1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë presidenciale në Britaninë e Madhe dhe zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes

AUD27 Mars 2008

Presidenti francez Sarkozi prodhon aktualisht më shumë tituj gazetash me jetën private, se sa me politikën e tij.

https://p.dw.com/p/DVE6
Topmodelja Karla Bruni
Topmodelja Karla BruniFotografi: AP Photo

Disa gazeta britanike e pritën çiftin Sarkozi, që po bën një vizitë shtetërore në Britaninë e Madhe me botimin në faqet e para të një fotografie lakuriq të zonjës Sarkozi. Zonja Sarkozi, ish-modelistja Carla Bruni pozon në vitin 1993 e zhveshur për një revistë dhe pikërisht këtë fotografi e ka hedhur këto ditë në ankand shoqëria e ankandit, Kristie (Christie). Gazeta ALLGEMEINE ZEITUNG që botohet në Mainc shkruan për këtë temë:

"Çfarë mund të mendojë një president, kur në një vizitë shtetërore në një vend të huaj, përballet me një fotografi nudo të gruas së tij, ndonëse me një fotografi estetike? Dhe çfarë mund të mendojë ajo? Një problem, me të cilin çifti Sarkozi ndoshta nuk u ndesh dje në Londër për herë të fundit. Eshtë simptomatike për presidentin e Francës që aktualisht prodhon më shumë tituj gazetash me jetën e tij private, se sa me politikën e tij. Në plan afatgjatë një gjë e tillë nuk mund të dalë për mirë. Sarkozisë i duhet të vërtetojë se është është një burrë shteti serioz dhe një politikan i zgjuar. A do ta arrijë ta bëjë këtë, kjo është çështje tjetër."

FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND ndalet në një temë tjetër, atë të zgjerimit të NATO-s në Lindje:

"Pranimi i Gjeorgjisë dhe i Ukrainës në një plan aksioni për anëtarësim në NATO vetëm sa është shtyrë, nuk është anulluar. Shumë shtete evropiane anëtare të NATO-s, pas grindjes për çështjen e Irakut nuk gjejnë ndonjë shkak që t'i bëjnë qejfin presidentit amerikan Bush, që do të largohet së shpejti nga posti. Me të drejtë ata preferojnë të presin, se si do të pozicionohet mbajtësi i ardhshëm i postit për një hyrje në NATO të të dyja vendeve në sferën jugore të ndikimit të Rusisë. Nëse edhe pasardhësi i Bushit angazhohet për anëtarësimin e të dyja vendeve në NATO, atëherë fraksioni Berlin-Paris ka brenda aleancës veriatlantike një kartë të fortë në dorë, në këmbim të së cilës mund të kërkojë diçka nga presidenti i SHBA."