1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weiß: Serbia dhe Kosova të rregullojnë çështjet praktike

3 Maj 2012

Në një intervistë për DW, kryetar i grupit parlamentar për EJL në Bundestagun gjerman, Peter Weiß (CDU), kërkon që qeveritë në Prishtinë dhe Beograd të biejnë dakord për një modus vivendi për Veriun e Kosovës.

https://p.dw.com/p/14odK
Fotografi: Sokol Maloku

DW: Zoti Weiß, Veriu i Kosovës ka qenë që prej përfundimit të luftës një vatër konflikti për Kosovën. Ndërkohë javët e fundit vërehet një përshkallëzim i gjendjes. Si i vlerësoni ju zhvillimet e fundit në Kosovë?

Peter Weiß: "Përshkallëzimi i ditëve të fundit i cili ndoshta do të ketë ngritje deri në ditën e zgjedhjeve në Serbi e ka origjinën e tij në faktin që statusi i Veriut të Kosovës është ende i diskutueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht as në bisedimet teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk janë arritur ende rezultate të kënaqshme dhe kjo tregon se është urgjentisht e nevojshme që qeveritë në Prishtinë dhe Beograd të bien dakord për një modus vivendi për Veriun e Kosovës. Përndryshe sa herë që të ketë zgjedhje në Serbi apo sa herë që të ketë zhvillime të reja do të paraqiten edhe vështirësi të reja dhe situatat e tilla para së gjithash do të shfrytëzohen nga përkrahësit e nacionalizmit nga të dyja palët."

DW: Gjermania dhe Austria kanë reaguar duke dërguar ushtarë shtesë në Veriun e Kosovës. Por çfarë mund të bëjë Gjermania dhe Perëndimi në përgjithësi për një gjendje stabile në Kosovë përveç dërgimit të trupave atje?

Peter Weiß: "Dërgimi i ushtarëve është një masë emergjente në mënyrë që KFOR-i të arrijë të përmbushë detyrat e tij, që të përkujdeset për sigurinë dhe rendin në Kosovë. Ne gjermanët më me dëshirë do t'i kthenim ushtarët tanë në shtëpi. Ka kohë që Bashkimi Evropian angazhohet që bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit të shpien në rezultate konkrete. Kur flas për rezultate konkrete nuk mendoj në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e serbëve, sepse për këtë politika serbe aktualisht e ndoshta edhe për një kohë të gjatë nuk do të jetë në gjendje, por dëshira jonë është që Serbia me Kosovën të rregullojnë çështjet praktike të bashkëjetesës. Këtu bën pjesë edhe të bëhet e qartë se kur dhe në çfarë rrethanash mund të dalin serbët në zgjedhje në Veri të Kosovës. Për aq kohë sa do të zgjasë gjendja aktuale ku Serbia sillet sikur ajo pjesë në mënyrë të vetkuptueshme është pjesë e Serbisë dhe qyterarët dhe qytetaret e atjeshme mund të votojnë për parlamentin e Serbisë dhe nga ana tjetër Kosova insition që kjo është një shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe një shkelje e integritetit territorial të Kosovës, atëherë do të përjetojmë debate të tilla. Unë besoj që Bashkimi Evropian në fund të fundit nuk mund të diktojë dhe nuk dëshiron që të diktojë se si duhet të duken këto raporte. Plani i Ahtisarit ka treguar disa mundësi se si Serbia në të ardhmen mund të sigurojë të drejta të veçanta në Veri të Kosovës. Tani të dy qeveritë duhet të bien dakord për një modus vivendi, përndryshe nuk do të ketë qetësi në Veri të Kosovës."

DW: Në Serbi më 6 maj zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Zoti Weiß çfarë ndikimi do të kenë ato në afrimin e mëtejshëm të Serbisë me Bashkimin Evropian?

Peter Weiß: "Unë besoj që këto zgjedhje do të kenë një ndikim shumë të rëndësishëm në afrimin e mëtjeshëm të Serbisë me Bashkimin Evropian. Shumica absolute në parlament ose do të fitohet nga ato forca politike që duan ta çojnë përpara integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të cilat e dinë se duhet ta zgjidhin çështjen e një modus vivendi me Kosovën, pasi ajo është një kusht për integrimin e mëtejshëm, ose shumica do të fitohet nga radikalët të cilët duan të luajnë deri në fund kartën nacionaliste sa i përket Kosovës. Në këtë mënyrë ato do të pengojnë hapat e mëtejshëm të afrimit me BE-në. Prandaj mund të thuhet se këto zgjedhje përcaktojnë edhe fatin e Serbisë në rrugë drejt Evropës".

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Pandeli Pani