1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Viviane Reding: "Kemi nevojë për Angelën"

Deri në 2015-ën do të jetë e qartë se ç'pamje do të ketë Evropa politikisht, beson Viviane Reding. Në bisedë me Deutsche Welle-n zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian flet edhe për rolin e Gjermanisë.

Deutsche Welle: Zonja Reding, si pasojë e krizës financiare po diskutohet gjithnjë e më shumë mbi një bashkim politik. Me të drejtë, apo mos është kjo pak a shumë përpjekja për të dalë nga kriza duke marrë parasysh rreziqe?

Viviane Reding: Mbi bashkimin politik diskutojmë prej dekadash. Vetëm se në Evropë është gjithnjë e njëjta punë: Kur gjëja ecën mirë, ne rehatohemi dhe e sodisim gjënë nga larg. Por, kur hasim në vështirësi, atëherë kërkojmë menjëherë reformën. Dhe këtë herë reforma po bëhet shumë më shpejt sesa jemi mësuar që të bëhet. Duhet ta konsolidojmë Evropën në formën e një bashkimi, në rast se synojmë mbijetesën.

Foto e përbashkët e Komisionit Evropian

Foto e përbashkët e Komisionit Evropian

Shihni njëherë dallimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Në Shtetet e Bashkuara ka një shumë edhe më të madhe borxhesh dhe një deficit më të madh sesa në eurozonë. Ata kanë një sasi të madhe borxhesh prej 101 për qind të produktit të brendshëm bruto (GDP), ne në Evropë kemi 91 për qind të GDP-së. Deficiti në Shtetet e Bashkuara: Shtatë për qind e GDP-së, në eurozonë tre për qind e GDP-së. Pra, ata janë shumë më keq sesa ne. Mirëpo, a keni dëgjuar ndonjëherë që dollari të jetë në rrezik? Kurrë. Përse? Fare thjesht, për arsye se ata kanë krijuar një bashkim fiskal dhe politik. Dhe pikërisht këtë duhet të bëjmë edhe ne, në mënyrë që, së pari, të sigurojmë ekonominë tonë dhe, së dyti, të kemi edhe nesër të drejtë fjale në skenën botërore.

Kur të konkretizohet më shumë bashkimi politik, a mund të ngjasë që disa politikanë t'i druhen dhënies së një sovraniteti më të madh Brukselit. Si do të silleshit ju me këtë?

Atëherë, fare thjesht, do të merrja fjalët e Angela Merkelit: Nuk është fjala te humbja e sovranitetit, po te ndarja e sovranitetit. Te të bërit bashkë e sovranitetit me atë të të tjerëve, në mënyrë që ky sovranitet të bëhet më i fortë, sepse të gjithë ne (parë veç e veç) jemi tepër të vegjël. Me këtë nuk e kam fjalën vetëm te vendi im Luksemburgu. Edhe Gjermania është tepër e vogël për ta treguar veten në skenën botërore. Franca është gjithashtu tepër e vogël.

Në foto, Viviane Reding dhe Angela Merkel

Në foto, Viviane Reding dhe Angela Merkel

Dhe si e shihni ju në këtë proces rolin e Gjermanisë?

Gjermania është një shtet i madh. E vetëdijshme për përgjegjësinë, Gjermania ka marrë gjithnjë përsipër përgjegjësinë e rolit udhëheqës. Këtë Angela Merkeli e bën me shumë qetësi, me shumë largpamësi. Unë them gjithnjë, na duhet Angela. Por jo vetëm Angela. Ne jemi 27 vende në BE dhe secili duhet të kontribuojë një copëz, në mënyrë që kontinenti të bashkohet sipas synimeve të të gjithëve.