1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

271211 Homs Beobachter

28 Dhjetor 2011

Opozitarë dhe veprimtarë për të drejtat e njeriut në Siri kritikuan se vëzhguesit nuk mund të shohin mjetet ushtarake të dhunës, si për shembull tanket, me të cilat regjimi hidhet në veprim kundër popullsisë.

https://p.dw.com/p/13age
Demonstrues djegin pllakatin e presidentit
Demonstrues djegin pllakatin e presidentitFotografi: dapd

Misioni vëzhgues i Ligës Arabe vizitoi të martën për të parën herë qytetin Homs, qendrën e protestës kundër regjimit Asad. Drejtuesi i misionit, gjenerali sudanez Mohammed Ahmed Mustafa el Dabi, u dëshmoi autoriteteve siriane se ishin treguar "shumë bashkëpunuese". Banorë të shqetësuar të Homsit diskutojnë me vëzhguesit e Ligës Arabe, në sfond dëgjohen shpërthime dhe të shtëna.

Misioni vazhdon nga puna

Ata shprehin trazim dhe dëshpërim. "Ejani, shiheni këtë. Ata na vrasin mizorisht" u përgjërohen në video burrat përfaqësuesve të Ligës Arabe. Një grua bërtet: "Duam të burgosurit!" Pas katër orësh misioni i vëzhguesve në Homs ka mbaruar njëherë për njëherë. Ata planifikojnë të vijnë sërish të mërkurën (28.12.). Sipas të dhënave të dëshmitarëve okularë misioni bëri që të ngriheshin në këmbë dhjetëra mijëra banorë të qytetit disamilionësh, të cilët donin të demonstronin rezistencë paqësore kundër regjimit.

Ky i fundit kishte urdhëruar të shtihej mbi lagjet e rrethuara deri pak para mbërritjes së delegacionit 12-anëtarësh, për t'i tërhequr më pas tanket. Omar Shakir, banor i lagjes veçanërisht të prekur Bab Amr: „Ata shtien kuturu, duan të pengojnë që këtu të demonstrojnë dhjetëra mijëra vetë. Shumë tanke i kanë fshehur. Vëzhguesit mbulohen prej forcave të sigurisë. Do të doja që delegacioni të kalonte një ditë te ne, të hante me ne dhe të flinte këtu."

Verletzte in den Straßen von Homs Syrien
Fotografi: dapd

Toleranca dhe transparenca mungon

Opozita, e ndarë në kryengritës paqësorë dhe të armatosur, ka qëndrim skeptik ndaj misionit të Ligës Arabe. Ajo druan se regjimi kërkon të ngjallë një përshtypje të gabuar transparence dhe tolerance. Meqenëse, sipas marrëveshjes me regjimin sirian, vëzhguesve nuk u lejohet hyrja në të ashtuquajtura "instalime ushtarake të ndieshme" (cilido qoftë kuptimi i kësaj), rezistenca druan se atje fshihen gjatë pranisë së vëzhguesve tanke dhe të burgosur. Walid Faris, anëtar i Këshillit të Revolucionit Sirian në Homs: „Në Homs ka ende prani të madhe ushtarake, madje edhe pas mbërritjes së delegacionit. Tanket janë një qoshe më tutje."

Detyra e ekipit arab 150-anëtarësh është mbikëqyrja e dhënies fund dhunës, si dhe lirimi i të burgosurve. Kjo do të ndiqet nga një dialog midis qeverisë dhe opozitës, gjë që ajo e refuzon prerazi. Kjo do të thoshte dështim për misionin.

Raportimet e televizionit sirian

Gjatë vizitës së vëzhguesve media shtetërore bëri të ditur, se terroristët kishin hedhur në erë një gazsjellës në afërsi të Homsit. Sipas saj, vëzhguesit kishin inspektuar në Homs gjithashtu objekte të shkatërruara nga terroristët. Kjo i përputhet tërësisht me vijën e regjimit. Sipas kësaj paraqitjeje nëntë muaj rebelim në Siri nuk janë kryengritje popullore që kërkon rrëzimin e Asadit, po vepër e bandave të armatosura të dirigjuara nga jashtë vendit. Televizioni sirian nuk tregoi pamje banorësh, të cilët u rrëfejnë vëzhguesve për dhunën shtetërore. U raportua për të afërm të vrarësh, të cilët ankohen për një përbetim kundër Sirisë.

Autor: Ulrich Leidholdt/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi