1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Viti 2012 - fundi i mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës?

Qeveria e Kosovës është duke hartuar një plan në bashkëpunim me mekanizmat e Bashkimit Europian, për zvogëlimin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Qeveria e Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore gjatë vitit 2012 do të ketë përmbylljen e mandatit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila mbikqyrë pavarësinë e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai thotë se qeveria e Kosovës është duke hartuar një plan konkret në bashkëpunim me mekanizmat e Bashkimit Europian, plan ky që përfshin edhe bartjen e kompetencave nga misioni EULEX, tek institucionet e Kosovës, përkatësisht me shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në veri të Kosovës.

Viti 2012 - presim respektim të sovranitetit në Veri

“Përsa i takon përkushtimit në Veri ne presim që të kemi angazhime të shtuara në koordinim të plotë edhe me KFOR-in edhe EULEX-in gjatë vitit të 2012. Presim që atje të ketë respektim të tërësisë territoriale e sovranitetit të plotë dhe funksionalizim të institucioneve tona”, thotë Hajredin Kuçi. Një delegacion i qeverisë së Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, javën që shkoi ishte në Bruksel, ku me zyrtarët e lartë të BE-së për menaxhimin e krizave dhe planifikimit është diskutuar për fazën fillestare të përfundimit të pavarësisë se mbikëqyrur.

Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi

Me theks të veçantë është folur për sistemin e drejtësisë, për policinë dhe segmente të tjerë, ku do të mund të fillonte zvogëlimi i prezencës së pjesëtarëve të misionit të BE-së, njofton qeveria e Kosovës. Sipas saj, palët janë dakorduar që të hartohet një plan i përbashkët me detyrat dhe obligimet konkrete që do të kenë institucionet e Kosovës dhe EULEX-i, në mënyrë që rendi dhe ligji të jenë funksional në të gjithë territorin e Kosovës. Zyrtarë nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe misioni EULEX, pohojnë se ata po punojnë për një plan të përbashkët me qeverinë e Kosovës për zvogëlimin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë, por nuk konfirmojnë nëse viti 2012 do të jetë edhe fundi i kësaj prezence.

ICO - Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë kur të zbatohet plani i Marti Ahtisarit

Zëdhënësi i ICO-së, Kristian Palme, thotë se përfundimi i zbatimit të decentralizimit vazhdon të mbetet prioritet i kësaj zyreje. Për këtë ajo ka marrë edhe mandatin. Sipas tij, pavarësia e mbikqyrur do të përfundojë atëherë kur të jetë zbatuar në tërësi plani i Marti Ahtisarit. Ai thotë se për fundin e pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës, vendosë Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, pjesë e të cilit janë vendet europiane dhe SHBA-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Takimi i radhës i këtij grupi do të mbahet me 24 janar të vitit 2012. “Takimi i radhës i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, “ISG”, niveli i drejtorëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Vjenë, më 24 janar të vitit të ardhshëm. Gjatë këtij takimi, do të diskutohen detyrat e Zyrës Civile Ndërkombëtare “ICO”, për vitin e ardhshëm dhe do të miratohet buxheti për vitin 2012”, thotë Kristian Palme.

Newborn - Të rilindur - skulpturë publike

Newborn - Të rilindur - skulpturë publike

Misioni EULEX është në dialog të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës

Ndërkohë, zyrtarët e misionit EULEX, nuk japin shumë detaje për planin e zvogëlimit të prezencës së tyre në Kosovë. Ata i thanë DW-së, se: “ky mision është në dialog të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës edhe sa i përket vazhdimit e funksionin e mandatit të EULEX-it në Kosovë”.

Viti 2012 nuk do të mjaftojë që ICO ta përmbush mandatin e saj në Kosovë

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, ndërkaq, nuk janë të bindur se zvogëlimi i prezencës ndërkombëtare në Kosovë do të ndodhë, para se Prishtina zyrtare ta shtrijë autoritetin e plotë në veri të Kosovës. Serbët e atjeshëm nuk komunikojnë me institucionet e Prishtinës. Në një analizë të Institutit Kosovar për Zhvillime të Politikave KIPRED, thuhet se viti 2012 nuk do të mjaftojë që zyra civile ndërkombëtare ta përmbush mandatin e saj. Ardian Arifaj nga instituti KIPRED, nuk beson që do të mjaftojë një vit që ICO-ja, ta përmbushë misionin për të raportuar para Grupit Drejtues Ndërkombëtar se e ka përmbushur atë dhe se mund ta mbyllë zyrën në Prishtinë. "Ndikimi i Beogradit te serbët në veri të Mitrovicës do të vazhdojë të jetë pengesa kryesore për zbatimin e decentralizimit në atë pjesë të Kosovës”, thotë Ardian Arifaj.

Naim Rashiti

Naim Rashiti, analist

Qeveria në Prishtinë ka paralajmëruar krijimin e një strategjie të re për integrimin e veriut të Kosovës, duke përjashtuar mundësinë që veriu i Kosovës të mbetet nën një mbikëqyrje ndërkombëtare. Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në një analizë thotë se nuk duket që ka vullnet as në Prishtinë e as në mesin e komunitetit ndërkombëtar që veriu i Kosovës të kalojë në një status kalimtar me mbikëqyrje ndërkombëtare. Naim Rashiti analist në këtë organizatë thotë për DW se Bashkimi Evropian dhe SHBA-së, nuk duan që edhe njëherë të administrojnë territore të veçanta në Ballkan. "Faktori ndërkombëtar kërkon që zgjidhja e çështjes së veriut të bëhet përmes dialogut Prishtinë-Beograd drejt përmirësimit të marrëdhënieve dhe integrimi i serbëve të bëhet përmes rendit kushtetues të Kosovës dhe Pakos së Marti Ahtisarit me disa pika shtesë”, thotë Naim Rashiti.

Por sipas tij, problem dhe e paqartë mbetet akoma heqja e barrikadave të serbëve në rrugët e veriut të Kosovës. Sipas zotit Rashiti, në situatën në të cilën ndodhet veriu i Kosovës e vetmja zgjidhje është një rimodelim i pakos së Marti Ahtisarit, duke filluar me investime të veçanta të qeverisë që do të garantonte një lloj autonomie më të madhe për komunat serbe të veriut të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Lindita Arapi