1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri

Ati i Shenjtë thotë se besimi mes feve në Shqipëri është pasuri e çmueshme në kohën kur grupe ekstremiste instrumentalizojnë dallimet fetare.

Me një avion ku ishte vendosur flamuri kombëtar i Shqipërisë, Papa Francesku ka mbërritur sot në orët e para të paraditës në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës ”Nënë Tereza”. Ati i Shenjtë është pritur atje nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka shkruar në rrjetet sociale për momentin e takimit me Atin e Shenjtë: “Çfarë emocioni flamuri shqiptar mbi avionin e Papës dhe zbritja e Atit të Shenjtë mbi tokën e shqiptarëve. Mirënjohje”. Kryemimistri Rama i ka dhuruar Atit të shenjtë në aeroport një kupë me dheun e tokës së shqiptarëve, ku shkruhet : “Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, me lutjen e zjarrtë që duke bekuar këtë grusht dhè nga trualli që shkeli në këtë ditë, të shtrijë mirësinë e Zotit mbi të gjithë vendin e shqiptarëve”. Mijëra e mijëra qytetarë e kanë përshëndetur Atin e Shenjtë në rrugën e tij nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” drejt Tiranës.

Pas pritjes ceremoniale në sheshin para Presidencës, Ati i Shenjtë ka vijuar vizitën e tij apostolike me një takim me Presidentin , autoritetet e Tiranës dhe trupin diplomatik. “Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh , që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kane dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes”.

Askush te mos e përdorë fenë si pretekst për veprime në kundërshtim me të drejtën e jetës

Ati i Shenjtë ka përgëzuar Shqipërinë për “bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin mes anëtarëve të feve të ndryshme” duke e cilësuar këtë "karakteristkë fatlume të Shqipërisë”

Papa përshëndetet nga mijëra vetë 21.9.2014

Papa përshëndetet nga mijëra vetë

“Klima e respektit dhe besimit të ndërsjelltë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve, myslimanëve është një pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet mes besimeve të ndryshme fetare, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje dhe dhune dhe jo në mundësi për dialog të hapur dhe të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjun dhe zbatimi i ligjit të tij”.

Ne fjalën e tij Papa ka theksuar se “askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprime që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut, me të drejtat e tij themelore në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve”.

Nga Presidenca Ati i Shenjtë, me automjetin e tij ka përshkuar Bulevardin e Dëshmorëve dhe ka përshëndetur rreth 120 mijë besimtarë dhe qytetarë nga gjithë Shqipëria, që kanë mbushur bulevardin dhe e kanë pritur me duartrokitje të zjarrta. Automjeti i Atit të Shenjtë është tërësisht i zbuluar dhe pa xhama të blinduar. Vizita e Papës vazhdon me zhvillimin e Meshës së Shenjtë në Sheshin “Nënë Tereza”.