1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vit mosmarrëveshjesh - një vit koalicion CDU/FDP në pushtet

Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit të qeverisë midis CDU dhe liberalëve të FDP-së, zëvendëskancelari Guido Westerwelle bën një bilanc pozitiv. Por zgjedhësit janë të zhgënjyer. Edhe opozita shprehet

Kancelarja Merkel dhe zëvendëskancelari Westerwelle

Kancelarja Merkel dhe zëvendëskancelari Westerwelle

Një vit më parë, CDU/CSU dhe FDP nënshkruan marrëveshjen e një koalicioni. Atmosfera në krye të qeverisjes ishte shumë e qartë dhe optimiste. Por në fjalët e kancelares Angela Merkel ndihej që atëherë droja se me partnerin e koalicionit FDP ndoshta nuk do të ishte edhe kaq e lehtë:

"Ne kemi punuar gjatë, që ta farkëtojmë një koalicion të tillë dhe ai duhet të na mbajë edhe në ditët, kur punët të vështirësohen disi."

Asnjë projektligj nuk avancoi pa konflikte

Dhe me të vërtetë, punët u vështirësuan. Koalicioni lë pas një vit grindjesh dhe mosmarrëveshjesh. Asnjë projektligj nuk qe i mundur të çohej përpara pa konflikte midis partive në pushtet. Çifti i ëndërruar CDU dhe FDP u kthye në një ëndërr të keqe për qytetarët, kritikoi kryetari i Fraksionit parlamentar të Partisë Socialdemokrate Gjermane, Frank Walter Steinmeier:

"Kështu nuk mund të qeverisësh, si kjo që pamë këtë vit të parë. Dhe këto nuk janë vështirësi fillimi, kjo është një gjë e cila nuk mund të funksionojë në plan afatgjatë. Dhe kjo ka të bëjë me faktin se këtë koalicion nuk e lidh me njëri-tjetrin me të vërtetë diçka."

Westerwelle bën bilanc pozitiv

Shembulli i lehtësimeve në taksa. Për FDP-në ky ishte njëri prej synimeve më të rëndësishme, ajo donte të ulte taksat. Unionistët nga ana e tyre nuk shihnin hapësirë veprimi në kohët e krizës ekonomike dhe të deficitit rekord. Vetëm një fjalë e kancelares e shqiptuar nga pozita e saj si kryetare qeverie i dha fund grindjes. Shembulli tjetër: zgjatja e moshës së pensionit në 67 vjeç. CDU dhe FDP dëshironin t'i përmbaheshin futjes së kësaj moshe në legjislacion. Këtë herë ishte kundër shefi i CSU, Horst Seehofer, i cili kërcënoi se do të largohej nga koalicioni. Megjithatë, shefi i liberalëve FDP, Guido Westerwelle bëri një bilanc pozitiv në fund të vitit të parë të bashkëqeverisjes:

"Unë konstatoj se ekonomia po rritet, papunësia po ulet, kjo ka të bëjë edhe me kushtet politike kuadër. Në arsim ne krijuam shanse të reja, në kërkimet shkencore hapëm rrugën. Ne kemi një raport më të mirë të sigurisë dhe lirisë në të drejtat e qytetarëve dhe ne kemi avancuar dukshëm në reformën e sistemit të sigurisë sociale. Edhe në politikën e jashtme nuk mund t'i mohosh sukseset, edhe nëse dëshiron të jesh shumë kritik ndaj nesh."

Por në sondazhe, këto suksese nuk pasqyrohen. Të dy partnerët e koalicionit kanë rënie të konsiderueshme. Madje nëse do të zhvilloheshin tani zgjedhje parlamentare, FDP-ja duhet të kishte frikë nëse do të arrinte të futej në Bundestag.

Autor: Bettina Marx/Auron Dodi

Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 28.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PrNL
  • Data 28.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PrNL