1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Von Notz: "Përgjimet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare"

Grupi parlamentar i të Gjelbërve është i bindur se Britania e Madhe ka shkelur me programin e saj të përgjimit 'Tempora' rregullat e Marrëveshjeve të BE-së. Konstantin von Notz kërkon ndërhyrjen e Komisionit të BE-së.

default

Konstantin von Notz

Lidhur me programin britanik të përgjimit "Tempora", grupi parlamentar i të Gjelbërve në Bundestagun gjerman i ka drejtuar një letër presidentit të Komisionit Evropian, José Manuel Barroso. Në këtë letër ata kërkojnë nga BE-ja që të fillojë procedurat për mosrespektimin e marrëveshjeve kundër Britanisë së Madhe për shkak se shërbimi i fshehtë britanik GCHQ përgjon pa ndonjë arsye dhe në masë të madhe komunikimin e qytetarëve. "Kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e demokracive liberale evropiane", sqaron zëvendësshefi i grupit parlamentar të të Gjelbërve, Konstantin von Notz.

Nga përgjimet masive të programit britanik "Tempora" janë prekur në mënyrë direkte edhe shumë qytetarë gjermanë. Kjo për shkak se një pjesë e konsiderueshme e komunikimit zhvillohet përmes serverëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Një e-mail ose një hyrje në Facebook nuk kërkon gjithmonë rrugën më të shkurtër, por rrugën më të lirë. Prandaj, një pjesë e konsiderueshme e komunikimeve të brendshme gjermane zhvillohet nëpërmjet fibrave kabllor optik që ndodhen jashtë Gjermanisë, për shembull, në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", nënvizon Konstantin von Notz.

Ky është një problem i brendshëm evropian

Ai sqaron po ashtu përse kjo ankesë e grupit të tij parlametar vjen pikërisht tani. "Sepse tani fillon puna e komisionit parlamentar hetimor. Këtë javë, të enjten (03.04.2014) mbahet mbledhja inauguruese dhe për ne të Gjelbërit është gjithashtu e rëndësishme që kjo të mos kthehet në një histori 'NSA e keqe, evropianët e shkretë'. Përmes kësaj letre ne duam të tregojmë se ne nuk duhet të bëjmë me gisht vetëm në drejtim të SHBA-së, por të shohim se ky është edhe një problem i brendshëm evropian", thotë Konstantin von Notz.

Politikani gjerman shpreson se përmes kësaj letre do të arrihet që në të ardhmen të mos përdoren më të tilla praktika të cilat bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare. "Sigurisht, që shërbimet e fshehta ndërmarrin veprime të fshehta dhe për shkak se ato punojnë në mënyrë parandaluese nuk i nënshtrohen domosdoshmërisht kritereve procedurale penale dhe kriminale. Por ato janë të detyruara që të respektojnë Kushtetutën. Dhe në qoftë se një vend anëtar si Britania e Madhe ka lejuar programe të tilla përgjimi, atëherë kjo është në kundërshtim me frymën dhe të kuptuarit e BE-së, ndaj duhet të ndërpritet", thekson Konstantin von Notz.