1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vit i ri impulse tër reja për shpëtimin e euros - Takimi Merkel dhe Sarkozy në Berlin

Gjermania dhe Franca sërish ndërmarrin iniciativën në luftën kundër krizës së borxheve në euro-zonë tri javë para samitit të BE-së. Presidenti francez Sarkozy dhe kancelarja gjermane Merkel konsultohen në Berlin.

Konferenca e përbashkët e shtypit në Berlin - Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel

Konferenca e përbashkët e shtypit në Berlin - Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel i ka kërkuar Greqisë që të kryejë detyrimet për kapërcimin e krizës së borxheve. "Gjermania dhe Franca luftojnë që të realizohet dhënia e ndihmave miliardëshe dhe Greqia të mbetet në zonën e euros", tha Merkel pas një takimi (09.01.2012) me presidentin francez, Nicolas Sarkozy. Kusht për këtë është që qeveria e Athinës të realizojë premtimet e bëra. Njëkohësisht duhen bërë shtyrje vullnetare të borxheve. Pa plotësimin e këtyre pikave nuk do të derdhet asnjë para në Athinë.

Union fiskal për zgjidhen afatgjatë të krizës së borxheve

Merkel u shpreh e kënaqur me bisedimet për krijimin e një unioni fiskal, për të cilin u ra dakord parimisht në takimin e nivelit të lartë të BE-së të mbajtur në dhjetor. Ekziston mundësia që marrëveshjet përkatëse të nënshkruhen në fund të muajit janar, në takimin e radhës të nivelit të lartë, apo më së voni deri në mars. Me to vendet e euros detyrohen të mbajnë disiplinë buxhetore, për të zgjidhur në mënyrë afatgjatë krizën e borxheve. Megjithatë Greqia mbetet problemi më i madh. Ajo ka nevojë urgjente për nëntë miliardë euro, ndryshe do të falimentojë. Megjithatë reformat e premtuara, që duhet të rrisin të ardhurat shtetërore, po kryhen me zvarritje.

Merkel dhe Sarkozy për aplikimin e taksës së traksaksioneve financiare

Kancelarja u tregua e gatshme për futjen e taksës së traksaksioneve financiare vetëm në zonën e euros. Por brenda koalicionit qeverisës kristiandemokrat/kristiansocial dhe liberal-demokrat ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për këtë çështje. Liberal-demokratët kërkojnë që taksa të përfshijë të gjitha vendet e BE-së, pra edhe Britaninë e Madhe. Ndërsa qeveria e Londrës refuzon. Sarkozy ka njoftuar se në rast nevoje, ai është i gatshëm ta aplikojë taksën vetëm në Francë. Ai do t'i bëjë të ditura detajet në fund të muajit janar.

Kancelarja Merkel foli për "një synim ambicioz, por i realizueshëm" për stabilizimin e monedhës së përbashkët. Por ajo i vuri fre shpresave për një zgjidhje të shpejtë të krizës së borxheve në zonën e euros. "Zgjidhja do të vijë hap pas hapi. Në një takim të takim të nivelit të lartë nuk mund të jepen zgjidhje për të gjitha çështjet".

Euro, e mori pak veten të hënën pasdite në bursë, pas nivelit të ulët në 16 muajt e fundit. Tregtarët mendojnë se kjo nuk do të zgjasë shumë, sepse shqetësimet për krizën e euros vazhdojnë t'i stepin investitorët. Pohimet e kancelares Merkel dhe presidentit france Sarkozy, patën vetëm pak ndikim në kursin e bursës.

Autor: (dpa) A. Cama

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora

DW.COM