1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Viti 2008 - viti i pavarësisë së Kosovës

Nga pavarësia tek kushtetuta, UNMIKU, njohja e shtetit të ri dhe vënia në pikëpyetje e shtetit kosovar nga Serbia. Një vit emocional dhe i dallgëzuar për Kosovën.

default

Në ditët e para të fillimvitit në Kosovë shënohet konstituimi i institucioneve qëndrore të vendit. Zgjidhet presidenti dhe kryeministri. Fatmir Sejdiu kryetar i LDK-së, zgjidhet president ndërsa Hashim Thaçi kryetar i PDK-së zgjidhet kryeministër i Kosovës. Kjo u arrit në bazë të një marrëveshjeje koalicioni ndërmjet këtyre dy partive. Fatmir Sejdiu do ta ushtrojë këtë post edhe për pesë vitet e ardhshme. Sejdiu premtoi se do të jetë unifikues i spektrit politik kosovar në Kosovën e pavarur. Sejdiu: "Zotohem para jush si deputet dhe para qytetarëve të Kosovës se do të vihem me të gjitha fuqitë dhe dijen time në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Kujdes të veçantë do t’i kushtojë ruajtjes së unitetit demokratik të vendit dhe me të gjitha energjitë do të angazhohem për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës".

Kosovo Unabhängigkeit Thaci und Sejdiu mit neuer Flagge

Presidenti dhe kryeministri kosovar

Kabineti i ri qeveritar

Ndërsa kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së bëri të ditur se kabinetin e tij qeveritar ai e ka zgjedhur me kujdes. Thaçi premtoi se në Kosovë gjërat do të ndyshojnë për mirë. Thaçi: "Institucionet e Kosovës do të funksionojnë në të gjithë territorin e Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. Për Kosovën nuk do të ketë aneksim, por do të ketë vetëm integrim", thotë Thaçi. Pritje për pavarësinë

Konstituimin e institucioneve qendrore dhe zgjedhjen e udhëheqësve të rinj, në Kosovë përfundoi por pritja për shpalljen e pavarësisë vazhdoi. Në KS-it kishte dështuar votimi i planit të Marti Ahtisarit, sepse këtë e kundërshtonte Federata Ruse, anëtare me të drejtë vetoje në KS-it. Të ndodhur në një situatë të tillë rruga e vetme e Prishtinës zyrtare mbetej shpallja e pavarësisë në mënyrë të njëanshme, kjo në marrëveshje të kordinuar me mbështetësit e planit të Marti Ahtisarit, i cili Kosovën e parashihte një vend të pavarur me mbikqyrje ndërkombëtare. Gjatë gjysmës së parë të muajit shkurt flitej për data të ndryshme të shpalljes së pavarësisë, mirëpo vetëm pak kohë para datës 17 shkurt publikohet zyrtarisht vendimi i Prishtinës se në këtë datë do të shpallet pavarësia e Kosovës.

Kosovo Unabhängigkeit Erklärung wird unterschrieben im Parlament von Pristina

Nënshkruhet pavarësia

17 shkurti - shpallja e pavarësisë

Në 17 shkurt Kuvendi mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme dhe në orën 15:45 minuta ai e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Deklaratën e pavarësisë e lexoi kryeministri Hashim Thaçi. Thaçi: "Ne udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik".

Në sallën e kuvendit ishin të 109 deputetët. Mungonin deputetët serbë, të cilët në atë kohë kërcënoheshin nga Beogradi zyrtar që të mos të bashkëpunonin me shqiptarët. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova fillon të njihet nga vendet që e kanë mbështetur planin e zotit Marti Ahtisari. Vështirësitë e shtetit të ri kosovar

Përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës e kundërshtuan pavarësinë dhe thonë se ata do ta formojnë një parlament të tyre si kundërpërgjigje ndaj pavarësisë së Kosovës. Me këtë ata dëshirojnë që të kenë një mekanizëm të tyre që do të kujdeset siç thonë ata vetë për serbët e Kosovës dhe t'u përgjigjet veprimeve të kuvendit të Kosovës.

Nebojsha Joviq, ishte anëtar i këshillit kombëtar të serbëve të Kosovës: Ai deklaroi: "Është e pamundur që pavarësia e Kosovës të zbatohet në veriun e Kosovës, por nuk guxojmë që të bëjmë asgjë që do të vinte në rrezik popullatën serbe në pjesët tjera të Kosovës. Pra çdo vendim i veriut të Kosovës do të merret në bashkërendim edhe me serbët që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës".

Kosovo US Botschaft in Belgrad brennt

Trazira në Beograd

Të revoltuar nga shpallja e pavarësisë, serbët e Kosovës organizojnë protesta të vazhdueshme, të cilat eskalojnë në dhunë. Ata ju vënë zjarrin dy pikave doganore në kufirin verior të Kosovës me Serbinë. Protestat vazhdojnë çdo ditë. Serbët okupuan me dhunë edhe gjykatat në veri të Kosovës deri më 17 mars, datë kur policia ndërkombëtare të ndihmuara edhe nga forcat paqerujatëse i largojnë ata nga gjykatat. Gjatë operacionit ndodhin përleshje ndërmjet serbëve dhe policisë dhe për pasojë një polic ndërkombëtar vritet nga serbë të armatosur.

Pas gjithë këtyre ngjarjeve situata në Mitrovicë qetësohet, por tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Udhëheqësit politik kosovar nuk kanë ndonjë plan veprimi për veriun, sepse ishin të zënë me krijimin e shtetit të ri. Kushtetuta e Kosovës dhe UNMIK-u

Më 9 prill, në Prishtinë hartohet Kushtetuta e Kosovës e cila vendin e shpall Republikë Parlamentare në kufijtë e saj ekzistues. "Kushtetuta e Kosovës ju mundëson qytetarëve tanë që të marrin frymë në mënyrë të barabartë para ligjit. Ajo i mbron privilegjet dhe të drejtat e të gjthë shtetasve pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo racore", thotë Thaçi.

Kuvendi i Kosovës vazhdoi punën me miratimin e ligjeve që parashihte pakoja e Marti Ahtisarit. Kjo vazhdoi deri më datën 15 qeshor, kur kuvendi i Kosovës miraton Kushtetutën. Pas miratimit të Kushtetutës pritej të zbehej roli i administratës së Kombeve të Bashkuara dhe do të duhej që UNMIK-u të mbartte të gjtha përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës. Kjo nuk ndodhi sepse nuk ishte shfuqizuar rezoluta 1244 e KS-it. Askush nga zyrtarët e UNMIK-ut, nuk konfirmonte se pas miratimit të Kushtetutës, UNMIK-u do të dorëzojë përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës. Kjo për faktin që tashmë ishte e qartë se rezoluta 1244 do të mbetej në fuqi në Kosovë edhe për një kohë.

"UNMIK-u i përshtatet me situatën në terren prej 10 vjetësh që nga viti 99-të. Natyrisht që tash kur Kushtetuta ka hyrë në fuqi, ne do ta kemi parasysh këtë dhe do të rikonfigurohemi sa të jetë e nevojshme, natyrisht në konsultim me Nju Jorkun dhe partnerët tanë", u shpreh zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie. Ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës vihet në pikëpyetje nga Serbia

Gjatë gjithë verës dhe fillimit të vjeshtës vazhdonin diskutimet për mbartjen e përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës. Serbia nga ana e saj vazhdimisht kundërshtonte pavarësinë e Kosovës dhe kërkonte mekanizma ligjorë që do hidhnin poshtë pavarësinë e Kosovës.

EU Aussenministertreffen in Brdo Slowenien Vuk Jeremic

Ministri i jashtëm serb, Jeremiq

Ajo kërkonte nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, nxjerrjen e një rezolute me të cilën i kërkohej GJND-së që ta shqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Asambleja voton në favor të rezolutës serbe. Prishtina zyrtare reagon ndaj kësaj rezolute dhe kryeministri Hashim Thaçi këtë nismë të Serbisë e cilëson një nismë të keqe që nuk i kontribuon qetësisë në Ballkan.

Thaçi: "Me këtë veprim Serbia dhe njëherë po e dëshmon polikën e saj jovizionare në raport me paqen, stabilitetin dhe intergrimin rajonal. Kjo nismë edhe nisma të tjera të këqija që mund të vijnë nga Serbia nuk duhet të na hutojnë e as frikësojnë, por duhet të vazhdojmë në rrugën për integrim dhe zhvillim ekonomik. Kosova e thotë botërisht se e ardhmja e jonë kalon nëpërmjet Uashingtonit dhe Brukselit dhe jo nëpërmjet Beogradit."

Vetëm një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së merr vendimin, dy shtete fqinjë të Kosovës, Mali i Zi dhe Maqedonia njohin pavarësinë e Kosovës. Ky ishte një lajm shumë i mirë për Prishtinën zyrtare pas disfatës që pësoi në Kombetet e Bashkuara.

Mazedonien hat Kosovo als unabhängigen Sttat anerkannt

Maqedonia njeh Kosovën

Njohjet e reja të shtetit të Kosovës nga dy fqinjët e saj sipas kryeministrit Thaçi, nuk duhen shikuar si vendime kundër Serbisë por, qëndrime të qarta për të ardhmën evropiane të rajonit të Ballkanit. "Këto vendime nuk janë të drejtuara kundër askujt por, janë vendime të përgjegjshme që përcjellin paqe dhe stabilitet rajonal", thotë Thaçi.

Vendimi që ishte marrë që GJND-së ta shqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, vazhdoi ta shqetësonte Prishtinën zyrtare. Si kundërpërgjigjje autoritet e këtushme krijojnë një grup ligjor që do të ballafaqohet në GJND-së me Serbinë dhe kryesues të grupit emërojnë britanikun Michael Wood.

Prishtina zyrtare krijoi grupin e saj për në GJND-së, mirëpo, njohës së të së drejtës ndërkombëtare vazhdimisht theksonin se çfarëdo qoftë vendimi i GJND-së, Kosovën nuk e obligon asgjë. Për një periudhë çëshja bie në heshtje pasi autoritetet e GJND-së thonë se rasti do të trajtohet brenda një periudhe 3 vjer´çare. Kosova ndërkohë njihet si shtet i pavarur nga 53 vende të botës.

Kuvendi miratoi mekanizmin ligjor që i lejojnë Kosovës anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar financiarë. Kosova aplikon për anëtarësim në këto mekanizma. Aktualisht vendi është në pritje të përgjigjjes, sikundër pret njohje të reja të shtetit në mënyrë që të arrihet numri i mjaftueshëm për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në OKB.

  • Data 29.12.2008
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GMfm
  • Data 29.12.2008
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GMfm