1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Wall Street: përmbajtje apo imazh?

2014 do të hyjë në librin e historisë së Wall Street si viti i superlativave. Për të gjashtin vit radhazi në tregjet amerikane të aksioneve ka vetëm një drejtim. A do të ndodhë zgjimi i madh në 2015?

Papritur Doni u zhduk. Për vite me radhë Doni kishte punuar në parketin e bursës së Nju-Jorkut. Në fund ai u kujdes për hyrjen në bursë të Manchester United. Edhe gjyshi i tij kishte punuar në bursë dhe madje në vitet 1940 luante në ekipin e futbollit të New York Stock Exchange (NYSE). Por ashtu si për shumë aktorë të bursës (broker, trader apo market maker) edhe për Donin nuk ka më vend në këtë sistem tregtie gjithnjë e më të automatizuar. Në verë iu desh të largohej.

Kurset në Wall Street janë duke kaluar nga një rekord tek tjetri. Rreth 35 rekorde shënoi indeksi më i njohur Dow Jones Industrial Average gjatë vitit. Më 3 korrik, një ditë para Independence Day, Dow për herë të parë në historinë e tij u mbyll mbi nivelin rekord 17.000 pikë. Pak para Krishtlindjeve ai ishte në prag të nivelit 18.000 pikë.

Krisat? Çfarë krizash?

Tregjet amerikane nuk u prekën aspak nga krizat globale. Pati disa gërvishtje të vogla në vjeshtë, kur çmimet e naftës ranë brenda një kohe të shkurtër me rreth 50 për qind. Edhe vetë perspektika e një ndryshimi në politikën monetare amerikane nuk i lëvizi investitorët nga kursi i tyre. Në fund të tetorit Banka Federale e SHBA (FED) i dha fund programit të saj të ashtuquajtur QE3, që vazhdonte prej gati dy vjetësh. Në këtë kohë FED kishte blerë për rreth 1600 miliardë dollarë tituj hipoteke dhe obligacione shtetërore. Kjo shumë është afërsisht sa Produkti i Brendshëm Bruto i Indisë.

Forcën SHBA e marrin nga vetja. Vendi është shumë më pak i varur nga eksportet se sa p.sh. Gjermania, Rusia apo Kina. "Rritja është e brendshme dhe bazohet kryesisht në kërkesën e brendshme", e shpjegon rritjen Harm Bandholz, kryeekonomist amerikan pranë UniCredit në Nju-Jork. Së fundi SHBA arritën norma rritjeje ekonomike në rreth 4 për qind. Konsumi reagon ndaj ndikimit në rritje të pasurisë, thotë Bandholz. Nga fitimet në rritje të kurseve të aksioneve amerikanët kanë më shumë para në dispozicion. Pak pas krizës financiare norma e papunësisë kërceu në 10 për qind. Sot kuota është nën 6 për qind.

Vetëm pak përfitojnë

Kjo nuk do të thotë që të gjithë amerikanët janë në gjendje më të mirë sesa para ndërrimit të viteve. Po ashtu as Doni. Pjesëmarrja në tregun e aksioneve në SHBA ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Respektivisht vetëm një pjesë e popullsisë përfiton nga fitimet në Wall Street. 2014 ishte dhe viti i trazirave të mëdha. Kjo vlen edhe për SHBA me trazirat në Ferguson apo Nju Jork. Këto protesta janë shprehje e asaj që shumë amerikanë janë të mendimit se janë të përjashtuar nga rritja e përgjithshme në vend.

Shtypi bulevardesk në Nju-Jork i kushtonte një artikull pak para Krishtlindjeve "Monster Rally" në Wall Street. Ka disa sinjale shqetësuese paralajmëruese të asaj që mund të ndodhë në tregjet gobale të aksioneve në 2015. Javët e fundit pati luhatje masive në tregjet e lëndëve të para, valutave dhe të obligacioneve. Sipas David Welch, i cili është përgjegjës për biznesin në Evropë dhe Lindjen e Afërt pranë Bechtel, çmimet në rënie të naftës do ta ndihmojnë rritjen globale. Bechtel është një nga firmat më të vjetra të ndërtimit në SHBA. Mark Winterhoff, senior partner pranë Roland Berger, pret që çmimet e ulëta të karburantit të ndihmojnë në radhë të parë industrinë e automobilëve.

Pasiguri në treg

Kjo tingëllon premtuese. Por tregjet janë të lidhura me njëri-tjetrin. Korrigjimet e forta në çmimet e naftës, arit, obligacioneve apo valutave mund të infektonin edhe pjesë të tjera të tregut. Veç kësaj një pjesë e madhe e investitorëve pret si dhe më parë që FED të ndërmarrë verën e ardhshme për herë të parë pas shumë vitesh përsëri një rritje të normave të interesit. Se çfarë pasojash do të ketë kjo tek dollari, dhe lidhur me këtë tek borxhet e vendeve në zhvillim dhe zhvillimin e mëtejshëm të çmimeve të lëndëve të para, mbetet të shihet.

Doni ka pak nostalgji për "kohët e arta". Parketi i bursës ngjan paksa me një familje të madhe. Si edhe më parë ka shumë tradita. Kështu tregtarët e mbetur në Wall Street edhe këtë vit dhanë pak para Krishtlindjeve një version të këngës "Wait ´Til the Sun Shines, Nellie". Doni do të kishte qenë me dëshirë pjesë e saj. Ndërkohë ai ka gjetur një punë tjetër. Nëse Rally 2015 vazhdon, nuk e di askush. Por Doni dhe shumë të tjerë e dinë së çdo krizë ka edhe shanset e saj.