1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vuçiç në zenit, Serbia në venitje - Shtypi gjerman për Serbinë

Fitore me rreziqe: Shtypi gjermanofon i kushton vëmendje rezultatit të zgjedhjeve të parakoshme në Serbi që nxorrën si fitues zëvendëskryeministrin e deritanishëm, Aleksandar Vuçiç.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" në artikullin "Të plotpushtetshëm drejt Europës" nënvizon se me zgjedhjet e parakohshme, zëvendëskryeminstri i kontestuar, Aleksandar Vuçiç synon të zgjerojë influecën në vendin e tij. "Që para publikimit të rezultatit të zgjedhjeve, Vuçiç që e filloi karrierën si ministër i Informacionit nën autokratin Millosheviç, pyeste veten thjesht se sa i madh do të ishte pushteti i tij. Ky ishte qëllimi i vetëm në këto zgjedhje në vendin më të madh të Ballkanit. Pasi nuk kanë kaluar as dy vite nga koha kur serbët e kishin zgjedhur qeverinë e re. Qeveria e koalicionit mes partisë përparimtare (SNS) e asaj socialiste e Ivica Daçiç, e dalë nga zgjedhjet e korrikut 2012 ishte një koalicion i limituar në kohë. Vuçiç u zgjodh zëvendëskryeministër dhe kreu i shërbimeve sekrete dhe ia la Daçiçit detyrën e kreut të qeverisë dhe negociatat me Kosovën, aspak popullore në Serbi."

Më tej "Süddeutsche Zeitung" vëren se mbetet "e hapur se cilin partner do të krijojë koalicioni Vuçiç, që t'i sjellë atij më shumë se dy të tretat në parlament. Vetëm kështu Vuçiç mund të ndryshojë kushtetutën serbe dhe paragrafin përkatës, që e sheh Kosovën deri më tani si pjesë të Serbisë. Një sërë politikanësh europianë duket se do të vërë ndryshimin e këtij paragrafi dhe njohjen e plotë të Kosovës si kusht për futjen e Serbisë në BE."

Serbia nuk mund ta financojë më shtetin e fryrë

Më tej gazeta gjermane i kushton vëmendje problemeve akute të Serbisë. "Problemet e Serbisë i ngjasojnë atyre të Greqisë. Një aparat i fryrë shtetëror, i korruptuar, favore shkatërruese, qindra firma shtetërore që dalin me humbje dhe janë në dorën e funksionarëve partiakë, një burokraci mbytëse, ligje pune aspak të përshtatshme me kohën, media të kontrolluara dhe një sistem arsimi i vjetëruar.

Ndërsa gazeta zvicerane "Neue Zürcher Zeitung" i kushton vëmendje rigjenerimit ekonomik të Serbisë. "Aleksandar Vuçiç paralajmëron popullatën për kohë të vëshira...Sigurisht ka shumë reforma që duhen ndërmarrë. Më shumë se 1000 firma edhe dy dhjetëvjeçarë pas shpërbërjes së rendit ekonomik jugosllav gjenden ende nën pronësi shtetërore, 600 prej tyre nuk dalin me rendiment. Pikërisht këto firma e rëndojnë buxhetin publik me 1 miliardë euro në vit....Nga ana tjetër sektori publik punëson 800.000 persona, gati gjysma e të punësuarve në të gjithë vendin. Aparati shtetëror kushton shumë. Pagat dhe pensionet përbëjnë 60% të shpenzimeve buxhetore në Serbi. Shembull negativ është edhe sistemi arsimor. Ndërkohë që numri i nxënësve nga viti 2000 ka rënë 22%, në të njëjtën kohë është rritur numri i mësuesve të punësuar me 15%. Serbia nuk mund të financojë më këtë shtet të fryrë."

Popullariteti i Vuçiçit - Lart ose rënie keqazi

"Neue Zürcher Zeitung" i kushton vëmendje edhe popullaritetit aktual të Vuçiçit, i cili nuk harron në asnjë fjalim të përmendë sfidat që e presin Serbinë. "Kreu i qeverisë ndodhet në një moment të tillë popullaritetit, sa që në perceptimin medial ai shihet si profet. Por ky popullaritet mund të bjerë menjëherëm po qe se mbyllen një duzinë firmash të dështuara gjë që do ta rriste fort numrin e të papunëve. Nëse Vuçiç është i përgatitur për këtë nuk dihet. Dyshime duhen pasur. Kështu kreu i SNS-s që prej dy vitesh njeriu më me influencë në qeveri e ka pasur në dorë të bëjë diçka kundër keqdrejtimit në firmat shtetërore. Por konkretisht ai ka bërë pak."

Ndërsa revista gjermane "Focus" online ka shkruar se fitorja e Aleksandar Vuçiç ka tronditur nga themelet peizazhin politik në Serbi. "Njeriu i fortë i Ballkanit, deri më tani zëvendëskryeministër, Aleksandar Vuçiç ka arritur një mazhorancë absolute me partinë e tij. Tani SNS duhet të tregojë nëse ia del vërtet të zgjidhë problemet e vendit. Por ajo nuk ka ekspertët e nevojshëm për një politikë reformuese të thellë.