1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vizitë konsoliduese - Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi në Berlin

Për herë të parë që nga viti 1998 një president i Shqipërisë viziton sërish Gjermaninë. Bamir Topi ndodhet të martën në Berlin me ftesë nga homologu i vet gjerman Horst Koehler.

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi

Në tetor të vitit 1998, kur presidenti i atëhershëm i Shqipërisë Rexhep Meidani do të vizitonte Gjermaninë, bashkësia ndërkombëtare ishte duke u përgatitur për luftën e Kosovës. Që atëherë, nuk ka pasur më këmbime midis dy vendeve në nivel presidentësh. "Vizita e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, është shumë domethënëse, sepse tregon që niveli i marrëdhënieve politike, por edhe në fusha të tjera është kaq i konsiderueshëm, sa justifikon vizitat në këtë nivel", thotë për Deutsche Welle-n ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi.

Amoklauf Winnenden Köhler

Presidenti i Gjermanisë Horst Koehler

Gati 12 vjet që nga vizita e fundit e një presidenti shqiptar, tema e bisedës nuk janë më krizat dhe luftërat e rajonit, por bashkëpunimi ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve. "Në qendër të vizitës është takimi me presidentin Horst Koehler dhe biseda me të," thotë Ibrahimi më tej. "Aty do të flitet për çështjet e integrimit evropian, për bashkëpunimin dypalësh, liberalizimin e vizave dhe bashkëpunimin ekonomik e atë në organizatat ndërkombëtare."

Tolksdorff: ka rritje të këmbimit tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë

Topi shoqërohet nga një delegacion i madh, ku është i pranishëm edhe zëvendës-kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta. Pjesën më të madhe të delegacionit e zë një grup biznesmenësh nga Tirana, të cilët në bashkëpunim me Dhomën e Industrisë dhe të Tregtisë të Berlinit zhvillojnë një forum për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili në vitet e fundit ka pësuar një rritje të vazhdueshme.

"Marrëdhëniet ekonomike gjermano-shqiptare po zhvillohen me dinamikë", vlerëson Helge Tolksdorff, drejtor i departamentit të Evropës Juglindore në Ministrinë gjermane të Ekonomisë."Gjatë viteve të fundit kemi arritur një rritje prej 30 për qind të eksporteve gjermane në drejtim të Shqipërisë, ndërsa eksporti shqiptar është rritur dukshëm me mbi 10 për qind. Për ne është me rëndësi që edhe në vitin 2009, i cili ishte u karakterizua nga kriza ekonomike dhe financiare, u shënuan rritje të këmbimit tregtar. Shqipëria dallohet dukshëm nga vendet e tjera të rajonit, tregtia me të cilat ka pësuar rënie."

Këmbimi ekonomik mes dy vendeve pritet të marrë edhe më shumë hov, mbas hyrjes në fuqi të marrëveshjes dypalëshe për shmangien e taksave të dyfishta dhe evazionit fiskal, e cila do të nënshkruhet të martën (06.04) pasdite në prani të ministrit të Jashtëm Ilir Meta. Vizita presidentit Topi në Berlin është këmbimi i katërt në nivel presidentësh që zhvillohet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Përveç Mejdanit, në cilësinë e presidentit të Shqipërisë, Gjermaninë e ka vizituar në vitin 1995 edhe Sali Berisha, ndërsa vizita e parë dhe e fundit e deritanishme e një presidenti të Republikës Federale Gjermane në Shqipëri është zhvilluar në vitin 1995 nga Roman Herzog.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 06.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MneW
  • Data 06.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MneW