1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vlerësime të mëdha të politikanëve gjermanë për fjalët e Obamës

Politikanët gjermanë kanë lidhur shpresa të mëdha me presidentin e ri të SHBA-së, Barack Obama. Nën drejtimin e George Bush-it bashkëpunimi nuk ishte i lehtë.

Presidenti Barack Obama gjatë ceremonisë së betimit

Presidenti Barack Obama gjatë ceremonisë së betimit

Politikanët gjermanë të të gjitha partive u impresionuan prej fjalimit të shkurtër dhe të qartë të Obamës.

Politikani liberal Werner Hoyer, mendon se presidenti ri përfaqëson ato vlera, për të cilat angazhohet edhe partia e tij: "Kemi një president, i cili kujton hapur bazën e përbashkët të vlerave dhe do të rikthehet te to. Kjo është diçka e cila do të bëjë që Amerika të identifikohet sërish shumë më tepër me statujën e lirisë dhe më pak me pamjet e tmerrshme të Guantanamos apo Abu Ghraibit. Kjo krijon edhe për Gjermaninë dhe Evropën, dhe mendoj për të gjithë botën, një bazë të shkëlqyeshme, për të bashkëpunuar sërish ngushtë me kombin drejtues Amerikën."

Por edhe në anën tjetër të spektrit politik të parlamentit gjerman, tek të majtët, fillimi i punës së presidentit Obama shoqërohet me reagime pozitive. Monika Knoche, gëzohet sidomos për mësimet që nxjerr Obama prej krizës financiare: "Që edhe tregu duhet të kufizohet, ose që tregu duhet të kontribuojë, për krijimin e mirëqënies dhe të barazisë së shanseve për të gjithë. Këto janë tone të tjera, që nuk njiheshin prej SHBA-së, që do të thotë, se edhe në një farë mënyrë edhe politika duhet të luajë rol primar kundrejt ekonomisë."

Me kënaqësi të veçantë politikanët gjermanë të të gjitha kampeve politike vlerësuan fjalët e Obamës drejtuar kundërshtarëve të SHBA-së, sipas së cilave ai është i gatshëm t'u japë atyre dorën, në rast se ata janë të gatshëm të hapin grushtin. Werner Hoyer i partisë liberale FDP: "Mendoj se kjo është një strategji shumë e zgjuar. Ai po kthehet tek parimet e dikurshme të John F. Kennedy, te gatishmëria për të biseduar edhe me kundërshtarin,për ta kuptuar atë dhe ndoshta për të gjetur zgjidhje që do ta bënin të tepërt përdorimin e dhunës ndaj njëri-tjetrit."

Socialdemokrates Uta Zapf, fjalët e Obamës nuk i kujtojnë Kennedy-n, por një ish-kancelar socialdemokrat gjerman: "Kjo sipas meje lidhet direkt me atë që përbënte për mua Willy Brandt-i, politikë shtensionimi, politikë pajtimi, gatishmëri për dialog dhe shenja se kërcënimi atomik duhet lënë pas - por pa thënë gjëra specifike. Pra gatishmëria për të bashkëjetuar dhe kooperuar me të gjitha kulturat e botës."

Përpara fjalimit të presidentit të ri amerikan kancelarja Merkel dhe MPJ Steinmeier u shprehën plot shpesa: "Unë besoj se sot është një ditë mjaft e veçantë jo vetëm për SHBA-në, por një ditë e veçantë për miliarda njerëz në të gjithë botën." - tha znj. Merkel.

"Unë shpresoj gjithashtu se në rend të ditës do të jetë edhe raporti mes Amerikës dhe Rusisë. Në këtë mes janë urgjentisht të domosdoshme përmirësime të raporteve dypalëshe."

Por në lidhje me këtë Barack Obama nuk tha asgjë. Gjithësesi ky ishte edhe fjalimi i tij i parë si president i SHBA-së.

  • Data 20.01.2009
  • Autor Peter Stützle
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GdD6
  • Data 20.01.2009
  • Autor Peter Stützle
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GdD6