1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vijat e kuqe të zotit Cipras

Kryeministri grej Aleksis Cipras vazhdon përpjekjet për të evituar falimentimin e vendit. Deri tani ai nuk ka ndonjë marrëveshje me Bashkimin Evropian. Veç kësaj i duhet të bindë edhe partinë e tij.

Në Athinë flitej të dielën në mbrëmje (29.3.) në qarqet qeveritare se është arritur një "dakordim parimor" për politikën e ardhshme tatimore në Greqi dhe se të hënën do t'i dërgohet Brukselit një listë me "reformat e plota ta besueshme". Deri tani këto të dhëna nuk janë konfirmuar dhe nuk janë konkretizuar. Sipas mediave greke, kryeministri grek Tsipras pret në vitin 2015 që reformat e tij të sjellin tre miliardë të ardhura më shumë, një rritje ekonomike prej 1,4 % si dhe një suficit në buxhet. Por Greqia dhe partnerët e saj evropianë ende nuk janë dakord për shkurtimet në pensione, reformat në tregun e punës dhe ngritjen e tatimeve në vlerë. Kushti për ndihma të tjera Greqisë është vazhdimi i reformave, të cilat duhet të kenë edhe dritën jeshile të ministrave të vendeve të Eurozonës.

Kryeministri Aleksis Cipras ka paraqitur edhe linjat e veta të kuqe: "Ne jemi obliguar që të mos ketë shkurtime të pensioneve dhe pagave, të mos ketë largime masive nga puna dhe të mos ndërmarrim masa të tjera të cilat do të ashpërsonin recesionin dhe krizën sociale në vend", thotë ai për gazetën Real News.Tsipras ka shprehur optimizëm të matur se "shpejt mund të arrihet një fund i lumtur i fazës së parë të negociatave".

Por ai ankohej se në Evropë ka "fuqi" të cilat duan që bisedimet të dështojnë. Duke u nisur nga fakti që Greqia nuk ka marrë kredi nga paketa e ndihmave prej korrikut të vitit 2014, zëdhënësi i majtistëve Nikos Filis, ishte edhe më i qartë: "Nuk mund të kërkohet prej nesh që të paguajmë borxhet vetëm nga të ardhurat e rregullta. Diçka e tillë është e pashembullt, është presion". Filis kërcënon me ndërprerjen e kthimit të borxheve, në qoftë se nuk jepen kreditë e premtuara. "Në një rast të këtillë, qeveria duhet të mbrojë interesat e popullit", thotë ai.

Aleksis Cipras në situate të vështirë

Aleksis Cipras në situate të vështirë

Pritet një deklaratë në parlament

Papritur Cipras ka paralajmëruar për të hënën (30.3.) në mbrëmje një debat parlamentar, për gjendjen në negociata me donatorët. Shefi i opozitës konservatore Antonis Samaras e ka anuluar një paraqitje të rëndësishme partiake në veri të vendit, për të qenë i pranishëm në debat. Pritet që Cipras të ketë një debat të ashpër me konservatorët dhe të paraqesë ndoshta hapur kërkesën për reparacione nga Lufta e Dytë Botërore, për të bërë sa më unike partinë e tij.

Sipas informacioneve të televizionit Skai, Cipras me këtë debat do të zbusë kritikat brendapartiake. Kohët e fundit janë shtuar kritikat ndaj kursit të tij brenda partisë në pushtet Syriza. Shembulli i fundit kanë qenë mosmarrëveshjet mes ministrit për Transportin detar, Thodoris Dritsas me zëvendëskryeministrin Jannis Dragasakis rreth privatizimeve në portin e Pireut. Ata nuk janë dakord rreth futjes së kapitalit kinez në këtë port.

Në kërkim të burimeve alternative financiare

Ndërkohë qeveria greke po kërkon gjithnjë e më shumë afërsi me Rusinë. Këtë të hënë (30.3.) ministri i Energjisë Panagiotis Lafazanis, udhëheqës i krahut të majtë partiak në Syriza, shkon për vizitë në Moskë. Me 8 prill në kryeqytetin rus do të shkojë edhe vet kryeministri Tsipras. Ende nuk dihet nëse pala ruse do të ofrojë ndihma financiare. Por ambasadori rus në Athinë, Andrey Maslov, për gazetën Kathimerini tha se "pala ruse do të shqyrtojë mundësinë e kredive", në qoftë se qeveria greke kërkon një gjë të tillë. Ngjashëm është shprehur edhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në takimin e fundit me homologun e tij grek Nikos Kotzias. Ai është i mendimit se në raportet bilaterale me Greqinë duhet pasur kujdes, sepse ajo i përket Eurozonës. Ndërkohë që Rusia edhe sot është pjesë e ndihmave për Greqinë, në kuadër të ndihmave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Vëmendje ka zgjuar në Athinë edhe lajmi i konfirmuar se Jorgos Tsipras, një kushëri i kryeministrit dhe këshilltar i ministrit të Jashtëm Kotzias, së fundi e ka vizituar edhe Iranin. Sipas informacioneve të gazetës me tirazhin më të madh në Athinë, Ta Nea, ai i është lutur udhëheqjes iraniane që të investojë në huatë greke. Por kërkesa duket se është refuzuar me shpjegimin se Teherani është nën sanksione ndërkombëtare.