1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vizë pune për njerëzit që duan të vijnë nga Ballkani në Gjermani

Socialdemokratët gjermanë duan të zgjerojnë mundësitë e punësimit për njerëzit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Serbia në Gjermani. Me një vizë pune shpresohet të ulet numri i azilkërkuesve.

Çfarë duhet bërë për të ulur numrin e lartë e azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Serbia në Gjermani? Kjo pyetje i preokupon jo vetëm autoritetet përkatëse, por edhe politikën në Gjermani. Partia Socialdemokrate, pjesë e koalicionit qeverisës ka paraqitur ide të reja në këtë drejtim. SPD-ja dëshiron të zgjerojë mundësitë e punësimit për njerëzit nga vendet e Ballkanit me qëllim që të ulet numri i azilkërkuesve. Gazeta gjermane "Rhenische Post" bën të ditur se krerët socialdemokratë kanë rënë dakord të enjten (07.08) së bashku me kryeministrat socialdemokratrë të landeve për një dokument të miratuar që të hënën me titull "Politika socialdemokrate për azilin".

Symbolbild Armutsmigration Europa

Pamje simbolike e eimgracionit ekonomik nga Ballkani

Kusht kontrata e punës

Në këtë dokument krahas kategorizimit të Shqipërisë, Malit të Zi e Kosovës si "vende të sigurta origjine" për t'i kthyer më shpejt azilantët në vendlindje, bëhet fjalë edhe për mundësi për vizë pune për njerëzit nga Ballkani. Sipas socialdemokratëve disa individë kanë që tani mundësi të punësohen në ato profesione, të cilat në Gjermani kërkojë fuqi punëtore. Shumë vetë veçse nuk e njohin këtë opcion. Socialdemokratët kërkojnë që kusht për këtë vizë pune në Gjermani të jetë një kontratë pune me të ardhura që e kalojnë pagën minimale në Gjermani, 8,5 euro në orë.

Staatsministerin für Migration und Flüchtlinge Aydan Özoguz

Socialdemokratja Aydan Özoguz

Qeveria gjermane gjithmonë ka theksuar se kërkesa për azil është rruga e gabuar për këta njerëz. Zëvendëskryetarja e partisë socialdemokrate, Aydan Özoguz është shprehur se është e nevojshme që këtyre njerëzve t'u ofrohet perspektiva dhe rrugë legale për emigracion. "Ne duhet të hapim një mundësi hyrjeje", bën të ditur e ngarkuara e qeverisë gjermane për migracionin. Pyetjes nëse Unioni kristiandemokrat e kristiansocial do të ndjekë të njëjtin kurs, Özoguz iu përgjigj se "kjo mbetet të shihet". Kreu i kristiansocialëve, Horst Seehofer është shprehur parimisht kundër të gjitha masave që shtojnë migrimin në Gjermani.

Reagime pas propozimit të socialdemokratëve

Por reagimet e para të partisë kristiandemokrate, CDU pas propozimit të socialdemokratëve nuk janë tërësisht refuzuese. Kryeministri i landit të Hesenit nga CDU-ja, Volker Bouffier e cilësoi propozimin të mundshëm për ta diskutuar. "Me dhënien e vizave të punes mund t'u ndihmohet drejtpërdrejt atyre që kanë nevojë, pra ata që largohen nga Ballkani për arsye ekonomike dhe hyjnë në Gjermani me dokumente të rregullta." Sipas kristiandemokratit Bouffier nga ky koncept mund të përfitojë edhe ekonomia gjermane. Sipas tij ky propozim është i mundur të diksutohet në debatin e federatës dhe landeve për politikën e azilit dhe refugjatëve që është vendosur të mbahet në shtator.

Volker Bouffier

Volker Bouffier, kryeministri i landit të Hesenit

Edhe në shtypin gjerman reagimet ndaj propozimit socialdemokrate janë pozitive. Gazeta gjermane "Südëestpresse" në analizën e saj për refugjatët nga Ballkani thekson se fillimisht duhet punuar që të përmirësohen kushtete e jetesës së njerëzve në Ballkan. "Sigurisht Gjermania nuk mund të pranojë gjithsecilin që dëshiron të vijë këtu. Njerëzit nga Ballkani nuk ikin nga lufta civile, dhe në shumicën e rasteve nuk përndiqen. Po pse të mos u japim një shans atyre që sjellin me vete njohuri gjuhe dhe dije profesionale? Në këtë drejtim kemi propozime të arsyeshme. Eskpertët e tregut të punës propozojnë t'u jepet një leje pune e kufizuar, për sa kohë njerëzit nga Ballkani e gjejnë një punë. Kështu mund të lehtësohet edhe sistemi i azilit."