1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vizitë udhërrëfyese e Erdoganit në Kinë

Kryeministri turk Erdogan viziton Kinën. Marrëdhëniet politike mes dy vendeve, çështjet ekonomike, konflikti në Siri - ka shumë tema për bisedime dhe nevojë për sqarime.

Rexhep Tayyip Erdogan, kryeministër i Turqisë

Rexhep Tayyip Erdogan, kryeministër i Turqisë

Që me ndalesën e tij të parë Rexhep Taip Erdogan dërgon një mesazh të qartë: Këtë të dielë (08.04.2012) kryeministri turk fillon udhëtimin e tij në Xinjiang, krahinën me sipërfaqen më të madhe në Perëndim të Republikës Popullore. Grupi më i madh popullor këtu janë ujgurët. Që prej pushtimit nga Pekini në vitin 1949, minoriteti mysliman i cili ka lidhje të ngushta  gjuhësore dhe kulturore me turqit shtypet dhe ndëshkohet.

Dhuna e Kinës ndaj pakicës myslimane gjatë trazirave në vitin 2009 ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet me Turqinë. Erdogan i ka krahasuar veprimet e Pekinit me një "gjenocid". Por marrëdhëniet mes dy vendeve u rikëndellen sërish me vizitën e ministrit të Jashtëm turk Ahmet Davutoglu në vitin 2010 në Kinë. Që atëherë Turqia ka theksuar mbështetjen e saj për sovranitetin territorial të Kinës por ka kërkuar pandërprerë që në Xinjiang të respektohetn të drejtat e njeriut.

Vizita e parë pas 27 vjetësh

Tre vjet pas krizës, vizita e Erdoganit do të interpretohet si një shenjë e besimit në rritje dhe të forcimit të dialogut ndërmjet dy vendeve. "Turqia dhe Kina duan të shmangin që në të ardhmen çështja e ujgurëve të shkaktojë tensione të vazhdueshme", ka thënë në një intervistë me Deutsche Wellen Selçuk Çolakoglu nga "Organizata Ndërkombëtare për Kërkime Strategjike" (USAK), një qendër për studime ndërkombëtare me seli në Ankara. Kina dëshiron të bindë Turqinë për politikën e saj duke hapur Xinjiangun drejt vendit. Në të njëjtën kohë Ankaraja zhvillon bisedime të drejtpërdrejta me politikanët kinezë pa i diskutuar publikisht shqetësimet e saj.

Shkencëtari  turk Çolakoglu konsideron që marrëdhëniet më të ngushta midis Turqisë dhe Kinës do të ndihmojnë edhe në përmirësimin e gjendjes politike dhe ekonomike të ujgurëve "në qoftë se në krahinë nuk do të ketë sërish trazira të mëdha si tre vjet më parë."

Vizita e Erdoganit është e para vizitë që një kryeministër turk zhvillon në Kinë në 27 vitet e fundit. Në fillim të vitit 2003 Erdogan ka qëndruar në Kinë, por në atë kohë vetëm  si një deputet i partisë së tij AKP. Udhëtimi i tij pason vizitën e nënkryetarit të Kinës  Xi Jinping në Turqi në muajin shkurt. Ajo e bën të qartë " vullnetin politik të të dy vendeve për të vazhduar me përmirësimin e marrëdhënieve të tyre", tha në një intervistë me Deutsche Welle-n zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Seluk Unal.

Çështja e diskutueshme e Sirisë

Gjithashtu duhet të sqarohet edhe një çështje tjetër e diskutueshme: qëndrimet ndaj situatës në Siri. Ankaraja ka mbështetur opozitën siriane dhe i ka bërë thirrje presidentit Bashar al-Asad për t'i dhënë fund dhunës dhe duke dhënë dorëheqjen të hapë rrugën për ndryshime demokratike në vend. Politikanët turq kanë kritikuar publikisht  Kinën dhe Rusinë për shkak të vetos së tyre kundër një rezolute të OKB-së, e cila kishte për qëllim që t'i japë fund dhunës në Siri.

Situata në Siri është ndër temat kryesore të takimit të Erdoganit me zyrtarët kinezë, thonë diplomatët turq. Kryeministri përveç zëvendëspresidentit Xi Jinping do të takojë edhe presidentin  Hu Jintao dhe kryetarin e Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar Popullor, Wu Bangguo.

Autor: Ayhan Simsek / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi