu për një kohë të gjatë, apo nëse ka alternativa, që për njërën ose tjetrën palë mund të kërkojnë hapa të dhimbshme, por që në afatgjatë mund të kontribuojnë në stabilizimin e situatës. Unë personalisht nuk jam për opcionin e ndarjes së Veriut të Kosovës, por një diskutim i tillë nuk mund thjesht të injorohet.

DW: Z. Weichert le të ndalemi edhe tek procesi i demokratizimit në Shqipëri. Prej një kohe të gjatë situata është karakterizuar nga tensione në politikën e brendshme, deri në shkallëzimin e situatës në fillim të këtij viti. Tani pas zgjedhjeve të diskutueshme lokale, që përfunduan në verë duket se partitë, kryesisht ato të opozitës po ndjekin një kurs të ri. Mendoni se ato do të kenë sukses?

Weichert: Unë shpresoj, e vlerësoj si mjaft pozitiv zhvillimin pas pushimeve të verës. Ka një përpjekje që debati të jetë konstruktiv duke u përqëndruar më fort tek temat dhe përmbajtja dhe i drejtuar kryesisht në formën e politikës social-ekonomike. Në këtë mënyrë synohet hapja e më shumë rrugëve të përbashkëta për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Për mua kjo është mjaft pozitive dhe shpresoj që kjo mund të çojë në rezultate.

DW: Partia socialiste në opozitë, zhvilloi së fundmi kongresin e saj, ku paraqiti një program të ri. Çfarë është e re në këtë program?

Weichert: Unë e konsideroj pozitive që në këtë program vihet theksi i fortë tek zhvillimi ekonomiko-social i vendit. Pra, çfarë mund të bëhet që njerëzit të ndihmohen për të dalë nga varfëria, ose që të mos bien në varfëri. Pozitiv është fakti që bëhet përpjekja për ta vlerësuar realisht situatën ekonomike të vendit dhe shtetit t'i jepet detyra që të kujdeset më shumë se deri më sot për çështjen e ekonomisë, të vendeve të punës, të sistemit shëndetësor dhe edukimit. Pra këto janë tema konkrete që u përgjigjen direkt nevojave dhe interesave të njerëzve.

DW: Një nga pikat në programin e socialistëve është edhe koncepti për taksën progresive, sistem ky që aplikohet edhe në Gjermani. Mendoni se një sistem i tillë tatimi mund të aplikohet me sukses në Shqipëri?

Weichert: Unë mendoj se po. Përvoja tregon se taksa e sheshtë në fakt çon në disavantazhe sociale. Ndaj mendoj që aplikimi i një tatimi progresiv është më i drejtë në aspektin social duke i garantuar njëkohësisht shtetit të ardhurat e nevojshme nga taksat, në mënyrë që ai të mund të kryejë detyrimet e veta.

DW: BE-ja i ka paraqitur Shqipërisë një paketë prej 12 pikash, përmbushja e të cilave përbën kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. A mund të jetë e mjaftueshme kjo paketë për ta aftësuar Shqipërinë të pranohet në BE, në një kohë që dihet, se Shqipëria nuk ka problem ekzistencën e ligjeve, por moszbatimin e tyre?

Weichert: Nga këndvështrimi i BE-së kjo paketë është e mjaftueshme, sepse në të formulohen kushtet, plotësimi i të cilave mundëson hapjen e negociatave të anëtarësimit. Këto kushte tërheqin vëmendjen për problemet në sektorë të rëndësishëm politikë, ekonomikë e në drejtësi, që ekzistojnë prej shumë kohësh në Shqipëri dhe që duhet të trajtohen urgjentisht. Ndaj unë mendoj, që këto janë sektorë të rëndësishëm dhe duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Por, këtu ju jap të drejtë, përmbushja e këtyre kritereve duhet të ecë paralelisht me një kulturë tjetër politike: Një politikë, e cila të mos synojë krijimin vetëm formalisht të normave dhe institucioneve, duke toleruar paralelisht që norma dhe vendime të tjera të përcaktojnë realitetin. Institucionet dhe normat e vendosura duhet të vihen në jetë, ato duhet të pranohen, ato duhet të zbatohen, të vihen në përdorim. Kjo do të thotë që të mos kemi vetëm miratim ligjesh nga institucionet, qeveria dhe parlamenti, por është i nevojshëm procesi si të thuash i „ownership“, pra që ligjet të përvetësohen. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, pa të cilën reformat do të mbeten sipërfaqësore.

DW: Z. Weichert, BE-ja po përballet aktualisht me një krizë të rëndë financiare. Zanafilla e saj ishte në Greqinë e zhytur në borxhe. A rrezikon ky zhvillim që t'i sprapsë përparimet e bëra deri më tani në procesin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Weichert: Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Unë besoj këtu i kushtohet shumë pak vëmendje pasojave dhe efektit të krizës së BE-së. Kjo në fakt nuk është vetëm një krizë e euros, por një çështje se si BE-ja e konsideron veten dhe çfarë institucionesh i duhen asaj për ta shmangur një krizë të tillë në të ardhmen. Këto çështje do të kenë një peshë jashtëzakonisht të madhe ndaj perspektivës së BE-së dhe perspektivës së zgjerimit të saj. Unë nuk besoj që gjërat do të vazhdojnë kështu si deri më sot, por çështja e anëtarësimit dhe integrimit do të jetë e lidhur ngushtë me vendimin mbi formësimin e ardhshëm të BE-së në përgjithësi. Ndaj ne tani ndodhemi në një fazë, kur duhet ta regjistrojmë këtë dhe të kërkojmë rrugët se si integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të harmonizohet në një paketë të përbashkët me përpjekjet për reformimin e vet BE-së.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi