1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

WAZ do të shesë kuotën e vet në mediat e Evropës Juglindore

2 Gusht 2010

"Evropa Juglindore nuk është për ne një treg i së ardhmes. Ne nuk duam ta zgjerojmë aktivitetin atje", i tha shefi i koncernit Bodo Hombach gazetës "Handelsblatt".

https://p.dw.com/p/OaNK
Grupi Mediatik WAZ me seli në Esen
Grupi Mediatik WAZ me seli në EsenFotografi: picture-alliance/dpa

Ish-i ngarkuari i BE-së për Ballkanin në të ardhmen do ta shesë kuotën e WAZ-it në media, në rast se ofertat e të interesuarve janë të favorshme. Sipas Hombach WAZ është i gatshëm të shesë pjesën e vet, nëse kushtet janë të përshtatshme. Koncerni i Esenit do t' i shesë qysh brenda këtij viti aksionet në Serbi dhe në Rumani. Deri më sot WAZ është i pranishëm me gazetat e veta në Serbi, në Kroaci, në Bullgari, në Maqedoni, në Rumani dhe në Hungari. WAZ është i pranishëm në tregun e medias në Shqipëri qysh nga viti 2008 me aksione në televizionin "Vizion+".

Gazeta "Handelsblatt" versioni online
Gazeta "Handelsblatt" versioni onlineFotografi: handelsblatt.com

Lamtumra nga Serbia për shkak të grindjes


Në Serbi prej muajsh ka grindje lidhur me kuotën e WAZ-it. "Për WAZ-in s' ka vend në Serbi", është shprehur së fundi ministri serb i Ekonomisë Mladjan Dinkic për gazetën bulevardeske "Novosti", pikërisht një gazetë kjo e koncernit gjigant mediatik të Esenit. Në mes të muajit qershor grupi mediatik nga Esseni WAZ, njoftoi se korrupsioni dhe nacionalizmi në Serbi e kanë penguar në blerjen e gazetës "Vecernje Novosti". Grupit WAZ i përkasin në Serbi gjysma e gazetës beogradase me emër "Politika" dhe shumica e aksioneve në gazetën "Dnevnik" në Novi Sad.

Bodo Hombach shef i Grupit mediatik WAZ
Bodo Hombach shef i Grupit mediatik WAZFotografi: picture-alliance/dpa

BERZH-i duhet pyetur përpara shitjes


Gazeta online "Finanznet" shkruan, se përpara se të shesë aksionet Grupi WAZ do të zhvillojë bisedime edhe me Bankën Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin (BERZH), e cila ka dhjetë përqind të Ost-Holding të Grupit WAZ. Hombach është shprehur, se: "vendet e rajonit janë shumë të ndryshme dhe situata nuk mund të vihet në një emërues të përbashkët." Në biznesin online strategjia mund të jetë ndryshe. Angazhimi mund të jetë i mundur në këtë drejtim.

Autor: (handelsblatt, faznet, dw) / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica