1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vizita e Obamës në Berlin nën hijen e aferës së përgjimeve

Euforia për presidentin amerikan Barack Obama ka rënë në Gjermani. Në vitin 2008 kur ishte kandidat për president, ai u prit në Berlin si një mbret. Ndërsa tani në prag të vizitës flitet për realizimin e premtimeve.

Tre tituj të revistës "Der Spiegel" tregojnë se sa kanë ndryshuar botëkuptimet për Barack Obamën. Në vitin 2008, pas zgjedhjes së senatorit nga Ilionisi si presidenti i parë me ngjyrë i SHBA-së, kjo revistë e quante Obamën "Presidenti i Botës". Katër vite më vonë gazeta shkruante për "një presidencë të dështuar", ndërsa tani në prag të vizitës së Obamës në Berlin e titullon tekstin: "Shoku i humbur".

Në tekst thuhet se Gjermania nuk ka më nevojë për ndonjë idol nga SHBA-ja. Revista "Spiegel" është e mendimit se Obama nuk mund të krahasohet me ish- presidentin Kennedy.

Barack Obama an der Siegessäule in Berlin 2008

Barack Obama në Berlin 2008

"Një histori suksesi nuk do të ketë, pas katër vjet e gjysmë të mandatit të tij, kjo është e qartë ", shkruajnë autorët. "Kennedy nuk ka mundur të përfundojë misionin e filluar për reformën e shtetit, ndërsa Obama ka dëshpëruar me politikën e tij për siguri kombëtare."

Kur Obama më 2008 mbajti fjalimin e tij të parë në Berlin, ai u përshëndet nga dhjetëra mijëra njerëz dhe nga mediat si i shenjtë. Ai premtoi se do t'i jep fund luftës në Irak, të filluar nga Bushi, por tani në mediat gjermane mbretëron një lloj dëshpërimi me ato që ka bërë Obama. Për dëshpërimin ndaj Obamës flet edhe skandali i fundit me spiunimet në internet.

Bota ka ndryshuar prej vitit 2008. Kriza financiare ka dëshmuar se sa është e lidhur bota e sotme. "Kontinenti i vjetër nuk ka më nevojë për heronj amerikanë dhe për shpëtimtarë, sepse SHBA-ja nuk mund ta luajë këtë rol në shekullin 21", shkruan gazeta.

Pa eufori

Obama in Berlin Sicherheitsvorkehrungen

Brandenburgu në masa të rrepta sigurie pret presidentin Obama

Opinioni publik nuk është në përputhje të plotë me ato që njerëzit mendojnë për politikën e Obamës. Kur Obama më 19 qershor do të mbajë fjalimin e tij para Portës së Brandenburgut, me siguri që do të përjetojë përshëndetje frenetike të njerëzve të mbledhur, sepse po të kishin të drejtë vote, 90 % e gjermanëve do të kishin votuar në zgjedhjet e fundit atë për president.

Por mendimet kanë ndryshuar së fundi, për shkak të aferës së përgjimeve të internetit. Njerëzit nuk janë të kënaqur as me politikën e tij ndaj të të burgosurve të Guantanamos.

Një shkak tjetër për zbutjen e euforisë në Gjermani është që gjenerata qe e ka përshëndetuar atë para katër vitesh në mënyrë frenetike në Berlin, tani ka dhe obligime të tjera. Për shembull Meike, një fanse e Obamës, është tani 34 vjeçe dhe ka një fëmijë dy vjeç. As asaj nuk i kanë pëlqyer shkrimet e fundit lidhur me përgjimet në internet, sipas motos 'Obama is watching your emails'.

Merkel Obama G8 Camp David

Merkel dhe Obama në Camp David

Shumica e gjermanëve megjithatë mendon se Obama e ka plotësuar premtimin e tij kryesor, për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe për një politika të jashtme më transparente. Çështjet e brendshme si reformat në shëndetësi apo borxhet e mëdha dhe problemet me buxhetin, për njerëzit në Gjermani janë probleme të dorës së dytë.

Respekti ka mbetur

Obama ka dashur të flasë para Portës së Brandeburgut që në vitin 2008, kur ishte kandidat për president, por kancelarja Angela Merkel nuk ishte dakord, me shpjegimin se ky vend prominent është i rezervuar vetëm për presidentët. Obama tani e ka shansin të flas aty ku ish-presidenti Ronald Reagan në vitin 1987 kërkoi nga Mikhail Gorbachov që të rrënohet muri i Berlinit.

Për dallim prej gjermanëve të tjerë, kancelarja Merkel kurrë nuk ka qenë tepër e ngazëllyer nga karizma e Obamës. "Kancelarja Merkel e ka evituar përshtypjen për një lloj "Obamanie'", thotë eksperti për Amerikën, Johannes Thimm, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin. Ndërkohë mes kancelares Merkel dhe Obamës është ndërtuar një raport i respektit të plotë të dyanshëm dhe një atmosferë pune. Të dy ata e dinë se kanë nevojë për njëri-tjetrin. Obama nuk udhëhiqet sikur paraardhësi i tij Bush nga simpatitë personale. Ai ka dëshmuar në vitin 2011 se kancelaren Merkel e konsideron një partnere të rëndësishme, duke i ndarë asaj Medaljen për Liri.

USA Hauptquartier NSA Fort Meade

Kuartieri kryesor amerikan NSA

Takimi i tyre do të jetë relativisht i qetë. Por Obama do të përballet edhe me disa pyetje të pakëndshme lidhur me aferën e spiunimeve në internet, për shkak se në Gjermani së shpejti do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

"Për përbërjen e bisedimeve nuk dihet ende asgjë, por mbikqyrja e të dhënave në internet nga National Security Agency (NSA) me siguri që do të tematizohet, sepse zonja Merkel gjendet në fushatë elektorale dhe nuk mund ta injorojë mllefin e gjermanëve", pohon eksperti. Por temat kryesore me siguri që do të jenë kriza ekonomike në Evropë, marrëdhëniet tregtare mes BE dhe SHBA dhe konflikti në Siri.

Obama ndoshta nuk do të prekë tema të rëndësishme në fjalimin e tij në Berlin si JFK apo Reagan. Por folësi i shkëlqyeshëm me siguri që do të gjejë elemente shumë të rëndësishme. Tani më nuk shikohet potenciali i tij, por veprat që do të lë pas vetes.