1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbikqyrja e pavaresise se Kosoves

24 Janar 2012

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën sheh progres në zbatimin e tërësishëm të Planit Ahtisari dhe i kërkon Serbisë që të veprojë në përputhje me zotimet e saj ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/13pFL
Pamje nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina në Prishtinë
Pamje nga kryeqyteti i Kosovës, PrishtinaFotografi: picture-alliance/dpa

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën në të cilin bëjnë pjesë vendet evropiane dhe SHBA që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, konstatoi se Kosova ka arritur në fazën përfundimtare të zbatimit të planit të Marti Ahtisarit. Për rrjedhojë, ky mekanizëm do të fillojë përgatitjet për përfundimin e organizuar të pavarësisë së mbikqyrur. Ky proces duhet të përfundojë brenda vitit 2012. Këto konstatime u nxorën nga takimi i Grupit që zhvilloi punimet të martën(24.01) në Vjenë të Austrisë ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Peter Faith, shpalosi pas takimit strategjinë që parasheh përmbylljen e mbikqyrjës së pavarësisë së Kosovës.

Kosova në fazën përfundimtare të zbatimit të planit Ahtisari

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën kërkon nga institucionet kosovare që t'i zbatojnë disa masa specifike për t'i fuqizuar parimet thelbësore, siç janë, decentralizimi, të drejtat e komuniteteve, trashëgimia kulturore dhe ballafaqimi me të kaluarën. Këto parime janë të domosdoshme për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Peter Faith. Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë në vazhdën e perspektivës evropiane dhë në këtë kuadër vendit i nevojiten akoma ekspertë ndërkombëtarë me qëllim të vazhdimit të zhvillimit të kapaciteteve të institucioneve të Kosovës.

“Grupi mbështet pakon e ndryshimeve në Kushtetutën e Kosovës dhe i bënë thirrje qeverisë dhe partive politike dhe institucioneve të tjera, që të punojnë në mënyrë bashkëpunuese, të miratohen ndryshimet e nevojshme në kuvend në mënyrë që këto ndryshime t'i heqin të gjitha elementet e mbikëqyrjes ndërkombëtare nga Kushtetuta e Kosovës”, tha Peter Faith.

Peter Faith, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë
Peter Faith, Shefi i Zyrës Civile NdërkombëtareFotografi: DW

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, shprehu zotimin qeverisë për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisar-it në mënyrë që ky vit të shënojë fundin e pavarësisë së mbikëqyrur. “Procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë nënkupton edhe forcimin e rolit të BE-së dhe përparim në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, theksoi Thaçi.

Qeveria më tepër progres në drejtësi dhe sundim të ligjit

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith, i cili kryeson Grupin Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën kërkon nga qeveria e Kosovës që të përshpejtojë progresin në drejtësi, sundim të ligjit, përfshirë këtu edhe mbrojtjen e dëshmitarëve, në arsim dhe shëndetësi. Grupi në takimin e së martës foli edhe për integritetin teritorial të Kosovës, duke i bërë thirrje Serbisë, që të përmbahet lidhur me ndërhyrjet në Kosovë.

Serbisë i kërkohet  të mos ndërhyjë në Kosovë

“Grupi për Kosovën nga Serbia kërkon që të veprojë në përputhje me zotimet e saj ndërkombëtare dhe të përmbahet  lidhur me ndërhyrjet në Kosovë duke përfshirë këtu tërheqjen e pranisë së saj policore, të sigurisë dhe pranive të tjera shtetërore, si dhe të mbështesë përpjekjet e aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të Kosovës për promovimin e sundimit të ligjit”, theksoi Faith.

Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës
Hashim Thaçi, Kryeministri i KosovësFotografi: picture alliance/dpa

Ai i bëri thirrje Serbisë që zgjedhjet e saj lokale të mos shtrihen në veri të Kosovës. Por njëkohësisht i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që t'u shtrijë aktivisht dorën qytetarëve serbë, në veçanti atyre në komunat veriore. “Qeveria e Kosovës, duhet të demonstrojë se ajo i kupton dhe i respekton të drejtat e serbëve, brengat e tyre sidomos ato që lidhen me sigurinë, gjuhën dhe identitetin e tyre”.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën përgëzoi Kosovën për angazhimin e saj në dialogun me Serbinë të drejtuar nga Bashkimi Evropian. Ai inkurajon Serbinë edhe Kosovën që të vazhdojnë të arrijnë marrëveshje për çështjet praktike për qytetarët e tyre dhe  t'i zbatojnë ato me shpejtësi. Grupi do të zhvillojë edhe një takim gjatë këtij viti për të vlerësuar nëse është bërë progres i mjaftueshëm në pikat e sipërpërmendura, me qëllim që ta caktojë edhe datën së kur do të shënohet edhe zyrtarisht fundi i mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi