1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Weiß (CDU) kërkon rezultate konkrete

Në një intervistë për DW, deputeti i kristiandemokrat gjerman, kryetar i grupit parlamentar për Evropën Juglindore, Peter Weiß, kërkon nga Beogradi rezultate konkrete në bisedimet me Kosovën.

DW: Zoti Weiß, ju bëni pjesë tek ata anëtarë të Bundestagut që e njihni shumë mirë Kosovën, historinë e saj dhe gjendjen aktuale të saj. Si e vlerësoni gjendjen në Kosovë pas zhvillimeve të fundit në veri dhe aksioneve të lëvizjes Vetëvendosje?

Peter Weiß: "Si ne gjermanëve, ashtu edhe evropianëve na brengos situata në veri të Kosovës, së pari sepse e dimë që anëtarët e krimit të organizuar, qofshin ata serbë, shqiptarë apo kriminelë të nacionaliteteve të tjera për aktivitetet e tyre po e shfrytëzojnë intensivisht dhe në të njëjtën masë veriun e Kosovës. Për këtë arsye unë mendoj se ekziston një interes i përbashkët për vendosjen e rendit dhe të kontrollit shtetëror në këtë pjesë të Kosovës. Së dyti: Bashkimi Evropian po ndërmjetëson bisedimet teknike mes Serbisë dhe Kosovës, pavarësisht faktit që Serbia nga këndvështrimi i saj nuk mundet dhe nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ne presim si nga qeveria serbe, ashtu edhe nga qeveria kosovare që në çështjet që kanë të bëjnë me bashkëjetesën të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, një modus vivendi, që natyrisht në të ardhmen do të garantonte edhe funksionimin e organeve shtetërore në Kosovë, veçanërisht në veri të saj. Unë vetëm mund të shpresoj që tek të dyja palët të mbizotërojë arsyeja, që është mëse e nevojshme, dhe që ato të jenë në gjendje t'i venë nën kontroll forcat, të cilat e nxisin tani situatën konfliktuoze."

DW: Çfarë duhet të kenë parasysh palët, Beogradi dhe Prishtina, kur dihet se në mars pritet të vendoset nëse Serbia i ka përmbushur kushtet e duhura për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarsim në BE?

Peter Weiß: "Së pari ne e kemi bërë të qartë, që Serbia mund të marrë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian vetëm nëse arrin rezultate konkrete në bisedimet teknike me Kosovën. Nga ana tjetër edhe Kosova, më saktësisht qeveria e Kosovës e di që pa pjesëmarjen e Serbisë dhe pa qetësimin e situatës në veri, perspektiva evropiane për Kosovën nuk do të hapet as në dekadat që vijnë. Pra, nëse Serbia dhe Kosova dëshirojnë që të shkojnë drejt Evropës, atëherë është e domosdoshme një marrëveshje për çështjet e diskutueshme për veriun e Kosovës.

DW: Për qeverinë serbe çështja e Kosovës është me rëndësi si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtme. Ende dëgjohen zëra, sipas të cilave Beogradi sheh si zgjidhje të mundshme të problemit ndarjen e Kosovës. Zoti Weiß ju e keni vizituar Serbinë para dy muajsh, a besojnë atje me të vërtetë se një gjë e tillë është e mundur, apo është kjo thjeshtë një lojë e brendshme politike?

Peter Weiß: "Në bisedimet e ndryshme politike që unë kam pasur, ndarja e Kosovës është propozuar vetëm nga ministri i Brendshëm i Serbisë (Ivica Daçiq) dhe nga askush tjetër me përgjegjësi politike. Unë besoj që duhet t'i shohim realisht këto aspekte: së pari - secili ndryshim i kufijve në mes të shteteve të ish-Jugosllavisë, apo secili ndryshim i kufijve në përgjithësi në Ballkan automakisht nxit hapjen e çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me kufijtë. Çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet e izoluar nga çështja e ruajtjes së Maqedonisë, dhe as nga propozimi i Vetëvendosjes për një Shqipëri të madhe. Nëse ndodh kështu shtrohen shumë pikëpyetje... D.m.th. ne mund të përjetojmë një efekt domino, por askush që është i interesuar për një zhvillim paqësor nuk mund ta dëshirojë këtë. Së dyti: nëse Serbia, nëse Kosova dhe shtetet tjera të Ballkanit perëndimor vërtetë zgjedhin rrugën për në Evropë dhe synojnë integrimin në Bashkimin Evropian, atëherë ato duhet ta kenë parasysh që fryma dhe qëllimi i Bashkimit Evropian është zbehja e domethënies së kufijve shtetërorë. Kjo do të thotë që qëllimi i Bashkimit Evropian është një sistem i kufijve të hapur, i tregtisë së lirë, i shkëmbimit të lirë të shërbimeve dhe personave. Ndaj unë besoj që kjo duhet të merret parasysh kur të diskutohen çështjet e kufijve. Është e vërtetë që si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë shkaqet në politikën e brendshme i dominojnë në masë të gjerë qëndrimet e qeverive të këtyre vendeve. Por, unë kam përshtypjen, që këtu ka edhe një vlerësim të gabuar: Nëse qeveria serbe mendon që për shkak të pozicioneve të partive radikale në Serbi, të kufizojë aftësinë e saj vepruese, atëherë ajo i forcon edhe më shumë radikalët. Poashtu jam i bindur që partitë kosovare, pala kosovare, nëse nuk ndjekin një politikë të qartë dhe të vendosur të integrimit evropian e forcojnë Vetëvendosjen në idenë e saj për Shqipërinë e madhe."

Intervistoi: Esat Ahmeti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora