1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vizioni i Gjakovës në duart e një gruaje. Intervistë me Mimoza Kusari-Lilën

"Parashoh që në të gjitha proceset vendimmarrëse të kem elementin e barazisë gjinore", thotë Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e re e komunës së Gjakovës, në bisedë me Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Me fitoren tuaj në Gjakovë për herë të parë një grua qëndron në krye të një komune të Kosovës. A mund të shihet kjo edhe si një shenjë e rritjes së gatishmërisë së shoqërisë kosovare për të pranuar gra në qeverisje, për të ndryshuar traditën burrërore të drejtimit të komunave?

Mimoza Kusari-Lila: Mendoj se është një hap tepër i rëndësishëm, besoj që shoqëria ka qenë e përgatitur edhe më heret. Ndoshta nuk kanë qenë subjektet politike ato, që kanë nxjerrë figura për të garuar për zgjedhjet lokale, megjithatë përgjegjësia, që më është dhënë dhe obligimi, që ndjej tani si e vetmja grua kryetare komune, është shumë i madh dhe nuk kam asnjë dyshim, që në zgjedhjet e ardhshme do të kemi edhe kandidate gra dhe fituese.

DW: Ju keni premtuar në fushatë se do ta bëni Gjakovën një qendër të zhvilluar, siç njihet tradicionalisht. Cili është vizioni juaj konkret, në cilat aspekte do të fokusoheni kryesisht?

Programi im është i fokusuar në tri aspekte kryesore. E para është zhvillimi ekonomik, hapja e mundësive për investime të huaja e të brendshme, intensifikimi i sferës së turizmit, që është lënë tërësisht anash, për të cilin komuna e Gjakovës ka një potencial shumë të madh, e dyta përmirësimi i ambjentit në tërësi dhe pastrimi, Kur fola për turizmin duhet të përmend bukuritë natyrore duhet një mirëmbajtje e mirëfilltë e lumenjve, një synim tjetër është një reformë institucionale administrative, ofrimi i shërbimeve komunale më afër qytetarëve dhe afërsia dhe rritja e transparencës së vendimeve nga kreu i komunës për qytetarët e komunës së Gjakoves.

Vend në programin tuaj zë hapja e vendeve të punës, sidomos për të rinjtë, të cilët largohen nga komuna e Gjakovës. Çfarë do të bëni ju ndryshe, nga ç'është bërë deri tani, në drejtim të punësimit?

Kemi plan konkret. Plani ynë parasheh, që investimet, të cilat vijnë në komunën e Gjakovës, të fasilitohen nga komuna në një park teknologjik, në të cilin komuna do të ofrojë në partneritet tekniko-privat, ku do të ngremë aftësitë teknike të profesioneve të ndryshme, për të rinjtë e komunës së Gjakovës, lidhjen dhe dhënien e epitetit të qytetit universitar të komunës së Gjakovës, por edhe ngritjes së kualitetit të jetës shoqërore në veçanti asaj sportive dhe kulturore në komunën e Gjakovës për të rinjtë, që dëshirojnë të kalojnë kohën kualitative këtu, por që tashmë me mundësitë e mirëfillta, që t'u ofrojnë të rinjve zhvillimin e talenteve të tyre e të mos kenë nevojë të ikin nga Gjakova. Ne parashohim të bëjmë lidhjen më të afërt të programeve shkollore me ndërmarrësinë. Do të hapim qendrën inovative në komunën e Gjakoves, do të ndikojmë për nxitjen e ideve ndërmarrëse dhe përkrahjen e tyre. Komuna prej vitit të ardhshëm do të ketë fondin për ndërmarrësit dhe fondin për bujqësi.

Ju keni përvojë në qeverisjen qendrore, sa ju ndihmon ajo dhe si do ta shfrytëzoni atë në qeverisjen vendore?

Besoj se projektet, që janë të realizueshme nga qeverisja qendrore, tashmë janë shumë mirë të njohura për mua. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me qeverinë qendrore pa marrë parasysh, kush është në pushtet në qeverinë qendrore. Tashmë kam një listë të projekteve të përgatitura, të cilat do të hyjnë në rishikim për vitin 2014, përfituese e të cilave do të jetë komuna e Gjakovës. Gjithsesi do të hyjë edhe organizimi i konferencës së donatorëve. Kjo konferencë organizohet edhe përmes ministrisë së integrimeve dhe si e tillë do të mbahet pjesën e parë të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të zbusë situatën aktuale të qytetit të Gjakovës dhe ngritjen e kualitetit të infrastrukturës, e cila mungon. Do të formojmë zyrën për promovim të investimeve dhe ndërlidhjes së bizneseve, do të vazhdojmë pastaj me konferenca të investitorëve për komunën e Gjakovës, por shumë rëndësi kanë disa projekte kapitale të pakryera, siç janë rrjeti i kanalizimit, impianti i pastrimit të ujërave të zeza, ujësjellësi në disa fshatra dhe plotësimi i infrastrukturës rrugore.

Si mund të ndihmojë një grua si kryetare komune në angazhimin më të madh të grave, në aktivizimin e tyre, në forcimin e dinjitetit të tyre në familje dhe shoqëri?

Mendoj se fakti i marrjes së një përkrahjeje të fuqishme edhe nga gratë në shoqërinë e komunës së Gjakovos më jep një impenjim për ngritjen e pjesëmarrjes së gruas. Unë parashoh që në të gjitha proceset vendimmarrëse të kem elementin e barazisë gjinore, duke filluar nga emërimi i drejtorëve dhe krijimi i qeverisjes lokale, duke marrë parasysh përfaqësimin e grave në aspektin kualitativ, që është prezent në komunën e Gjakovës. Gjithashtu në grantet, të cilat i përmenda dhe subvencionet gjithmonë do të kenë kuotën gjinore, që edhe pse në numër dhe në përqindje bizneset e grave janë ende të vogla, të ndikojnë, të kenë një përqindje më të madhe të dhënies së granteve për bizneset e grave, në mënyrë që të ndikojë në rritjen e tyre. Do të formoj edhe këshillin konstitutiv të grave në biznes pranë zyrës së kryetares së komunës, por gjithashtu duke i ndihmuar edhe aspektin social dhe integrues. Parashoh që kryetarja dhe qeveria lokale të përfshijë gjithashtu kategoritë e dala nga lufta, siç janë nënat e të pagjeturve, pastaj familjarët dhe kategoritë e tjera të të pagjeturve, që zakonisht përfshijnë gra të veja, apo gra, që pasi kanë humbur burrat dhe më të dashurit e tyre, kanë vuajtur si familjembajtes. Në aspketin tjetër mendoj se në ngritjen e përgjithshme të kualitetit të jetës në aspektin kulturor dhe sportiv do të kerkoj qe edhe klubet sportive të kenë gjithmonë edhe klubet e femrave, që të mos mbeten vetëm në nivelin e klubeve të djemve, apo meshkujve. Besoj se gradualisht ashtu sikurse votoi komuna e Gjakovës për të parën e saj një femër, do të tregojë që në përgjithësi ka nivel barazie në mes gruas dhe burrit në komunën e Gjakovës.

Ju jeni shprehur për depolitizimin e administratës, si e keni menduar realizimin e këtij pikësynimi? A kanë të drejtë të druhen të punësuarit në administratë?

Unë gjithmonë kam udhëhequr edhe si ministre me parimin e ekselencës, të asaj që administrata ndërtohet me njerëz profesionistë më tepër se sa me militantë politikë. Të njëjtin parim do ta përdor edhe vetë edhe në emërimin e drejtorëve dhe ekzekutivit në qeverinë lokale, por tashti do të shikoj edhe ata, që janë në detyrë, në rishikim të pozicioneve në kuptimin e profesionalizmit, do të thotë do të ofrojmë shërbime profesionale pa marrë parasysh përkatësinë politike. Më së paku çfarë duhet tani është të favorizojmë një parti, apo të persekutojmë një parti tjetër. Unë do të favorizoj profesionalizmin, integritetin, por gjithashtu edhe përkushtimin ndaj punës në sektorin publik.