1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Viktimat në Siri kanë emra - nuk janë vetëm numra

Askush nuk e di numrin e saktë të të vdekurve. Por më shumë se 100.000 viktima të luftës në Siri kanë nga një emër. Një maratonë leximi e emrave të tyre në Uashington përkujton viktimat e luftës në Siri.

Nëse Presidenti amerikan Barack Obama do të hapte një dritare - ai ndoshta do të mund t'i dëgjonte ata. Emrat e atyre që vazhdojnë të shpërndahen në lëndinë përmes rrethojës së Shtëpisë së Bardhë. Nëpërmjet grumbujve të turistëve. Prindërve me fëmijët e tyre, grupeve shkollore dhe vizitorëve nga e gjithë bota.

Në kohën që ata fotografohen me shumë dëshirë para rezidencës së presidentit të fuqishëm, pak metra më larg qëndron një student me një megafon të vogël në dorë. Monoton ai lexon listën e të vdekurve nga një ipad. Kjo është një përpjekje për t'i dhënë një imazh statistikave të tmerrit, shpjegon një prej organizatorëve, Raçan Alhoch. "72 orë ne do të qëndrojmë para Shtëpisë së Bardhë për të lexuar në ndërrime emrat e 100.000 njerëzve që kanë humbur jetën në luftën e Sirisë", shpjegon Raçan. "Ata u vranë nga regjimi i Asadit." Ndërkohë, tre vjet pas fillimit të konfliktit, ka pasur pothuajse 150.000 vdekur, megjithatë ... Raçan tkurr supet.

Një maratonë leximi e emrave të viktimave siriane në Uashington

Një maratonë leximi e emrave të viktimave siriane në Uashington

Lista e pafund

Të paktën nevojitet edhe një ditë tjetër për të lexuar pjesën tjetër të emrave. Përveç kësaj listës i shtohen çdo ditë emra të rinj. Me orë të tëra aktivistët kanë qëndruar në erë dhe në të ftohtë. Ngritjen e një gjysëm-tende, të paktën për tu mbrojtur nga era, e ka penguar policia. "Jo", thotë Raçan duke hedhur shikimin nga policët të cilët të përmbajtur vëzhgojnë situatën. "Ata nuk na lejojnë." Ai qesh. "Ne kemi dorëza."

Por mbi të gjitha, rreth 100 vullnetarë të cilët kanë udhëtuar nga të gjitha pjesët e Shteteve të Bashkuara për në Uashington kanë një mesazh: Ata kujtojnë përvjetorin e tretë të një konflikti që kërcënon të harrohet në botë. Me aksionin e tyre, aktivistë të grupeve të ndryshme dëshirojnë që konfliktit t'i japin një imazh. "Është e rëndësishme të përkujtohen ata që vdiqën në Siri. Çdo ditë ne lexojmë raporte të reja: Edhe 100, 200 të tjerë të vdekur në Siri. Por ata kanë emra, nuk janë vetëm numra", shpjegon Raçan.

Tre vjet pas fillimit të kryengritjes kundër regjimit të diktatorit Bashar al-Asad, e cila u kthye në një luftë të përgjakshme civile, tragjedia është zhdukur nga lajmet kryesore të ditës. Konflikte të tjera dominojnë tani në kryetitujt e lajmeve ndërkombëtare.

Varr masiv në Siri (21.08.2013)

Varr masiv në Siri (21.08.2013)

Por vdekja në Damask, Aleppo, Homs dhe vende të tjera vazhdon, thotë Nur, një studente nga Los Angjelosi. Ky aksion është për të shumë i rëndësishëm. Përmes tij ajo e ndjen veten më afër vendlindjes, sqaron gruaja e bukur e mbështjellur me shall dhe kapelë, familja e së cilës është me origjinë nga një lagje në periferi të Damaskut. Nëse edhe të afërmit e saj janë në listën e të vdekurve? "Natyrisht!", shpërthen ajo në vaj. Nuk mund të gjeni asnjë sirian të vetëm që mos të njoh të paktën një prej të viktimave të këtij konflikti. Çdonjëri është i prekur nga kriza. "Në një pjesë të familjes sime ka 20 jetimë," thotë ajo. "Të afërmit e mi janë torturuar apo ekzekutuar. Ose janë në burg. Kanë kaluar tre vjet, e ne nuk e dimë nëse ata janë të gjallë apo të vdekur."

Një konflikt i harruar?

Edhe në opinionin amerikan shpesh shtrohet pyetja nëse bashkësia ndërkombëtare është duke bërë mjaft për t'i dhënë fund konfliktit në Siri. Nëse ka ardhur koha që Obama ta pranojë se ka dështuar absolutisht me politikën e tij Siri?, kërkoi të dinte një ditë një gazetar në konferencën për shtyp të zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney. Obama është qortuar për një kohë të gjatë për qëndrimin e tij ndaj pushtetmbajtësit Assad. Pastaj ai tërhoqi një vijë të kuqe të cilën Assad e kaloi me përdorimin e armëve kimike. Presidenti i SHBA bëri një manovër në minutën e fundit dhe kërkoi ndihmën e komunitetin ndërkombëtar. Edhe me ndihmën e Bundeswehr-it gjerman armët kimike siriane duhet të shkatërrohen deri në qershor. Assadi ka rënë dakord. Por vrasjet në Siri po vazhdojnë.

Për sa kohë, thonë protestuesit jashtë Shtëpisë së Bardhë, deri sa të përmbyset regjimi i Assadit. "Nëse ju keni një plagë," thotë aktivistja Nur, "atëherë ju së pari duhet të ndaloni gjakderdhjen". Dhe regjimi sirian është shkaku i kësaj gjakderdhje.