1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vjeshtë e nxehtë në Evropën lindore- Drejtimi i ri i paqartë

Në Evropën Lindore pritet të ketë një vjeshtë të nxehtë politike. Madje është sinjalizuar një ndryshim epokash në hapësirën postsovjetike.

default

Pa u regjistruar prej shumë vetëve në Gjermani dhe në Evropë, aktualisht në shtetet pasardhëse të Bashkimit Sovjetik po acarohet atmosfera e krizës. Megjithëse Rusia dhe shtetet fqinje janë të rëndësishme për paqen dhe mirëqenien në kontinent sa gati asnjë rajon tjetër, po kaq fort janë të përhapura mosinteresimi dhe mungesa e njohurive për këto vende.

Në Rusi po shtohet zëri i protestës sociale. Ai është pasojë e djegieve të pyjeve, sepse ato jo vetëm që u luftuan në mënyrë joefikase, por tani po rriten edhe çmimet për ushqimet bazë. Sistemi politik i lindur nën Putinin, edhe kryeministri vetë kanë përjetuar një humbje të konsiderueshme besimi. Veç kësaj janë shtuar edhe sinjalet se midis presidentit Dmitri Medvedjev dhe babait të tij shpirtëror, Vladimir Putin mund të krijohet një konflikt për zgjedhjet presidenciale 2012. Ngacmime politike reciproke midis Medvedjevit dhe Putinit krijojnë një gjendje politike të paqartë dhe jo të qendrueshme. Disa vëzhgues e krahasojnë këtë që tani me vitet e hershme të Gorbaçovit, kur Gorbaçovi donte ta trajtonte në mënyrë ofensive me anë të një politike reformatore radikale krizën e komunizmit sovjetik, duke shkaktuar një luftë të brendshme për pushtet brenda partisë.

Ingo Mannteufel

Ingo Mannteufel

Ashtu si katastrofa e Çernobilit, edhe diegiet e pyjeve këtë vit mund të shërbejnë si një lloj katalizatori për pasigurinë e përditshme me kushtet e jetesës. Kjo në një kohë kur zemërimi i shumë rusëve nuk drejtohet direkt kundër Putinit, se sa kundër përfaqësuesve të burokracisë së tij. Një indikator i rëndësishëm pritet të jetë sjellja e qytetarëve në 10 tetor, kur në "demokracinë e drejtuar" të Rusisë do të mbahen disa zgjedhje rajonale dhe qindra zgjedhje komunale. Nëse partia e Putinit, megjithë burimet administrative nuk do të jetë në gjendje që t'i ruajë rezultatet e caktuara, kjo do të ishte e barabartë me një ogur të keq për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 dhe një shok për elitën në pushtet.

Por nuk është vetëm Rusia, e cila ka përpara vetes një verë të nxehtë. Situata në shtetet e tjera postsovjetike është shumë herë më e tensionuar: në Kirgistan në 10 tetor mbahen zgjedhje parlamentare, të cilat synojnë të stabilizojnë vendin pas puçit kundër regjimit të Bakijevit dhe trazirave etnike. Një ndarje e Kirgistanit megjithatë nuk përjashtohet, sepse pushtetmbajtësit që nga koha e Bakijevit në jug dhe udhëheqja e re shtetërore në veri merren vesh me shumë vështirësi me njëri-tjetrin.

Në shtetet që ndodhen midis Rusisë dhe BE ka gjithashtu paqetësi: ukrainasit do të zgjedhin në 31 tetor, për herë të parë që prej zgjedhjes së presidentit Janukoviç parlamente të reja komunale. Që prej ardhjes në pushtet të Janukoviçit janë shtuar tendencat autoritare. Përfundimi i zgjedhjeve pritet ta ashpërsojë krizën politike. Në Republikën e Moldavisë veç kësaj nuk ka shpresa për një zgjidhje të shpejtë të krizës së thellë politike. Ndërsa në Bjellorusinë e drejtuar në mënyrë autoritare, më 19 dhjetor presidenti Lukashenko do të organizojë rizgjedhjen e tij. Vërtet që situatën brenda vendit ai e ka nën kontroll, por sundimi i tij shumëvjeçar bazohet në marrëdhënie shumë të mira me Rusinë. Dhe në raportin midis dy vendeve vërehet një keqësim i konsiderueshëm i marrëdhënieve, po të vëresh fushatën anti-Lukashenko në mediet ruse që prej disa javësh.

Gjithçka flet për faktin që në vjeshtë dhe dimër 2011 në Evropën Lindore do të rriten tensionet politike.

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PJMe
  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PJMe