1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Votë e qartë për mbrojtjen e klimës

Përparime në luftë kundër ngrohjes së tokës i kishte vënë vetes si synim kancelarja Merkel: udhëheqësit e G-7-ës të mbledhur në Bavari e respektuan mendimin e saj.

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të G-7-ës ranë dakord në takimin e nivelit të lartë në Elmau të Bavarisë së Epërme për të arritur një objektiv të detyrueshëm kundër ngrohjes së klimës. Me këtë ata duan të arrijnë një parakusht mininal, në mënyrë që konferenca e klimës e OKB-së në dhjetor në Paris të ketë sukses. Para së gjithash mikpritësja, kancelarja Angela Merkel nguli këmbë për një deklaratë të qartë për mbrojtjen e klimës. Për këtë nevojiten ndryshime të thella, deklaroi Merkeli në fund para shtypit.

U ra dakord edhe për synimin global të një "dekarbonizimi", tha kryetarja e CDU-së. Nga G-7-a u ra dakord që "gjatë këtij shekulli" të bëhet i mundur funksionimi i ekonomisë botërore pa përdorimin e bartësve fosilë të energjisë si qymyri dhe nafta. Në termocentrale përdorimi i qymyrit dhe naftës do të reduktohet në mënyrë masive, më e vonta që prej vitit 2050.

TTIP: më e rëndësishmja deri në fund të vitit

BE dhe SHBA duan t'u japin më shumë gjallëri bisedimeve të tyre për një marrëveshje të tregtisë së lirë (TTIP). "Ne do ta shpejtojmë menjëherë punën për të gjitha aspektet e TTIP", kjo ishte deklarata që u bë në takimin e nivelit të lartë. BE dhe SHBA duan të arrijnë "sa më shpejt që të jetë e mundur" një dakordim për parimet bazë të një marrëveshjeje, "më e mira do të ishte deri në fund të vitit", shkruhet në dokument.

Rritje e presionit kundër Moskës

Shtetet e G-7-ës u treguan të vendosura që t'i forcojnë sanksionet kundër Rusisë, nëse gjendja në Ukrainën Lindore shkallëzohet më tej. Aneksimi i Krimesë u dënua njëzëri si në kundërshtim me "të drejtën ndërkombëtare", bëri të ditur Merkel. Vazhdojnë edhe më tej përpjekjet për një zgjidhje politike të konfliktit në bazë të Marrëveshjes së Minskut. Perëndimi e akuzon Moskën se mbështet separatistë prorusë në Donbas për ta destabilizuar në këtë mënyrë vendin. Rusinë e përjashtuan nga Grupi i G-8-ës pas aneksimit të gadishullit të Krimesë. Po këtë muaj, BE duhet të vendosë nëse do t'i zgjasë sanksionet kundër Moskës.

Pjesëmarrësit e takimit të nivelit të lartë pritën të hënën (08.06.2015) edhe gjashtë kryetarët e shteteve dhe të qeverive nga Afrika dhe Lindja e Afërme. Në rend të ditës janë lufta kundër terrorizmit, iniciativat kundër urisë dhe varfërisë dhe luftimi i sëmundjeve të rënda si ebola.