1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vizitë historike -Klintoni zhvillon bisedime me Birmaninë

Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton zhvillon të enjten (1.12.) bisedime politike në Birmani. Me vizitën e saj ajo synon të mbështesë presidentin e ri Thein Sein në reformat e nisura.

Hillary Clinton dhei Khin Aung Myint

Hillary Clinton dhei Khin Aung Myint

Ajo çka duket si një vizitë normale shtetërore në aeroportin e kryeqytetit të Birmanisë Naypyidaw, është fillimi i një ndryshimi historik. Ministrja e Jashtme e SHBA-së Hillary Clinton është zyrtarja e parë e lartë që viziton Birmaninë që prej më shumë se 50 vjetësh. Shkas për vizitën janë përpjekjet e qarta reformatore të qeverisë civile nën drejtimin e presidentit Thein Sein, të dalë nga regjimi i deritanishëm ushtarak.

Hillary Clinton i formulon kështu synimet e saj: „Unë do të përpiqem, e ngarkuar edhe nga qeveria ime, të kuptoj se çfarë objektivash ndjek qeveria aktuale e Birmanisë me ndryshimet në plan politik dhe ekonomik.“

Këto ndryshime të muajve të kaluar kanë habitur shumë vëzhgues, edhe opozitën në Birmani: 200 të burgosur politikë u lanë të lirë, u vendos e drejta e demonstrimit dhe grevës, u ndalua një projekt i kontestuar digash, u kërkua kontakt i ngushtë me nobelisten e paqes Aung San Suu Kyi, e cila ka qenë në arrest shtëpie për rreth 15 vjet, deri në mbajtjen e zgjedhjeve një vit më parë.

Aung San Suu Kyi

Aung San Suu Kyi

Aung San Suu Kyi ka njoftuar ndërkohë se do të marrë pjesë në zgjedhjet vitin e ardhshëm. Partia e saj, "Liga Kombëtare për Demokraci" është regjistruar ndërkohë.

Presidenti amerikan Barack Obama kishte folur për shpresën e përparimit të vërtetë demokratik në Birmani, gjatë punimeve të konferencës së ASEAN-it dy javë më parë në Bali. Hillary Clinton thekson fjalët e presidentit: „Ne dhe shumë kombe të tjera shpresojmë që shkëndija e përparimit në Birmani të transformohet në ndryshim afatgjatë, dhe t'u vijë vërtet në ndihmë njerëzve në vend“.

Këtë të enjten (1.12.) Hillary Clinton zhvillon bisedime me Thein Sein në pallatin presidencial, më pas janë planifikuar bisedime me ministrin e Jashtëm dhe përfaqësues të parlamentit. Temë e bisedimeve do të jetë para së gjithash kërkesa për lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë por dhe propozime për zgjidhjen e konflikteve etnike në Birmani. Opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut flasin për rreth 1.700 të burgosur politikë.

Të mërkurën (30.11.) përfaqësues të qeverisë u takuan me një delegacion të organizatës për pavarësi të kahinëve, një prej pakicave më të rëndësishme etnike në Birmani. Takimi shihet si një sinjal për SHBA-në.

Ministrja e Jashtme e SHBA-së Clinton të enjten të mbrëmje (1.1.2) do të fluturojë për në Rangun. Aty do të takohet privatisht me nobelisten Aung San Suu Kyi. Të premten (2.12.) është planifikuar një bisedë zyrtare me politikanen më të rëndësishme opozitare në Birmani.

Autor: Udo Schmidt/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 01.12.2011
  • Fjalët kyç USA Birma
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/13KRH
  • Data 01.12.2011
  • Fjalët kyç USA Birma
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/13KRH