1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Weichert: Kthimi i opozitës në parlament nuk është njëkohësisht zgjidhja e problemit

Përfaqësuesi i Fondacionit Friedrich Ebert mbi zhvillimet politike në Shqipëri vëren: Të paktën pasojat e vazhdimit të krizës politike ndaj pretendimit për integrim në BE tani për tani janë kapërcyer.

Salla plenare e Parlamentit të Shqipërisë

Salla plenare e Parlamentit të Shqipërisë

DW: Z. Weichert partia më e madhe në opozitë në Shqipëri, PS, pas gjashtë muajsh bojkoti vendosi të futet në Parlament. A mendoni se ky hap i dedikohet ndërmjetësimit nga jashtë?

Weichert : Unë mendoj, se ka pasur shumë faktorë që kanë kontribuar për këtë. Nuk duhet të harrojmë edhe që vetë në Shqipëri ka pasur përpjekje, siç ishte edhe nisma e presidentit Topi, që padyshim ka luajtur një rol të rëndësishëm. Por natyrisht që edhe i ashtuquajturi faktori ndërkombëtar ka luajtur një rol të madh në këtë proces duke kontribuar për këtë rezultat.

DW: A mendoni, se kjo është vetëm një lëvizje shahu, një kalkulim i socialistëve, për të ruajtuar mandatet, pasi së shpejti afati i paraqitjes në parlament do të skadonte? Dhe një pyetje në këtë kontekst: a mos vallë është tashmë e paraprogramuar kriza pasuese, pasi futja në parlament ka si kusht mbajtjen në fuqi të kërkesës për rinumërimin e votave?


Weichert: Pra kemi të bëjmë me dy pyetje: Nga njëra anë sa ka të bëjë me ndonjë kalkulim të mundshëm, në sfondin e skadimit të mandateve, mendoj se edhe kjo datë sigurisht që ka luajtur një rol, pra për të mos rrezikuar mandatet. Çështja nëse këto mandate do të humbisnin, apo jo, ka qenë disi e diskutueshme. Por më shumë synohej që të shmangej ndonjë shkallëzim i mundshëm i këtij konflikti, ndaj mendoj që sigurisht ka pasur një influencë të rëndësishme edhe momenti kur u mor ky vendim.

Sa i përket çështjes tjetër: Kthimi i opozitës në parlament nuk është njëkohësisht zgjidhja e problemit. Ne me siguri do të na duhet të llogarisim se në varësi të detyrave dhe kompetencave që do të ketë komisioni i kërkuar hetimor do të ketë përballje të forta. Por natyrisht ne jemi të mendimit, se është shumë mirë që këto përballje do të zhvillohen në parlament.

DW: Bojkoti si një formë e protestës, duke pasur parasysh që ishte një bojkot gjashtëmujor i parlamentit nga deputetët, të cilët morën votat për të sjellë zërin e zgjedhësve në Kuvend, a është mjeti i duhur dhe a solli kjo diçka?


Weichert: Eshtë e vështirë ta gjykosh, për ne gjermanët p.sh. nuk është një mjet i pranueshëm të bojkotosh parlamentin e ndoshta edhe në shumë vende të tjera veprohet ngjashëm.

Ne duhet të shohim situatën këtu në Shqipëri si dhe në disa vende të tjera të rajonit, ku institucioni i parlamentit ende nuk është i konsoliduar fort, e në radhë të parë funksioni i parlamentit ende nuk është i garantuar në atë mënyrë si në shumë vende të tjera të Evropës. Ndaj nuk do të duhej ta gjykonim këtë nga optika jonë gjermane, nëse kjo formë është një mënyrë e pranueshme e protestës ose jo. Nëse këtë bojkot do ta shohim nga fundi, pra duke u nisur nga momenti i tanishëm atëherë duhet të pranojmë, që pa këtë bojkot nuk do të ishte arritur deri aty që parregullsitë lidhur me zgjedhjet vitin e kaluar të shqyrtoheshin në formë siç pritet tani, aq më tepër me vëmendjen ndërkombëtare që pritet tani.

DW: Z. Weichert, çfarë mendoni se mund të ndodhë pas procesit të hetimit, për më tepër që fjala është edhe për angazhimin e Komisionit të Venecias, në varësi të konkluzioneve që do të dalin, çfarë mund të ndodhë pas këtaj?


Weichert: Unë mendoj se opozita ka bërë të qartë që ajo nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, si rrjedhojë nuk do të ketë ndryshim të ndarjes së votave në parlament. Qëllimi i opozitës është sqarimi i akuzave, apo i parregullsive që ato kanë konstatuar si dhe marrja e masave që të parandalojnë që diçka e ngjashme të ndodhë në zgjedhjet e ardhëshme. Ky është pra qëllimi.

DW: Kriza në politikën e brendshme të Shqipërisë gjatë muajve të fundit u cilësua edhe si një rrezik për proceset e integrimit të vendit në BE. A mendoni se tani ky rrezik është shmangur?


Weichert: BE-ja ka bërë të qartë, që përgjigja ndaj kërkesës për hapjen e negociatave varet nga ajo, që mosmarrëveshjet në politikën e brendshme, pra kriza në politikën e brendshme të kapërcehet. Me kapërcimin e krizës nënkuptohej kthimi i opozitës në parlament dhe që akuzat të sqarohen. Ndaj mendoj, që mund të thuash, se të paktën pasojat e vazhdimit të krizës politike nga situata në parlament ndaj pretendimit për integrim në BE tani për tani janë kapërcyer. Natyrisht që mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më tej dhe se si do të vazhdojë ky proces.

DW: Ju jeni qysh nga janari në Shqipëri si përfaqësues i Fondacionit Friedrich Ebert. Si i vlerësoni në përgjithësi zhvillimet në politikën e Shqipërisë, ose më saktë si e vlerësoni pjekurinë e Shqipërisë për në BE sot?


Weichert: Unë kam punuar në vende të ndryshme të Ballkanit, vende që pjesërisht përballen me sfida të ngjashme sa i përket transformimit dhe integrimit evropian. Unë shoh këtu një diskutim aktiv politik lidhur me qëllimet dhe rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Madje këtu ky debat më duket më dinamik se në disa vende të tjera, gjë që e vlerësoj pozitivsht. Natyrisht që institucionet dhe normat ligjore ende nuk janë të konsoliduara deri në atë masë, sa të mos ndodhin kriza të tilla si p.sh. kjo e fundit. Por unë mendoj, që megjithatë Shqipëria ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm. Unë kam qenë edhe në vitet e mëparshme në Shqipëri dhe mendoj, se mund ta vërej mirë këtë ndryshim. Për më tepër nëse kemi parasysh edhe faktin se nga vjen Shqipëria, sivjet mbushen 20 vjet qëkurse u kapërcye sistemi komunist dhe në krahasim me vendet e tjera fqinje në Shqipëri është e prekshme ajo që është arritur. Por nga ana tjetër vetëkuptohet që shumë njerëz e humbasin durimin dhe janë të pakënaqur, e natyrisht që mbetet shumë për t'u bërë. Por besoj se kjo është normale.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 25.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MBM2
  • Data 25.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MBM2