1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vlladeta Kostiq kryetar i ri i komunës së Graçanicës

Bekim Shehu19 Janar 2015

Zgjedhjet për kryetar komune në Graçanicë u mbajtën të dielën me (18.01) pasi kryetari i deritashëm Branimir Stojanoviq, mori detyrën e zëvëndëskryeministrit në qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa.

https://p.dw.com/p/1EMXX
Wahlen Verarbeitung in Pristina
Fotografi: DW

Në Kosovë serish kandidati i Listës "Serpska", fiton zgjedhjet e jashtzakonshme për kryetar në komunën e Graçanicës. Vlladeta Kostiq, është kryetar i ri i komunës së Graçanicës, lokalitet ky i banuar me shumicë serbe që gjendet vetëm pesë kilometra larg nga Prishtina. Kostiq, fitoi me 65 % të votave nga rreth 37 % sa ishte pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje.

Në zgjedhjet për kryetar komune në Graçanicë, konkuruan katër kandidatë, Vlladeta Kostiq nga Lista Serpska, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresiste, Dragisha Miriq nga Lëvizja Popullore për Kosovën dhe një kandidatë shqiptar, Shaip Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ) Valdete Daka, tha pas mbylljes së qendrave të votimit, se zgjedhjet ishin të qeta dhe se ato u zhvilluan pa ndonjë problem. "Dalja e votuesve në zgjedhje është 7 mijë e 563 votues apo 37. 39 për qind të votuesve. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale të viti 2013, deri në të njëjtën kohë, kanë votuar 9 mijë e 392 votues, apo 48. 92 për qind e votuesve", tha Valdete Daka.

Mbi 20 mijë qytetarë të Graçanicës kishin të drejtë vote dhe ky numër ishte më i madh sesa numri i votusve të regjistruar në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2013. Edhe zyrtarë të policisë së Kosovës thanë se procesi i votimit u zhvillua pa asnjë incident të shënuar për faktin qw për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve janë ndërmarrë masat paraprake.

Lista "Serpka", që ka mbështetjen e qeverisë së Beogradit tashmë vazhdon të udhëheqë në nëntë komuna të Kosovës. Ky subjekt politik udhëheq edhe në katër komunat në veri të Kosovës, në të cilat për herë të parë u mbajtën zgjedhje lokale në nëntorin e vitit 2013 të organizuara nga instiucionet e Kosovës. Kjo u bë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Dialogu ndërmjet dy vendeve pritet të vazhdojë edhe në fillim të muajit shkurt të këtij viti me një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuçiq. Takimi ndërmjetësohet nga shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.