1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Vlerësimi i gjendjes politike në Tajlandë

Komentet e shtypit gjerman mbërrijnë në përfundimin se zgjidhja e problemit janë zgjedhjet e reja

default

Një protestues këmishëkuq përballë forcave të ushtrisë.

Situatën pas protestave të dhunshme në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, të cilat sollën vdekjen e dy banorëve të Bangkokut dhe plagosjen e më shumë se 100 vetëve, FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG e komenton:


"E pamundur të qeveriset Tajlanda është prej të paktën tri vitesh- tani, ish- vendi model i Azisë Juglindore është në prag të luftës civile. Mijëra kundërshtarë të qeverisë zhvillojnë përleshje në rrugë me ushtrinë... Ndoshta ushtria i ka në duar mjetet për ta mposhtur sërish shumicën dhe për ta nxjerrë atë jashtë loje politikisht. Por me këtë do të fitohej pak. Nëse personat që mbajnë përgjegjësi në Bangkok janë të interesuar që ta stabilizojnë në plan afatgjatë vendin dhe që ta kthejnë atë sërish në grupin e shteteve me prestigj, atëherë ata duhet të organizojnë me shpejtësi zgjedhje të reja - dhe ta respektojnë rezultatin. Vetëm kur tajlandezët të krijojnë përshtypjen se sistemi politik u përgjigjet dëshirave të tyre, vetëm atëherë ai mund të ruhet në formën aktuale: si monarki konstitucionale."

Ja edhe mendimi i DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN:


"Përgjegjëse për rrënimin politik të Tajlandës janë para së gjithash ato elita politike, të cilat e larguan nga pushteti duke shkelur shtetin juridik ish-kryeministrin e diskutueshëm, Thaksin, në vend që të organizonin një proces gjyqësor kundër tij. Por edhe vetë Thaksini, për kthimin e të cilit opozita lufton me tërbim, edhe me çmimin e një lufte civile, ka kontribuar për destabilitetin e vendit, me plaçkitjen e shtetit, shkeljet e ligjeve dhe me mënjanimin e kundërshtarëve të padashur. Për aq kohë sa të mos formohet një forcë e tretë politike, midis qeverisë aktuale dhe opozitës së lidhur me Thaksinin, tatëpjeta e Tajlandës me sa duket do të vazhdojë."

ad / aj

  • Data 14.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HWbt
  • Data 14.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HWbt