1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vizioni i Donald Trumpit dhe skandali me shaminë

Donald Trump mbajti një fjalim parimor në Riad për fenë islame. Pas marrëveshjeve ushtarake, Presidenti amerikan Trump do të merret pak edhe me politikën botërore, ashtu siç e kupton ai.

Presidenti Donald Trump në ditën e dytë të vizitës në Riad foli për rolin e fesë dhe raportet e SHBA me vendet e fesë islame. Trump tha se SHBA dëshiron të krijojë një aleancë kundër ekstremizmit. "Nuk kam ardhur këtu për të dhënë këshilla të mira, për të treguar se si duhet të jetojnë ata, të themi se kush janë ata dhe cfarë duhet të bëjnë", tha Trump i cili shtoi: "SHBA duan një partneritet". 

Kjo është një luftë e të mirës kundër të keqes, tha ai duke folur për terrorizmin. Trump u bëri thirrje vendeve arabe që terroristëve të mos u lënë vend askund në vendet e tyre". 70-vjeçari paraqiti edhe vizionet e tij për raportet me fenë islame.

"Një ditë e jashtëzakonshme"

Në ditën e parë Trumpi nënshkroi në Riad marrëveshje ushtarake në vlerë prej më shumë se 350 miliardë dollarë. "Kjo ishte një ditë e jashtëzakonshme", tha Trump pas takimit me Mbretin saudit Salman. "Qindra miliarda dollarë investime në SHBA - punë, punë, punë." Një të tretën e volumit të marrëveshjes e përbëjnë mallrat ushtarake për Arabinë Saudite.

Agjencia shtetërore e lajmeve SPA tha se janë nënshkruar 34 marrëveshje. Ndër to edhe ajo për armatime, në vlerë prej gati 110 miliardë dollarë - që është një prej marrëveshjeve më të mëdha në historinë amerikane. Ministri i Jashtëm amerikan, Rex Tillerson tha në Riad se këtu garantohet "siguria afatgjate e Arabisë Saudite dhe e gjithë rajonit".

Presidenti Trump të shtunën ka nisur vizitën e parë në këtë rajon. Pas uljes së Air Force One, Trumpi dhe bashkëshortja e tij Melania u pritën nga Mbreti Salman personalisht në aeroport. Mbreti 81-vjeçar ka organizuar më pas edhe një takim më të gjatë me Presidentin.

Pa shami

Në ekipin e Trumpit ishte edhe vajza e tij Ivanka. Përkundër ligjeve strikte fetare, Melania dhe Ivanka Trump, nuk kanë vënë shami koke. Organizatat e të drejtave të njeriut në SHBA kanë kritikuar Trumpin për marrëveshjet e armatimeve, sepse Arabia Saudite mbështet kryengritësit në Jemen. Arabia Saudite konsiderohet si vendi i katërt  më i madh (në listën e Institutit Sipri nga Stokholmi), për të dhënat ushtarake, me një volum prej 63,7 miliardë dollarë në vit. Pas vizitës në Arabinë Saudite, Trump viziton të hënën Izraelin, e më pas edhe Brukselin, ku do të takohet me krerët e vendeve të NATO-s. 

 

 

bc/ml/qu (dpa, rtr, afp)