1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Viza për Ballkanin? - BE rishqyrton liberalizimin

Udhëtimi pa viza në Evropë u bë i mundur vitet e fundit për shumë shtete fqinje të BE-së. Por kjo liri e re ka të ngjarë që të kufizohet përsëri, për shkak të rritjes së kërkesave për azil.

"Liria e lëvizjes pa visa nuk duhet të çojë në abuzim të azilit", thotë ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich dhe bën thirrje për rivendosjen e regjimit të vizave dhe procedura më të shpejta të azilimit. Edhe vende të tjera të BE-së, si Franca, vendet e Beneluksit dhe Austria kanë shprehur kërkesa të ngjashme - po ashtu edhe Britania e Madhe. Britanikët  mund të ndryshojnë më lehtë sistemin e vizave se sa vendet e tjera të BE-së, sqaron Anneliese Baldaccini nga Amnesty International:  "Gjermania nuk mund ta bëjë këtë sepse ekziston sistemi i përbashkët i vizave. Por Britania e Madhe nuk është pjesë e zonës Shengen, kështu që ata janë në një pozitë tjetër."

Zona Shengen përfshinë shumicën e vendeve të BE-së, por edhe Islandën, Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë. Atje vlen  liria për të udhëtuar pa kontroll të pasaportave dhe regjim të vizave. Kushdo që dëshiron të hyjë nga jashtë brenda zonës Shengen duhet parimisht të ketë një vizë. Por në vitet e fundit, BE-ja ka zbutur kërkesat e saj për viza për shumë vende.

Hans-Peter Friedrich (CSU), ministër i Brendshëm

Hans-Peter Friedrich (CSU), ministër i Brendshëm

Klauzola të reja për kufizimin e lirisë së qarkullimit pa viza

Kështu për shembull nga dhjetori i vitit 2009 serbët dhe maqedonët nuk kanë nevojë për viza. Megjithatë pasi që në vitin 2012 rreth 7000 njerëz nga këto dy shtete kanë kërkuar azil në Gjermani, heqja e vizave tani është vënë përsëri në pikëpyetje. Yves Pascouau punon për Qendrën e Politikave Evropiane. "Politika e vizave, e cila ndiqej në Ballkan ishte një politikë e liberalizimit të vizave. Negociatat, të cilat po zhvillohen tani kanë për qëllim futjen e klauzolave të reja për kufizimin e lirisë së qarkullimit pa viza. Kjo mund të jetë e mundur, nëse konstatohet një rritje anormale e azilkërkuesve nga vendet e caktuara, por që me të vërtetë nuk kanë të drejtë për azil."

Në vitin 2011, Komisioni Evropian propozoi të ashtuquajturën "klauzolë të sigurisë". Aktualisht për të diskutohet edhe në  Parlamentin Evropian. Dhe në takimin e ardhshëm të Këshillit të Ministrave (25.10.2012), pra takimin e ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg duhet gjithashtu të negociohet në mënyrë që rregullat e reja të miratohen së shpejti. Anneliese Baldaccini nga Amnesty International i ka ndjekur negociatat nga fillimi: "Diskutimi për këtë mekanizëm ka filluar, unë besoj, në momentin kur refugjatët tunizianë mbërritën në Itali në vitin e kaluar dhe më pas udhëtuan për në vende të tjera evropiane. Ai gjithashtu kishte në fokus edhe azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit, të cilët udhëtojnë për në shtete të tjera të Bashkimit Evropian."

Logoja e Amnesty International

Logoja e "Amnesty International"

Cilat janë kriteret për rivendosjen e regjimit të vizave?

Kriteret që do të çojnë në rivendosjen e regjimit të vizave tashmë ndodhen në tryezë, sqaron Yves Pascouau nga Qendra e Politikave Evropiane: "Ato kanë të bëjnë me numrin e njerëzve që hyjnë në një ose më shumë shtete anëtare: pra krahasohet numri i hyrjeve me numrin e atyre që dorëzojnë kërkesën për azil, si dhe numri i kërkesave për azil që përfundojnë me përgjigje pozitive.  Nëse një shtet anëtar konstaton se ka një çekuilibër në mes të numrit të hyrjeve dhe aplikimeve të miratuara për azil, ai ndoshta fillimisht do të zhvillojë një dialog me shtetin përkatës prej nga vijnë ata njerëz. Dhe pastaj ai mund të fusë sërish regjimin e vizave."

Por, si mund të përshtaten këto përpjekje me sistemin e përbashkët evropian të azilit, që duhet të zbatohet deri në fund të vitit? Njeriu duhet të bëjë dallimin në mes të rregullave mbi të drejtën e azilit dhe rregullave për lirinë e lëvizjes dhe migrimit, sqaron Yves Pascouau: "Kjo është një mënyrë për të plotësuar rregullat për lirinë e vizave duke futur përkohësisht në përdorim regjimin e vizave. Por kjo nuk i liron shtetet anëtare nga detyrimi që t'i përmbahen në të gjitha rastet rregullave për mbrojtjen e azilkërkuesve: pra, nëse dikush vjen nga një vend i Ballkanit dhe gëzon të drejtën për azil, sepse ai ka frikë për shembull për jetën e tij, atëherë shtetet anëtare duhet të shqyrtojnë kërkesën e tij për azil për të parë nëse në vendin e tij të origjinës jeta e tij është në rrezik."