1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vizionarë zhgënjyes

Syriza nuk i financon dot ëndrrat e ëmbla që u premton grekëve. Ajo donte t'i bënte gjërat më mirë, por qeveria e majtë e Tsipras është edhe më konservatore se paraardhësja e saj, mendon Spiros Moskovou.

"Qëllimi ynë më i madh është lumturia e popullit grek", deklaroi të enjten ende një anëtar i lartë i qeverisë së majtë të Athinës. "Ne duam që njerëzit të mund të shkojnë të qetë natën për të fjetur, pa pasur nevojë të vrasin mendhen për faturat e papagueshme që gjejnë të nesërmen në kutinë e postës." Për pyetjen se kush do t'i financojë këto ëndërra të ëmbla të grekëve, anëtari i Syrizas reagoi më pak elokuent. Partnerët evropianë nuk do të rrezikojnë për arsye politike një Grexit. Por vetëm këto deklarata bëjnë të qartë edhe një herë se ç'ndarje pune do t'i imponojë ekipi i Tsipras botës që për katër muajsh: Athina është përgjegjëse për vizionet populiste, Brukseli dhe Berlini për financimin e tyre.

Gjendje dramatike e financave publike

Pak para skadimit të afatit të programit aktual të ndihmave në fund të qershorit qeveria e Syrizas duhet ta kuptojë se taktika e saj e çuditshme nuk do të funksionojë: sektori privat është në fund, shteti duhet të mbledhë çdo cent për të paguar pagat dhe pensionet. Për këtë shkak pas Zambias tani dhe Greqia i ka kërkuar FMN-së bashkimin e dy kësteve të borxhit për qershorin. Situata duket edhe më dramatike se sa në vitin 2010, kur ish-kryeministri Jorgos Papandreu kërkoi zyrtarisht nga partnerët shpëtimin e një vendi të falimentuar. Pesë vjet më vonë, administrata Tsipras po ngreh armën e saj gjoja të fundit për rastin më të keq: "prishjen me partnerët", në qoftë se ata nuk janë të gatshëm për ta zbutur politikën e kursimeve.

Moskovou Spiros

Spiros Moskovou

Por vetë grekët kanë një mendim krejt të ndryshëm. Sipas një sondazhi të fundit, 77 për qind e të anketuarve nuk duan një prishje, por një marrëveshje me partnerët! Gjithashtu, 77 për qind janë pro qëndrimit në zonën e euros dhe madje një ndër dy grekë mbështet një marrëveshje sipas kushteve të kreditorëve. Duke pasur parasysh këto shifra, dhe pavarësisht të gjitha kërcënimeve nga Athina, skenari më i mundshëm është një marrëveshje nga mesi i javës së ardhshme, e cila mund ta lehtësojë mungesën akute të parave në Athinë. Por me këtë problemi grek është larg zgjidhjes: edhe qeveritë e mëparshme kanë bërë dhe nënshkruar marrëveshje me partnerët, por vetëm një pjesë e tyre është vënë në jetë - dhe edhe kjo është shpesh vetëm me gjysmë zemre.

Drama e çështjes greke lidhet me një sërë problemesh të njëkohshme: së pari, e tërë eurozona - një hapësirë me një monedhë të përbashkët të fortë, por pa një politikë të përbashkët financiare - ka një problem strukturor që manifestohet në të gjithë jugun e sëmurë të Evropës. Së dyti, me politikat e tyre financiare të tepruara dhe të padisiplinuara qeveritë greke të dekadave të fundit e kanë çuar vendin para syve të partnerëve të tyre evropianë në qorrsokakun e tanishëm. Dhe së treti, Athina ka probleme serioze strukturore dhe modernizimi të mbledhura prej vitesh. Në të vërtetë nuk kishte qenë e nevojshme të priteshin teknokratët e urryer të FMN-së, këto gjëra diheshin tashmë prej kohësh. Kështu sistemet e pensioneve dhe sigurimeve greke nuk janë të qëndrueshme, për shkak se shumë grekë kanë dalë në pension të parakohshëm. Vendi është i fundi në mbledhjen e tatimeve mbi vlerën e shtuar - gjë që për anëtarët e tjerë të eurozonësh është e vetëkuptueshme.

Syriza nuk mund t'i zgjidhë problemet

Një e majtë moderne dhe efikase do t'u hynte të paktën këtyre problemeve të brendshme për t'i zgjidhur ato për të mirën e vendit në të fundit. Por çfarë bën Syriza në Greqi, e cila përndryshe synon të ndryshojë politikat financiare të eurozonës në emër të popujve të të gjithë Evropës? Qeveria Tsipras "e orientuar drejt së ardhmes" ripunëson njerëz në sektorin e fryrë publik, sipas mentalitetit të shekullit të 19-të, sipas të cilit shteti si baba duhet t'u sigurojë mundësisht punë të gjithë fëmijëve të tij. Qeveria "e majtë" e Syrizas vendosi një ligj që rregullon detyrimet tatimore: mbetjet mund të paguhet në 100 këste, dhe të gjitha gjobat anulohen. Problemi: përfituesit e kësaj amnistie janë edhe 6.500 persona që për shkak të evizionit fiskal i kanë secili borxh shtetit nga rreth një milion euro. Madje dhe qeveria konservatore Samaras donte t'i përjashtonte këta 6.500 debitorë kryesore prej këtyre rregullave të favorshme. E majta e re greke do gjoja t'i trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Dhe ajo ndoshta do ta fitojë revolucionin e saj imagjinar me degë ulliri. Vetëm jo prishje me oligarkët!

Ne gëzohemi në rast se ju shprehni mendimin tuaj për këtë koment!