1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Von der Leyen: "Dëshirojmë më tepër përparime në Mali"

Në bisedë me DW, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen shprehet për situatën në Mali, për ndërtimin e trupës antiterror në zonën e Sahelit dhe për politikën evropiane të mbrojtjes.

900 ushtarë të Bundeswehrit janë aktualisht në mision në Mali- si pjesë e trupës së paqes të OKB-së, MINUSMA. Por megjithë praninë e gjithsej 15.000 ushtarëve dhe policëve deri tani nuk është arritur që të paqëtohet veriu i vendit, të cilin në vitin 2012 e vunë nën kontrollin e tyre disa grupe islamike.

"Në Mali ka rëndësi para së gjithash që të zgjerohen reformat politike dhe procesi i pajtimit dhe i stabilizimit", i tha ministrja e Mbrojtjes, von Ursula von der Leyen (CDU) Deutsche Welle-s. Nuk bëhet fjalë vetëm për shkollimin dhe pajisjen e forcave të armatosura maleze, por për proceset politike në vend. "Këtu ne dëshirojmë më shumë përparime".

Marrëveshje e brishtë paqeje

Jo më larg se e marta e kaluar, Këshilli i Sigurimit të OKB-së u mor me gjendjen në Mali dhe miratoi njëzëri një rezolutë, e cila i dënon me sanksione shkeljet e marrëveshjes së paqes midis Qeverisë së Malit dhe kryengritësve - për shembull me ndalim udhëtimi dhe ngrirjen e pasurive. Qeveria e Malit pati paralajmëruar se dhuna që po vazhdon mund ta rrezikojë seriozisht marrëveshjen e paqes. Edhe von der Leyen theksoi se sa e rëndësishme është zbatimi i komponentëve të veçantë të marrëveshjes së paqes. Këtu bën pjesë edhe që ata kryengritës që janë të gatshëm për bisedime dhe për një zgjidhje me negociata "të integrohen vërtet në forcat e armatosura të përbashkëta".

Strategji e daljes për Bundeswehr-in?

Situata në Mali pra me sa duket ka ngecur. Edhe për sa kohë do t'i duhet ushtrisë gjermane që të qendrojë aty? Kjo për fat të keq nuk mund të parashikohet, tha von der Leyen."Kjo nuk mund të përkthehet në kohë, do të ishte e gabuar, por duhet të varet nga situata në vend". Aktualisht gjendja vazhdon të jetë e paqendrueshme, helmetkaltrit e OKB-së janë herë pas here objekt i sulmeve.

Në fund të korrikut e humbën jetën dy ushtarë gjermanë, kur u rrëzua helikopteri i tyre. "Që në fillim nuk kemi pasur iluzione, që MINUSMA është një ndër misionet më të rrezikshme, në mos më i rrezikshmi i OKB-së", theksoi von der Leyen. Ky është edhe shkaku se pse Gjermania i vë në dispozicion kësaj trupe aftësi ushtarake me vlerë të madhe, si për shembull një dronë zbulimi, e cila mund të mbulojë të gjithë veriun e Malit. Ky është "një hap i fuqishëm përpara" për sigurinë e ushtarëve dhe të popullit.

Trupë antiterror afrikane

Në përpjekjet për paqe në këtë rajon bën pjesë edhe ndërtimi i një trupe antiterror, i së ashtuquajturës "G5 Sahel". Deri në 5.00 ushtarë nga Mali, Nigeria, Burkina Faso, Mauritania dhe Çadi duan të mblidhen për të luftuar terroristët edhe në plan ndërkufitar. Kjo mënyrë veprimi është "absolutisht e drejtë", tha von der Leyen, e cila e mbështet këtë projekt së bashku me homologen e saj franceze, Florence Parly. Rezidenca kryesore në Nigeri po ndërtohet. Është ende herët të përmenden konkretisht kontributet gjermane, meqenëse më parë duhet të sqarohen nevojat. Një konferencë në Berlin në mes të shtatorit do të kontribuojë për këtë.

Evropa po afrohet

Si e shikon von der Leyen politikën e sigurisë të së ardhmes? Përsa i përket Bundeswehrit do të vazhdojë pajisja më e mirë me personel, materiale dhe para. Në Evropë më në fund po avancon ndërtimi i një bashkimi të sigurisë dhe doganor. Deri në fund të vitit, BE do të ngrejë një sistem të ri, në të cilin shtetet e interesuara mund të zbatojnë së bashku projekte në fushën e sigurisë, pa qenë nevoja që ato të mbështeten njëzëri. "Këto janë kërcime të mëdha përpara", tha ministrja e Mbrojtjes.