1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vrasjet e romëve në Hungari: Zbulime të reja, kompensim i vonuar

Hetimet për vrasjen e romëve në vitet 2008/2009 janë rihapur. Do të hetohet gjithashtu dështimi i hetimeve fillestare. Ky është një gjest i rëndësishëm për komunitetin Rom.

Presioni i aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe avokatëve ka dhënë efektin e tij: "Zyra Kombëtare e Hetimit" (NNI), autoriteti policor kryesor hetimor i Hungarisë, që trajton më shumë rastet e dyshuara për terrorizëm dhe rastet e cënimit të sigurisë kombëtare, do të rinisë hetimet për çështjen e vrasjes së romëve në vitet 2008/2009, ku disa prej të përfshirëve në vrasje sot janë të lirë.

Ungarn Prozess Urteil rassistische Morde an Roma

Gazetarë dhe familjarët e viktimave para Gjykatës në Budapest

Ekstremistët e djathtë në këto dy vite vunë nëntë zjarre ku humbën jetën gjashtë romë, ndërsa 55 të tjerë, po romë, morën plagë të rënda. Ata u arrestuan në gusht të vitit 2009 dhe procesi kundër tyre filloi në fillim të vitit 2011. Ndërsa në gusht të këtij vitit u dha vendimi përfundimtar: tre prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa një bashkëpunëtor me 13 vjet burg. Te gjithë të dënuarit apeluan vendimin.

Një gjest për viktimat

Pavarsisht kësaj Prokurori i Përgjithshëm i Hungarisë urdhëroi të hetohej edhe ushtria. Supozohet se shërbimet sekrete të ushtrisë janë të përfshira në vrasjen e romëve. Aktivistët e të drejtave të njeriut në Hungari, ashtu si aktivisti rom Aladár Horváth, e vlerësojnë këtë lajm si "të vonuar, por një veprim i mirëpritur" i qeverisë në respekt të viktimave.

Ministri hungarez i Burimeve Njerëzore Zoltán Balog deklaroi se qeveria do të dëmshpërblente viktimat e mbetura në jetë nga sulmet dhe familjet e viktimave, sepse shteti Hungarez mbante një pjesë të përgjigjësisë për vrasjet. Balog akuzoi se edhe qeveria social-liberale e asaj kohe ishte e përfshirë. Çështja është shumë e vështirë sepse është hera e parë që një ministër hungarez bën shtetin përgjegjës dhe se dëmshpërbilimi është një detyrim ndaj viktimave.

Ungarn Demonstation Rechtsextreme

Marshim i ekstremistëve të djathtë në Hungari

Zbulimet e reja

Duke parë se çfarë ndodhi përgjatë dhe pak pas vrasjeve, qeveria hungareze duhet të japë përgjigje për shumë të dhëna skandaloze të zbuluara gjatë hetimeve. Vetëm pasi ishin vrarë katër romë, mes të cilëve një djalë katër vjeç, hetimet për ngjarjet e ndryshme u bashkuan në një. Për muaj të tërë ekstremistët e djathtë nuk u konsideruan si autorë të mundshëm dhe policia ndonjëherë kishte prishur me qëllim provat në vendin e ngjarjes. Një gjë të tille e vërtetuan edhe analizat e ADN, që treguan se përveç katër të arrestuarve janë edhe disa të tjerë të përfshirë në vrasjet e romëve. Ata janë njerëz të lirë sot. Sidoqoftë hetimet për bashkëpunëtorë të tjerë u mbyllën.

Por kjo nuk është gjithëçka: Shërbimet sekrete hungareze kishin nisur vëzhgimin e dy prej autorëve të vrasjeve pak para se ata të kryenin krimet. E pa sqaruar mbetet pyetja se sa dijeni kishte shërbimi sekret më pas për vrasësit dhe nëse ky informacioni nuk i ishte dhënë qëllimisht hetuesve. Edhe shërbimi sekret ushtrarak përmes një oficeri të lartë drejtues kishte kontakt me një bashkëpunëtor të vrasjeve. Vetëm së fundmi u zbulua se ky oficer i lartë kishte dhënë një dëshmi false gjatë procesit gjyqësor.

Letra e hapur që zgjoi Orbanin

Politikani liberal József Gulyás, i cili ishte pjesë e një komisoni hetimor parlamentar për vrasjet, përshëndet rezultat e reja të hetimeve dhe shpreson që "më në fund të shpjegohet përfshirja e autoriteteve". Gulyás cilësoi edhe premtimin për ndihmën ndaj viktimave si "një gjest me mjaft vlera", sepse "nuk është e zakonshme që Hungaria" tu vijë në ndihmë viktimave Rome.

Ungarn Prozess Urteil rassistische Morde an Roma

Protestë kundër diskriminimit të romëve

Ky vendim i qeverisë hungareze vjen pasi aktivistët e të drejtave të njeriut dhe avokatët e viktimave të mbijetuara, gjatë muajve të fundit theksonin gjithnjë e më tepër se ata jetonin në kushte jetese mizerabël. Përveç të tjerave avokati László Helmeczy, i cili gjatë procesit mbronte viktimën Jenö Kóka të vrarë në vitin 2009, i drejtoi një letër të hapur prekëse kryeminsitrit hungarez Viktor Orbán. Helmeczy i përshkruante si mizerabël kushtet e jetesës së viktimave të mbijetuara nga sulmet dhe i sugjeronte Orbánit një ndihmë sa më të shpejtë.

"Fakti që viktimat tani do të marrin një kompensim, për mua është një gjest ndershmërie i qeverisë", thotë aktvisti rom Aladár Horváth. "Duke parë edhe zgjedhjet parlamentare vitin tjetër, ky është një sinjal i qartë se qeveria aktuale dënon diskriminimin e romëve nga ekstremistët e djathtë."