1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Vizita e Westerwelles në Turqi dhe rasti Jalloh

"Süddeutsche Zeitung": Në rastin Oury Jalloh nuk duhet të tregohet pafuqia e drejtësisë, përkundrazi duhet të dëshmohet fuqia e saj!

default

"Braunschweiger Zeitung" komenton deklaratën e ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle gjatë vizitës në Ankara, për mbështetje nga Gjermania të anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE. Citojmë : Westerwelle duket se kërkon të demonstrojë me energji se ai vendos, të paktën në politikën e jashtme. Ajo që thotë ai ka rëndësi. Ka rëndësi gjithashtu, por theksi bie mbi fjalën "gjithashtu". Pasi në temën 'BE' ai solli me vete rrëmujën e zërave nga Gjermania. Westerwelle iu referua marrëveshjeve mes Brukselit dhe Ankarasë për rrjedhën e negociatave për anëtarësim; kjo procedurë vlen pa kufizime. Por shtesa e tij se gjermanët i përmbahen marrëveshjeve tingëllon e sforcuar. Si mund të jetë ndryshe? Pacta sunt servanda - marrëveshjet duhen respektuar - me këtë parim nuk kishte probleme as Franz Josef Strauß, pasuesit e të cilit në Partinë Kristiansociale gjermane (CSU) shprehen me vendosmëri kundër Turqisë.

Ndërrojmë temë. Gjykata Federale gjermane me seli në Karlsruhe, vendosi të enjten (7.1.) që procesi për vdekjen nga zjarri të një azilkërkuesi nga Sierra Leone, në një qeli burgu në Dessau, të zhvillohet përsëri. Sipas gjykatësve në Karlsruhe vendimi në instancë të parë i gjykatës së landit në Dessau-Roßlau, i dhjetorit 2008, ka shumë boshllëqe. 23-vjeçari Oury Jalloh u dogj në 7 janar 2005 kur ndodhej në arrest policor në një qeli ku vendosen të arrestuarit në gjendje të dehur.

Mbi këtë temë shkëpusim nga "Süddeutsche Zeitung": "Në rastin Oury Jalloh nuk duhet të tregohet pafuqia e drejtësisë, përkundrazi duhet të dëshmohet fuqia e saj - në saktësinë juridike deri në detaje me të cilën drejtësia përpiqet të zbardhë kronikën e një vdekjeje të tmerrshme. Edhe vetë kjo saktësi është një sinjal për shoqërinë. Ajo ka efekt parandalues të veçantë dhe të përgjithshëm. Askush nuk mund të thotë më se drejtësia fsheh nën rrogoz një skandal. Përkundrazi: ajo e ka ngritur rrogozin, ajo përpiqet të formulojë juridikisht ftohtësinë dhe indiferencën. Tani, pesë vjet pas vdekjes së Oury Jallohut kjo nuk është më e lehtë. Megjithatë përpjekja e re meriton respekt."

Mbi të njëjtën temë citojmë nga komenti në "Frankfurter Rundschau": "Kush i vë para përgjegjësisë ruajtësit e ligjit kur ata e shkelin atë? Në shumë vende evropiane ka për këtë qëllim komisione të pavarura dhe përvojat me to janë të mira. Por deri tani në Gjermani drejtuesit në polici apo qeveritë në rang landi e federate, kanë qenë të mendimit se diçka e ngjashme nuk do të sillte "vlerë të shtuar". Ndoshta rasti i Oury Jallohut, i cili duket se nuk po merr fund, do të sjellë një ndryshim në mënyrën e mendimit. Për miqtë e Jallohut ky nuk është ngushëllim. Por është një fitore e vogël për perceptimin e drejtësisë."

Autor: dpa / Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 08.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LOWh
  • Data 08.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LOWh