1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Viti i shkuar dëm i François Hollande

Nga hero i Bastijës në klloun të Pallatit Elizee: një vit pas fitores në zgjedhje, presidenti i Francës, François Hollande nuk i ka realizuar premtimet për të cilat u angazhua.

Ai nuk dëshiron të festojë. Në përvjetorin e parë të ardhjes në pushtet, presidenti i Francës, Francois Hollande ndodhet në rënie të lirë. Në maj 2012 francezët votuan për ndryshimin e pushtetit politik. Shpresat qenë të mëdha. Por një vit dhe një rekord papunësie më vonë, shumë qytetarë janë të zemëruar për tone premtimesh të parealizuara.

Alain, në mes të të dyzetave thotë se tani "ka ardhur në vete": "Hollande pati nevojë për votat e të majtëve për fitoren e tij në zgjedhjeve dhe shpalli se do të ndiqte një politikë me orientim të majtë. Por sot ndodh e kundërta. Shumë projektligje nuk favorizojnë punonjësit."

Administrator i hutuar në krye të shtetit

Një republikë sociale të drejtë dhe një ofensivë të patrembur kundër krizës ekonomike, para së gjithash fundin e presidencës që shihej nga shumë vetë si e pagdhendur të Nikolas Sarkozysë - ishin këto të gjitha ato që donte të arrinte socialisti me pamje miqësore. Por sot ai ka ngrirë në pavendosmëri, në spërkatën midis thirrjes për më shumë shtet social në krahun e tij të majtë dhe presionit për reforma të Evropës. Madje edhe imazhi i politikanit të pastër ia ka lënw vendin atij të administratorit të hutuar në krye të shtetit, i cili nuk qe në gjendje të ndalonte që ministri i buxhetit, Jerome Cahuzac, që nuk kishte paguar taksa, të përbaltte qeverinë e tij "të pastër si drita".

Hollande u bën bisht temave të mëdha

"Ne kemi disktuar gjerësisht për martesat e homoseksualëve. Por si është puna me pjesën tjetër? Për mua ka gjëra shumë më të rëndësishme. Riindustrializimi i Francës, për shembull. Atë ne mund ta arrijmë vetëm me pak patriotizëm ekonomik në Evropë, si dhe në SHBA. Ka shumë tema, për të cilat nuk dëgjoj të diskutohet fare", thotë Colette, e cila është që prej 15 vjetësh anëtare e Partisë Socialiste.

Numri i premtimeve të parealizuara është me të vërtetë i lartë. Taksat prej 75 përqind për të pasurit, e cila tërhoqi vëmendjen në të gjithë Evropën, u frenua nga një veto e Komisionit Kushtetues, duke përcuar pamjen e një qeverie diletante. Dhe para së gjithash "jo"-ja e shpresuar ndaj kursit të kursimeve që kërkon Gjermania.

Një vit pas ardhjes në pushtet të Hollandes lidhja midis tij dhe zgjedhësve është këputur. Tri të katërtat e francezëve e vlerësojnë negativisht politikën e tij. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.