1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vrasjet kontroverse në Ukrainë mbjellin urrejtjen

Vrasja e një politikani të opozitës proruse dhe e një gazetari në Kiev kërcënojnë ta ndajnë edhe më shumë Ukrainën. Ndërsa disa i vënë gishtin Moskës, të tjerët shajnë qeverinë.

Bën shumë ftohtë. Një shi i fortë me breshër bie mbi karafilat e kuq para një shtëpie me shumë kate. Një grua e moshuar kalon përbri, ndalon hapin dhe ngre përsëri qirinjtë e rrëzuar nga era. Në këtë vend, jo larg qendrës së Kievit, u vra të enjten e kaluar publicisti ukrainas Oles Busina, në mes të ditës.

Armiqësi për shkak të pikëpamjeve proruse

"Unë e respektoj atë", thotë gruaja, një fqinje, që do të mbetet anonime. "Ai ka thënë të vërtetën, prandaj e kanë vrarë." Ajo e ka fjalën për ato, që janë në pushtet në Ukrainë që prej revolucionit. Busina ishte kundërshtar i tyre. 45 vjeçari shkruante libra, komente në gazetë dhe ishte një ithtar i apasionuar i një Ukraine si pjesë e "perandorisë ruse". Së fundi ai u sulmua verbalisht për shkak të paraqitjeve në emisionet ruse.

Ai ka thënë të vërtetën, gazetari i vrarë Busina

"Ai ka thënë të vërtetën", gazetari i vrarë Busina

Një tjetër grua fqinje, që kalon aty me qenin e saj, mendon se shërbimet sekrete ruse janë fajtorë për vrasjen e Businas-s. "Presidenti Putin e ka marrë vesh më parë se ne", thotë gruaja në fillim të të pesëdhejtave dhe ngre supet. Në fakt shefi i Kremlinit u pyet lidhur me këtë në një emision live te televizionin rus rreth një orë pas vrasjes në Kiev. "Shumë në shtëpinë tonë nuk kanë qenë dakord me pikëpamjet e Busina-s, por ne jemi marrë vesh mirë, nuk ka patur kurrë konflikte", thotë fqinja.

Shërbimi sekret dyshon për letrën, që pranon autorësinë

Vrasja e gazetarit është tepër e ndjeshme. Sepse një ditë më parë, të mërkurën në mbrëmje, në kryeqytetin e Ukrainës u vra politikani opozitar Oleh Kalashnikov. Edhe ai mbronte pikëpamje proruse. 52 vjeçari kishte qenë më parë deputet i Partisë proruse të Rajoneve. gjatë protestave opozitare properëndimore në Kiev në dimrin 2013/14 Kalashnikov mori pjesë në mitingun e kundërt, në të ashtuquajturin "Anti-Maidan". "Këtu po bëhen përpjekje për një grusht shteti", tha ai në janar 2014 për DW. Aktivistët ukrainas në Maidan Kalashnikov i pati quajtur atëherë "radikalë dhe terroristë".

Vendi në Kiev, ku u vra gzetari prorus Oles Busina

Vendi në Kiev, ku u vra gzetari prorus Oles Busina

A duhej që Busina dhe Kalashnikov t'i paguanin me jetë pikëpamjet e tyre politike? Për këtë pyetje diskutohet shumë në Ukrainë këto ditë. Gjoja një grup nacionalistësh ukrainas ka marrë përgjegjësinë përmes një letre për këto dhe të tjera të vrasje të politikanëve prorusë. Grupi e quan veten UPA, një shkurtim për "ushtrinë kryengritëse ukrainase". Një organizatë e tillë ka ekzistuar me të vërtetë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Ukrainën perëndimore. Ajo luftonte kundër Bashkimit Sovjetik, por disa anëtarë të saj bashkëpunonin me Gjermaninë naziste. Shërbimi sekret ukrainas SBU e konsideron letrën falsifikim.

Politikania opozitare nën mbrojtjen e policisë

Vrasjet e Businës dhe Kalashnikovit janë kulmi i një serie të tërë vrasjesh. Mediat ukrainase numërojnë rreth një duzinë vrasjesh dhe vetëvrasjesh të përfaqësuesve të pushtetarëve të dikurshëm më pak se brenda një viti. Prandaj qeveria po merr tani masa të pazakonta

Politikanes së opozitës Olena Bondarenko i jepet mbrojtje policore. "Unë jam larguar nga Kievi", i thotë ajo DW në telefon. Për vendndodhjen e saj aktuale ajo nuk deshi të shprehej. Deputetja 41-vjeçare, anëtare e Partisë së Rajoneve, është e njohur për pikëpamjet e saj proruse. Por me sa duket ajo nuk e sheh veten në rrezik akut. "Tani policia është më e shqetësuar për mua se unë vetë", thotë ajo.

Bondarenko sheh një lidhje mes vrasjeve të fundit në Kiev dhe rasteve të mëparshme: "Ata ishin të gjithë kundërshtarë të qeverisë." Politikania e opozitës mendon se është e parakohshme për të spekuluar në lidhje me organizatorët, por sheh një përgjegjësi të qeverisë. Kështu Kievi nuk mund të garantojë "sigurinë e qytetarëve të tij dhe politikanëve të opozitës."

Kjo nuk është e re. Sidomos në 1993 dhe 2005 në Ukrainë ka patur vazhdimisht vrasje të diskutueshme. Politikanë të njohur opozitarë, biznesmenë, por edhe gazetarë janë vrarë nga njerëz të armatosur, kanë gjetur vdekjen në aksidente, apo kanë kryer gjoja vetëvrasje. Shumica e rasteve nuk janë sqaruar kurrë plotësisht.

Ndjehet një valë e re urrejtjeje

Dy vrasjet e fundit e acarojnë atmosferën gjithsesi të tensionuar në Ukrainë. Në fillim të prillit parlamenti në Kiev miratoi disa ligje të diskutueshme, që ndalojnë ndër të tjera simbolet komuniste dhe

Edhe Oleg Kalashnikov kishte pikëpamje proruse

Edhe Oleg Kalashnikov kishte pikëpamje proruse

nderojnë nacionalistët ukrainas. Sidomos në lindje dhe jug të Ukrainës këto ligje ndeshën në kritika të shumta. Në televizion apo në rrjetet sociale, përçarja e shoqërisë bëhet gjithnjë e më e dukshme. Jo rrallë madje edhe aktivistët ukrainas dhe qytetarët e zakonshëm përshëndesin vrasjen e politikanëve prorusë, të cilët ata i konsiderojnë "tradhtarë".

Publicistë të respektuar, si Serhij Racmanin nga gazeta ditore e Kievit "Dserkalo tyschnja" (Pasqyra javore), bënë thirrje ndërkohë për tolerancë. Nëse një pjesë e popullatës i gëzohet thirrjeve për vrasje, shkruante Rahmanin në edicionin e fundit, kjo është një "dhuratë për Kremlinin". Apele të tilla megjithatë duken se kanë pak efekt.