1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vullneti politik vendimtar për garantimin e zgjedhjeve korrekte në 2013 në Shqipëri

2013 është viti i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Komisioni Europian i konsideron këto zgjedhje si provë të demokracisë dhe kusht për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Shqipëria është i pari vend, deri më tani, të cilit BE-ja, në procesin e zgjerimit ia kushtëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, me kryerjen e zgjedhjeve sipas të gjitha standardeve demokratike ndërkombëtare. Kjo jo vetëm nga fakti që zgjedhjet janë një tregues i rëndësishëm i nivelit të demokracisë në çdo vend, por edhe nga kontestimi kronik në Shqipëri i rezultatit nga pala humbëse bazuar në pretendimet për manipulime dhe vjedhje votash. Damian Gjiknuri, ekspert për çështjet zgjedhore në PS, thotë për DW: "Një vend që nuk kryen zgjedhje të lira dhe sipas standardeve ndërkombëtare nuk mund të bëhet pjesë e një klubi vendesh demokratike si janë vendet anëtare të BE-së."

Me përjashtim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1992, të para 20 viteve, Shqipëria nuk ia ka dalë dot mbanë të kryejë zgjedhje të pakontestuara, ku pala humbëse të pranojë rezultatin.

1991 Erste demokratische Wahlen in Albanien

Zgjedhjet e para pluraliste në 1991 Shqipëri

Vullneti politik – Alfa dhe omega për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 kanë disa parakushte që kjo traditë të ndryshojë për mirë. Ato do të kryhen me një Kod Zgjedhor të reformuar sipas rekomandimeve dhe sugjerimeve të OSBE/ODIHR-it. Reformimi i tij është bërë me konsensus mes dy forcave politik e kryesore PD- PS. Por a është ky Kod një garanci e mjaftueshme që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme? "Kodi elektoral i reformuar ka mbyllur shumë shtigje për abuzime, por ai nuk mund të zëvendësojë në asnjë rrethanë sjelljen njerëzore. Është vullneti politik, siç e ka cilësuar edhe faktori ndërkombëtar, alfa dhe omega e garancisë së zbatimit të ligjit. Po u zbatua ligji, kodi elektoral, me vullnet të mirë politik dhe bashkëpunim mes palëve do të jetë e mundur që zgjedhjet të përgatiten mirë dhe me një rezultat të pakontestuar nga pala humbëse", thotë Z.Gjiknuri.

Ligji i reformuar u lë hapësira ndërhyrjeje partive të mëdha

Kristaq Kume, ekspert për sistemet zgjedhore, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mendon se Kodi i reformuar u ka lënë hapësira të gjera për ndërhyrje dy partive të mëdha politike PD-PS, pasi në të nuk është plotësuar rekomandimi i OSBE/ODIHR-it për ta shmangur këtë ndërhyrje. "Ligji elektoral i reformuar nuk i ka ngushtuar hapësirat për ndërhyrje të dy partive të mëdha poltike dhe kjo e rrezikon procesin", thotë Kume.

Zgjedhjet e vitit 2013 janë zgjedhjet e teta parlamentare që nga shembja e regjimit komunist në Shqiperi, në shkurt të vitit 1991.