1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vlaho Orepić: "Itinerari i Ballkanit zyrtarisht i mbyllur"

Kroacia mbron kufirin e jashtëm të BE-së, madje me sukses, thotë ministri i Brendshëm kroat, Vlaho Orepić në intervistë me Deutsche Wellen. Ai i cilëson të pabesueshme akuzat për keqtrajtimin e refugjatëve.

Deutsche Welle: Mijëra refugjatë nga Siria, Afganistani, e vende të tjera janë ngujuar në kushte shumë të vështira në Serbi. Ata shpresojnë të kalojnë kufirin kroat apo hungarez, për të hyrë në Austri e Gjermani. A është kjo një shpresë realiste?

Vlaho Orepić: Itinerari i Ballkanit është mbyllur zyrtarisht. Ajo që po ndodh tani jashtë hapësirës së Shengenit ka të bëjë me veprime kriminale e ilegale, trafikim njerëzish. Kjo nuk ka të bëjë me problematikën e refugjatëve.

Si funksionon bashkëpunimi me Serbinë?

Kam vizituar vendet fqinjë, vetëm me bashkëpunim të mirë, mund të luftosh kundër këtyre proceseve në mënyrë efektive. Kjo bëhet më mirë me punë të pastër e të mirë në kufi dhe kthim konsekuent të personave, që kanë kaluar ilegalisht kufirin. Mund të kesh dyshime, nëse bëhet fjalë në këso rastesh për azilkërkues. Mund të flasësh për mbrojtjen e azilit, nëse vjen nga një vend i pasigurtë në një vend të sigurtë. Por tek ne vijnë njerëz, që kanë qenë më parë në vende të sigurta, por që nuk regjistrohen askund, derisa të arrijnë atë vend, ku ata duan. Këtu nuk kemi të bëjmë me azilkërkues, por emigrantë ekonomikë.

Kroacia deri më tani ka thënë se nuk do të ndërtojë gardhe me gjemba, megjithëse Hungaria e Sllovenia e kontrollojnë kufirin me gardhe. Do t'i qëndroni kësaj në të ardhmen?

Nuk mund t'i zgjidhësh problemet me gardhe. Çfarë do të bëjmë, nëse gardhi nuk mjafton? Më mirë të kontrollosh kufijtë, dhe të ndihmosh ata që kërkojnë ndihmë.

BE ka një kuotë për pranimin e refugjatëve. A i qëndron Kroacia kësaj marrëveshjeje?

Kroacia e mbështet politikën e përbashkët europiane të sigurisë, dhe ne bashkëpunojmë shumë mirë me Frontex dhe autoritetet europiane. Ne ruajmë kufirin e jashtëm të BE-së dhe me sukses madje. Në të njëjtën kohë ne plotësojmë edhe detyrimet tona. Do duhet të pranojmë 1653 refugjatë. Problemi është që refugjatët nuk duan të vijnë në Kroaci.Në bazë të kësaj marrëveshjeje kemi marrë 19 refugjatë, ndërkohë po organizojmë marrjen edhe të 30 refugjatëve të tjerë. Duam ta plotësojmë kuotën, por nuk ia dalim dot, se refugjatët duan të vazhdojnë udhëtimin, Kroacia është për ta vetëm vend tranzit.

Ka ankesa për kushtet e strehimit të refugjatëve në strehimoren qendrore të Zagrebit?

Kjo nuk qëndron. Në strehimoren Porin, refugjatët kanë kushte më të mira se 90% e shkollave kroate. Dhomat janë më të pajisura se dhomat e konvikteve tek ne. Ashtu si BE edhe ne përpiqemi të afrojmë standartin e jetesës së tyre me njerëzit që jetojnë në vend, por shumë qytetarë kroatë jetojnë në kushte edhe më të këqija. Ky pretendim nuk qëndron.

Por ka edhe disa organizata joqeveritare, të cilat pohojnë, se refugjatët keqtrajtohen në kufirin serbo-kroat. Ata qëllohen, ofendohen, u vidhen gjërat që kanë me vete, e pa e dëgjuar kthehen në Serbi. Çfarë bëni ju kundër kësaj?

Kemi folur me këto organizata jo-qeveritare dhe përpiqemi të bashkëpunojmë me to. Do të hetojmë të gjitha akuzat. Nëse konstatojmë, se dikush nuk ka respektuar rregulloret, ai do të lirohet nga detyra. Njerëz të tillë nuk mund të jenë policë në Kroaci. Por nuk e besoj se fajësimet qëndrojnë. Ne e mbrojmë kufirin me sukses, e kjo i dëshpëron trafikantët. Ata përpiqen me deklarata të falsifikuara të manipulojnë organizatat joqeveritare, për të nxitur opinionin publik kundër policisë, me qëllim të vazhdojnë aktivitetet e tyre. Por nuk do ta lejojmë këtë.

Vlaho Orepić, anëtar i partisë MOST-Partei, është nga janari 2016 ministër i Punëve të Brendshme të Kroacisë. Që në fillim ai ka qenë pro mbylljes së itinerarit të Ballkani, dhe kthimit të ilegalëve menjëherë në kufi.