1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vlerësime të ndryshme - misioni i ushtrisë gjermane në Afganistan

Asnjëherë më parë misioni i Bundesverit në Afganistan s'ka qenë kaq i rrezikshëm sa sot. Disa politikanë gjermanë flasin ndërkohë hapur për "luftë", kurse qeveria gjermane vazhdon ta shmangë përdorimin e kësaj fjale.

Ushtar gjerman i ISAF-it ne Afganistan

Prej kohësh ushtarët gjermanë në Afganistan nuk ndërtojnë në radhë të parë puse, rrugë dhe shkolla, por qëllojnë me armë, luftojnë dhe vrasin.

Rreth 3.500 ushtarë gjermanë marrin pjesë prej shtatë vjetësh në ndërhyrjen ushtarake në Afganistan. Dhe me një rregullsi të frikshme, ata janë përfshirë në luftime me talibanët. Ky është një tregues për faktin, se ndërhyrja ushtarake ecën gjithçka tjetër, por jo sipas planit.

Në vitin 2001, Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Peter Shtruk (Struck) pati thënë: "Vendimtare është që amerikanët kanë komandën mbi trupat luftarake, të cilat luftojnë kundër talibanëve dhe Al Kaidas, në një kohë që ne marrim pjesë në një trupë paqeje."

Nga aksionet civile në ushtarake

Një ndarje e qartë midis angazhimit amerikan në luftën kundër terrorit përmes operacionit "Enduring Freedom" dhe mandatit të OKB-së për "Trupën Ndërkombëtare të Sigurimit të Mbështetjes", ISAF,- ky ishte synimi. Në jetën praktike kufijtë bëhen shpejt të tejdukshëm. Angazhimi stabilizues i planifikuar i Bundesverit është kthyer në një angazhim luftarak. Ka shumë kohë që ushtarët gjermanë nuk ndërtojnë në radhë të parë puse, rrugë dhe shkolla, por qëllojnë me armë, luftojnë dhe vrasin.

Një tezë e diskutueshme: Gjermania mbrohet edhe në Hindukush

"Mendoj se kemi atje një detyrë të rëndësishme, e cila u shërben edhe sigurisë së qytetareve dhe qytetarëve në Gjermani, sepse Afganistani nuk duhet të lejohet të kthehet sërish në një kamp stërvitjeje për terrorizmin."

Ministri i Mbrojtjes Jung duke ngulur lopaten në ceremoninë e fillimit të punimeve për pistëne re të aeroportit Masar-i-Scharif, Afganistan (10.03.2009)

Ministri i Mbrojtjes Jung në ceremoninë e fillimit të punimeve për pistëne re të aeroportit Masar-i-Scharif, Afganistan (10.03.2009)

Me këto fjalë u përgjigjet Ministri i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung kritikëve, që kërkojnë tërheqjen e trupave gjermane nga Afganistani. Ashtu si Jungu, edhe paraardhësi i tij Shtruk qe shprehur: Gjermania mbrohet edhe në Hindukush. Një tezë e diskutueshme. Ekspertët e terrorizmit japin siguri se rreziku për një atentat terrorist në Gjermani është rritur, që kur ushtria gjermane, Bundesveri është angazhuar në Afganistan. Në shumë mesazhe me video terroristët e kanë kërcënuar vitet e shkuara Gjermaninë me atentate, po të mos i tërheqë ushtarët e saj nga Afganistani. Pyetja: "Të qendrojmë apo të ikim?" diskutohet me pasion - pikërisht në kohë fushate elektorale.

"Më e vonta që prej bombardimit në shkallë të gjerë prej amerikanëve, shumë afganë kanë humbur gjithë familjet e tyre. Ata ndihen të detyruar të marrin hak. Prandaj mungon parakushti për një angazhim paqeje të një trupe të Bundesverit në Afganistan."

Për Oskar Lafontenin dhe partinë e tij "E Majta" është e qartë: ndërhyrja me trupa është e gabuar. Një as në mëngë për fushatën elektorale: sipas anketimeve, dy të tretat e gjermanëve janë kundër angazhimit në Afganistan. Lafonteni provokon: qeveria Merkel - Shtajnmajer (Steinmeier) merr vendime kundër dëshirës së shumicës së popullit. Veç kësaj, para pak kohësh kërkoi një strategji për t'u tërhequr nga Afganistani edhe eksperti për sigurinë i Bashkimit Kristjan-Social, CSU, Hans Peter Ul (Uhl). Përndryshe, partitë e mëdha, pra CDU-ja, SPD, FDP dhe Të Gjelbrit janë për vazhdimin e angazhimit në Afganistan. Me në krye ministrin e Jashtëm, Frank Valter Shtajmajer: "Afganistani është vetëm atëherë i humbur, kur të heqim dorë prej tij."

Nachtwei: Qeveria gjermane duhet të thotë më në fund të vërtetën

Eksperti i Të Gjelbërve për çështjet e mbrojtjes, Vinfrid Nahtvaj (Nachtwei) është në parim dakord me Shtajnmajerin, por kërkon t'u jepet fund "zbukurimeve". Qeveria gjermane duhet të shqiptojë më në fund të vërtetën. Te kjo e vërtetë bën pjesë: ka suksese humanitare: spitale, shkolla, rrugë janë ndërtuar, por edhe bimët e drogës lulëzojnë kudo.Tregtarët e drogës kanë fitime përrallore dhe gjendja e sigurisë është keqësuar në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit. Ëndrra për një Afganistan demokratik, stabil, është më e largët se kurrë.

Autor: Benjamin Wüst /Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani

DW.COM

  • Data 03.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J2Kt
  • Data 03.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J2Kt