1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vizita e kryeministrit të Turqisë në Kosovë me rëndësi strategjike

Prej vitesh po rritet influenca e Turqisë në Ballkanin Perëndimor. Vizita e Erdoganit në Kosovë ka vlerë simbolike, po ashtu edhe fakti që ai shkon atje bashkë me kryeministrin e Shqipërisë.

Prej vitesh po rritet influenca e Turqisë në Ballkanin Perëndimor. Erdogani flet fare hapur për riaktivizimin e influencës së vjetër osmane: "Ne duhet të shkojmë kudo atje, ku kanë qenë paraardhësit tanë". Deklarata si kjo dokumentojnë strategjinë turke për të demonstruar kundërpeshën politike dhe ekonomike kryesisht në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë e Maqedoni kundrejt Bashkimit Europian. Kjo strategji turke është e vlefshme, pavarësisht një fillimi të ri në procesin e negociatave me BE-në. Shkollat turke, xhamitë dhe investimet ekonomike në Kosovë dëshmojnë pikërisht për këtë.

"Eshtë Prizreni edhe këtu?“ bën thirrje kryeministri turk Rexhep Tayip Erdogan gjatë një fjalimi në Stamboll. Eshtë 16 qershori i këtij viti, Erdogani vërsulet kundër demonstruesve në parkun Gezi të Stambollit dhe në mënyrë simbolike siguron se ka mbështetjen e të gjithë botës islame, edhe të njerëzve në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës.


Përse ka vlerë simbolike vizita e Erdoganit në Kosovë?

90% e popullsisë këtu janë shqiptarë myslimanë. E që Turqia duke iu referuar Perandorisë Osmane e ndjen veten si një lloj fuqie rregullatore në Ballkanin Perëndimor, këtë Erdogani e ka bërë të qartë në shumë raste. Në Kosovë kjo mund të konfirmohet edhe me shifra të sakta, thotë ekonomisti Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike në Prishtinë: "Zgjerimi i aeroportit iu besua një firme turke, projektet për ndërtimin e rrugëve u janë dhënë gjithashtu firmave turke, sektori i energjetikës dhe me shumë gjasë shumë shpejt edhe rrjeti i telefonisë në Kosovë do të dominohen prej firmave turke. Nëse i referohemi edhe sektorit të prodhimeve ushqimore, edhe këtu dominojnë firmat turke, e kësisoj kemi një pasqyrë të qartë, që ky vend ndodhet nën influencën e fortë të ekonomisë turke."

Erdogani viziton jo vetëm Prishtinën, por edhe Prizrenin në jug, ku ndodhet edhe pjesa më e madhe e trupave të ushtrisë gjermane në kuadër të KFOR-it. Në Prizren turqishtja është një ndër gjuhët zyrtare, ka radio në turqisht dhe një televizion turk. Levent Bush është kryetar i partisë turke në Prizren: "Aktualisht nga radhët tona është zëvendëskryetari i bashkisë. Gjithashtu kemi edhe dy këshilla bashkiake turke. Ne marrim pjesë në qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi. Gjithashtu kemi edhe rreth 25 shoqata turke, grupime grash, të rinjsh, që organizojnë veprimtari të ndryshme.“

Suzi Moschee in Prizren

Xhamia Suzi në Prizren

Angazhimi turk nxjerr në pah dobësitë e politikës së BE-së

Vlerë simbolike ka edhe fakti që Erdogani nuk e viziton i vetëm Kosovën, por bashkë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Në Shqipëri influenca turke është gjithashtu e madhe. Në vendet e tjera të Ballkanit, si në Serbinë e dominuar prej kristianëve ortodoksë, kjo shihet me skepticizëm. Megjithatë Turqia përpiqet të krijojë lidhje më të ngushta edhe me Serbinë, si kundërpeshë ndaj afrimit me BE-në, siç thonë ekspertët. Për Kosovën, thotë eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, influenca turke ka edhe një anë tjetër të medaljes: "Ne kemi nevojë për diçka tjetër, ne kemi nevojë për më shumë firma perëndimore në Kosovë. Arsyeja, përse këtu nuk ka më investitorë europiano-perëndimorë, është se ata nuk e gjejnë veten në mjedisin e këtushëm të investimeve. Të vetmit, që nuk e kanë këtë ndjesi, janë investitorët turq. Ata mund të orientohen me nivelin e lartë të korrupsionit. Në aspektin politik influenca turke është e rrezikshme për ne. Ne kemi nevojë këtu për vlerat perëndimore. Kjo është qënësisht e rëndësishme për këtë vend.“

Angazhimi turk nxjerr në pah edhe dobësitë e politikës së BE-së: ndonëse BE-ja u ka premtuar një perspektivë europiane të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, që gradualisht ato në periudhë afatgjatë të mund të bëhen anëtare të BE-së, në sfondin e krizës financiare ka një lodhje prej zgjerimit dhe mungon një strategji e qartë për Ballkanin. Një vakuum ky, që përpiqet ta shfrytëzojë me vendosmëri Erdogani. Ai do që ta zgjerojë edhe më tej influencën ekonomike, politike dhe kulturore të Turqisë në Ballkan.