1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vizita e parë e një ministri të Jashtëm të Serbisë në Prishtinë

Ekonomi dhe politikë: Për herë të parë një delegacioni i Serbisë merr pjesë në një konferencë zyrtare në Kosovë. Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq dhe ministrja e Komunikacionit dhe Infrastrukturës Zorana Mihajlloviq.

Serbien Zorana Mihajlovic und Vica Dacic

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq dhe ajo e Komunikacionit Zorana Mihajlloviq

"Unë kam kaluar shpesh nëpër Prishtinë, por për herë të parë jam në qendër të Prishtinës. Mendoj se duhet të punojmë më shumë në drejtim të relaksimit të raporteve dhe kjo vizitë këtu është një gjë shumë pozitive, për shkak të relaksimit të raporteve. Duhet mundësuar një qarkullim më i mirë i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Ne kaluam sot rrugën prej Nishit për në Prishtinë dhe kjo rrugë duhet të ndërtohet. Këtë e kanë mbështetur të gjithë edhe në Evropë, por financimi i ndërtimit ende mbetet problem", theksoi ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq në Prishtinë.

"Duhet të shikojmë përpara dhe duhet t'u ikim deklaratave që na kthejnë mbrapa", tha ai pas konferencës rajonale "Western Balkan 6", e cila mbahet si rrjedhojë e "procesit të Berlinit", respektivisht konferencës së organizuar në Berlin nga kancelarja gjermane Angela Merkel, për bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore. Daçiq u shpreh në Prishtinë se bashkëpunimi ekonomik "është një prej parakushteve kryesore për realizimin e projekteve rajonale me mbështetjen e Bashkimit Evropian". Vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas Daçiq, duhet të realizojnë synimet e tyre "jo mbi bazët e dashurisë dhe urrejtjes, por mbi bazën e interesave."

"Ky takim në Prishtinë dëshmon për relaksimin e raporteve në Ballkan dhe përcaktimin e përbashkët të vendeve të këtij rajoni për paqe dhe stabilitet, si bazë për realizimin e interesave ekonomike dhe projekteve të paraqitura para BE-së", theksoi Daçiq. Ministri i Jashtëm i Serbisë tha se qëllimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është që deri në vitin 2030 i gjithë rajoni të ndërlidhet me rrjetin e rrugëve evropiane. "Shpresoj se deri atëherë do të futemi në BE, por pavarësisht nga kjo, me rëndësi është të gjejmë mjete financiare për financimin e projekteve të përbashkëta", theksoi Daçiq.

Politika si problem

Daçiq nuk deshi të flas për raportet politike mes Kosovës dhe Serbisë, me shpjegimin se këto konferenca janë vetëm pjesë e konferencës së inicuar në Berlin nga kancelarja Merkel dhe kanë për synim forcimin e paqes dhe stablitetit në rajon si bazë për bashkëpunim ekonomik. Megjithatë pas insistimit të gazetarëve, Daçiq komentoi edhe deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për "bashkimin e shqiptarëve pas futjes në Bashkimin Evropian". Ai tha se "kjo tezë më shumë i dedikohet elektoratit në Shqipëri. Kushdo popull që futet në BE mund të thotë këtë. Këtë mund ta themi edhe ne serbët, sepse në BE do të jenë edhe serbët nga Bosnje-Hercegovina dhe vendet e tjera. Por kjo nuk na çon askund. Nuk duhet të lejojmë që sindroma e dronit të influencojë zhvillimet e një rëndësie të veçantë historike, siç ishte vizita e kryeminisrit Rama në Beograd, mundësinë e bashkimit të projekteve tona dhe paraqitjen e tyre para BE-së", tha ai. Në këtë konferencë ai tha se pas "turbulencave të shumta, në rajon është arritur përparim i dukshëm drejt vendosjes së paqes, bashkëpunimit, demokracisë dhe integrimeve evrpiane."

Komunat serbe dhe problemi i politikës

Ministri i Jashtëm serb tha se duhet punuar drejt bashkimit të realizimit të interesave serbe në Kosovë. Asociacioni i komunave serbe, me siguri që nuk do të jetë "një organizatë si kryqi i kuq, por do të ketë edhe kompetencat e veta". Por kjo, sipas tij, do të jetë pjesë e marrëveshjeve në procesin e dialogut në Bruksel, në nivelin e kryeministrave. Në pyetjen e Deutsche Welles, sa influencojnë tendosjet politike mes Prishtinës dhe Begoradit zbatimin e projekteve ekonomike, ministrja e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrasrukturës, Zorana Mihaloviq tha se kjo konferencë ishte një shans i mirë që të gjitha korridoret rrugore që kalojnë nëpër Serbi të vendosen në rend dite.

Disa prej këtyre projekteve kalojnë prej Nishit nëpër Prishtinë, e deri në Tiranë dhe Vlorë. "Për Serbinë këto konferenca janë të mira, sepse theksohet se jemi faktor stabiliteti. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kemi kaluar shumë gjëra në vitet dhe dekadat e fundit. Qëllimi kryesor është që njerëzit të jetojnë më mirë dhe për këtë është e domosdoshme të vendosim lidhjet rajonale, të ndërtojmë rrugët dhe hekurudhat", theksoi Mihajloviq. Sipas saj, ka ardhur koha kur po flitet më shumë për financimin e projekteve, se sa për ngarkesat politike nga e kaluara.