1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vizat nuk do të rivendosen, por mundësia do të ekzistojë

Komisioni Evropian miratoi një dokument, për vendosjen e klauzolave të sigurisë në sistemin evropian të vizave. Masa e re do të mundësojë suspendimin e përkohshëm të regjimit pa viza në raste të jashtëzakonshme.

default

Edhe pse udhëtimi pa viza paraqet një lehtësim për qytetarët dhe është një nga arritjet më të mëdha të BE-së në bashkëpunimin me vendet jashtë tij, Brukseli do të miratojë rregullore të reja, të cilat do të jenë në gjendje t'i përgjigjen në mënyrë efikase situatave të jashtëzakonshme dhe abuzimeve me sistemin ekzistues. Komisarja e BE-së për çështjet e Brendshme Cecilia Malmstrëm i shpjegoi kështu masat mbrojtëse për pezullimin e përkohshëm të rregjimit pa viza: "Fjala është vetëm për raste të jashtëzakonshme dhe kjo do të jetë mjeti i fundit, pas një liste të gjatë masash të ndryshme, që mund të merren. Nuk synohet, që ky mekanizëm të hyjë në fuqi sot. Shpresoj, që ai kurrë të mos vihet në zbatim, por duhet të ekzistojë për të mbrojtur integritetin e sistemit dhe për të lejuar vazhdimin e procesit të liberalizimit të vizave."

Belgien EU Kommissarin Cecilia Malmström zu Visafreiheit für Albaner und Bosnier

Komisarja e BE-së Cecilia Malmström

Malmstrëm: Nuk rekomandojmë rivendosjen e vizave sot

Në Komisionin Evropian është theksuar disa herë se ky propozim nuk i referohet asnjë vendi konkretisht dhe se nuk ka automatizëm dhe se fjala është për një klauzolë të përgjithshme: "Unë nuk propozoj rivendosjen e vizave për çfarëdo vendi qoftë sot. Ka pasur probleme me disa vende, ne jemi në dialog me to dhe po përpiqemi t'i zgjidhim këto probleme së bashku. Këto rregulla kanë të bëjnë me të ardhmen dhe ekzistojnë për të bërë të mundur që në rast se do të ketë probleme urgjente të ekzistojë edhe mundësia e pezullimit të përkohshëm të regjimit pa viza, por pasi të jenë shfytëzuar të gjitha masat e tjera", sqaroi Malmstrëm.

Ajo shtoi se, sipas propozimit të Komisionit, asnjë vend nuk do të marrë i vetëm vendimin për aplikimin e masave të tilla, por do të respektojë në mënyrë rigoroze procedurat e caktuara.

Numri më i madh i kërkesave për azil vjen nga Serbia dhe Maqedonia

Me rastin e kumtimit të propozimit për ndryshimin e rregulloreve për sistemin evropian të vizave në Komisionin Evropian u përmendën edhe rastet e Serbisë dhe Maqedonisë, që janë për vendet prej nga ka mbërritur numri më i lartë i azilkërkuesve në BE pas liberalizimit të vizave.

"Me Serbinë dhe Maqedoninë jemi në bisedime për t'i minimizuar së bashku problemet. Ka një farë përparimi, por problemi vazhdon të ekzistojë edhe në vende të tjera, bëri të ditur komisarja Malmstrëm, duke theksuar se sistemi i paralajmërimit ekziston tashmë, me qëllim që problemet të zgjidhen, përpara se të jetë nevoja për suspendimin e regjimit pa viza."

Autor: M. Maksimović / A.Verbica

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora