1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vilson Mirdita dorëzoi letrat kredenciale tek presidenti gjerman

26 Gusht 2009

Garda e Nderit e ka shoqëruar të martën pasdite (25.08.2009) ardhjen e ambasadorit të Republikës së Kosovës, Vilson Mirdita në kështjellën Bellevue, ku presidentit gjerman Hörst Köhler i dorëzoi letrat kredenciale.

https://p.dw.com/p/JIsB
Në foto presidenti gjerman, Horst Köhler dhe ambasadori i Kosovës, Vilson Mirdita
Në foto presidenti gjerman, Horst Köhler dhe ambasadori i Kosovës, Vilson MirditaFotografi: DW Esat Ahmeti

Në këtë mënyrë Mirdita është ambasadori i parë zyrtar i Kosovës në një prej 62 vendeve, që e kanë njohur deri tani shtetin më të ri në botë.

Në kështjellën Bellevue më 25 gusht u ngrit flamuri i Kosovës
Në kështjellën Bellevue më 25 gusht u ngrit flamuri i KosovësFotografi: DW Esat Ahmeti

"Me të vërtetë ishte një moment shumë emocional për mua personalisht, por në anën tjetër është një moment historik për Kosovën, kur në Schloß Bellevue u ngrit flamuri i Republikës së Kosovës. Në formulën për dorëzimin e letrave kredenciale në protokolin e shtetit gjerman thuhet 'dorëzoj letrat kredenciale dhe liroj nga detyrat paraardhësinë tim'. Unë kësaj radhe i dorëzova dhe e thashë vetëm formulën e dorëzimit të letrave kredenciale dhe shpresoj që ky të jetë një fillim i mbarë për diplomacinë kosovare, për shtetin e Kosovës".

Garda gjermane e nderit pret ambasadorin e Republikës së Kosovës
Garda gjermane e nderit pret ambasadorin e Republikës së KosovësFotografi: DW Esat Ahmeti

Köhler: Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian

Po ashtu sipas ambasadorit Mirdita, Presidenti Köhler ishte shumë i hapur të dëgjojë përfaqësuesin e Republikës së Kosovës për të arriturat e popullit të tij gjatë këtyre viteve por edhe për sfidat që e presin.

"Biseduam edhe për zgjedhjet komunale që na presin ku ai shprehu dëshirën dhe shpresën që të gjithë qytetarët e Kosovës të jenë pjesëmarrës në zgedhje, pavarësisht nacionalitetit të tyre. Ne biseduam edhe për rininë e Kosovës, për perspektivën e tyre, biseduam për ekonominë e Kosovës e cila është në hapat e para të saj... Ishte porosi e presidentit Köhler i cili tha: 'Ju e keni vendin në Bashkimin Evropian dhe Gjermania do të ju mbështes në këtë rrugë'".

Nënshkrimi i ambsadorit Mirdita në letrat kredenciale
Nënshkrimi i ambasadorit Mirdita në letrat kredencialeFotografi: DW Esat Ahmeti


Investimet gjermane të rëndësishme për ekonominë kosovare

Pritjet e ambasadorit të parë në historinë e shtetit të Kosovës, nga shteti gjerman janë të mëdha. Një synim, për realizimin e të cilit ambasadori Mirdita ka ndër mend të punojë në mënyrë të veçantë, është shpjegimi investuesve gjermanë i të gjitha përparësive që ofrojnë investimet në Kosovë dhe siguria e kapitalit të tyre.

Ambasadori Mirdita largohet nga selia e presidentit gjerman
Ambasadori Mirdita largohet nga selia e presidentit gjermanFotografi: DW Esat Ahmeti

"Kosova shtetin gjerman e sheh si një aleat të natyrshëm, i cili na ka përcjellë në të gjitha fazat e ngritjes dhe rrites sonë. Nga shteti gjerman ne presim që të na mbështesi në aspektin politik, siç po bën me misionin e BE-së në Kosovë - EULEX, të na mbështes në fushën e investimeve dhe këtu dua të theksoj se është detyra jonë parësore që të shikojmë dhe t'i sqarojmë investuesit gjerman, se në Kosovë ka potencial për investimin e kapitalit të tyre. Po ashtu nga shteti gjerman presim që t'i hapë dyert edhe për të rinjtë tanë që duan të marrin një arsimim ndryshe nga ai që mund ta marrin në Kosovë", tha për Deutsche Wellen Vilson Mirdita.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama