1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vritet ushtari izraelit në kufi me Libanin

Një incident me pasoja fatale ka ndodhur në Lindjen e Mesme: një ushtar izraelit është vrarë në kufi me Libanin. Tani ekziston rreziku i përshkallëzimit të situatës.

Siç njoftoi ushtria izraelite, ushtari ishte duke kaluar rrugës me makinë pranë kufirit Rosh Hanikra, kur ai u qëllua nga një snajperist libanez dhe u plagos rëndë. Ushtari ka vdekur më pas në spital nga plagët e marra. Portali i lajmeve Ynet raportoi duke cituar qarqet e ushtrisë se në drejtim të makinës është qëlluar "gjashtë ose shtatë herë".

Izraeli nuk do të tolerojë një agresion të tillë, prandaj i rezervon vetes të drejtën për vetëmbrojtje, theksoi një zëdhënës i ushtrisë. Trupat përgjatë kufirit janë vënë në gatishmëri të lartë.

Protesta pranë UNIFIL

Ushtria ka dorëzuar një protestë zyrtare pranë misionit të OKB-së në Liban ( UNIFIL ). Një zëdhënës i UNIFIL-it tha se janë në kontakt me të dyja palët për të shmangur një përshkallëzim të dhunës. Automjeti izraelit thuhet se në kohën, kur është qëlluar, ka ndaluar në të ashtuquajturin rripin e kaltër të sigurisë, që është përcaktuar si një zonë për të garantuar një distancë të caktuar në mes të forcave të armatosura të të dy vendeve .

Gjendje alarmi edhe në Liban

Arsyet për sulmin janë ende të paqarta. Pala libaneze deri tani nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare. Nga ushtria e Libanit u raportua se kishin humbur kontaktin me snajperistët. Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi se një ushtar hapi zjarr ndaj një automjeti izraelit, pasi që kishte provuar të depërtojë në Liban në afërsi të Naqura-s. Sipas të dhënave të transmetuesit shtetëror Tele Liban ushtria libaneze është vënë në gatishmëri të lartë.

Në vitin 2006 në kufirin libanez milicia libaneze Hezbollah dhe ushtria izraelite kanë zhvilluar një luftë 34 ditore. Me këtë rast forcat ajrore izraelite kishin bombarduar edhe bastionet e Hezbollahut në kryeqytetin libanez Bejrut. Që atëherë misioni i OKB-së UNIFIL përkujdeset për monitorimin e armëpushimit. Në mision është përfshirë me 150 marinarë edhe Bundeswehri gjerman. Ata duhet të parandalojnë kontrabandën e armëve në brigjet e Libanit .